GREQI – Temperatura deri në 40 gradë Celcius në valën e re të të nxehtit
ATHINË, 23 gusht /ATSH-DPA/ – Temperaturat në Greqi pritet të arrijnë deri në 40 gradë Celsius, ndërsa vendi mesdhetar po përfshihet nga një tjetër valë e të nxehtit, njoftoi sot agjencia meteorologjike.
Për shkak të thatësirës ekstreme dhe erërave të forta, në pjesën më të madhe të Greqisë është shpallur rrezik i lartë për zjarre në pyje.
Në Athinë, shtatë salla të pajisura me ajër të kondicionuar hapën sot dyert për qytetarët që kërkojnë të mbrohen nga temperaturat e larta.
Punonjësit e bashkisë dhe vullnetarët kanë vendosur gjithashtu 130 pika uji për kafshët e rrugës, duke u siguruar atyre ujë të freskët për t’i mbajtur të hidratuara.
Autoritetet u kanë bërë thirrje banorëve dhe turistëve të shmangin ekspozimin e drejtpërdrejtë në diell dhe të qëndrojnë në ambiente me hije dhe të freskëta.
Mjekët paralajmëruan në radion kombëtare greke se të moshuarit dhe personat që vuajnë nga sëmundje kronike janë veçanërisht të rrezikuar gjatë valëve të të nxehtit.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.