Për protestën kreative dhe disa çorbaxhinj
Nga Enver Robelli
Njerëzit që po vërshojnë sheshet e Shqipërisë për të shprehur pakënaqësi ndaj qeverisë lidhur me mënyrën se si ajo synon t’i menaxhojë resurset e vendit meritojnë së paku të dëgjohen. Shqetësimet e tyre janë legjitime!
Por të gjithë këta njerëz duhet të kenë kujdes dhe të distancohen nga disa huliganë, të cilët me zell të madh janë duke përhapur teori komploti – sikur krejt ky investim i synuar në jug të Shqipërisë na qenkësh i kurdisur nga një “rrjet botëror hebraik”.
Gati krejt kapitali që synohet të investohet është nga vendet myslimane – ndonëse kapitali si i tillë nuk ka as din, as iman. Fakti që me kaq lehtësi depërtojnë në sferën publike këso tregimtarish absurde mbi “komplote botërore”, dëshmon dëshpërimisht dështimin e sistemit shkollor. Kjo duhet ta shqetësojë çdo politikan, çdo qytetar, çdo institucion arsimor, shkencor e kulturor. Kjo flet shumë dhe flet keq edhe për cilësinë e sistemit medial, i cili shpesh e komercializon edhe të vërtetën më të pakontestueshme në emër të klikimeve dhe pozave.
Po aq absurde më ngjan edhe njëfarë retorike pseudorevolucionare e kuazi-antikolonialiste e ndonjë aktivisteje (a aktivisti), e cila, pasi ka marrë bursë nga bota kapitaliste, ka pasur rastin të socializohet, arsimohet e rritet në Perëndim, kthehet në Tiranë a Prishtinë, luan rolin e njëfarë Rosa Luxemburgu dhe me një pipëz prej kashte thekre synon jo më pak se përmbysjen e rendit botëror, përfshirë edhe “çlirimin e Palestinës”. Resurset e Shqipërisë nuk mbrohen me këtë retorikë. Janë çështje krejtësisht të ndryshme. Nuk mund të përzihen.
Për fat të mirë, shumica që dalin në rrugë nuk janë të tillë dhe kjo është ana pozitive e këtyre protestave. Brenda pak ditësh këta njerëz kreativë ia kanë bërë të qartë një qeverie arrogante se të fitosh zgjedhjet nuk do të thotë të marrësh vendime mbi kokat e njerëzve dhe pa konsultuar askënd.
Ende pa u bërë një javë me protesta, kryeministri i Shqipërisë nisi të flasë përçart, për shembull dje në Tivat: “Zoti, seksi dhe BE-ja janë të paparashikueshme”. Mirë. Së paku të parashikueshme janë aferat korruptive të skuadrës, skandalet e njëpasnjëshme, nënçmimi e përtallja e kritikëve.
Këto protesta ia hoqën maskën përfundimisht edhe një opozite të rrejshme, të cilën e mban peng një figurë politike e diskredituar. Kjo opozitë ende operon me gënjeshtrën se pas çdo shqetësimi qytetar qëndron Sorosi. E bën këtë nga vreri sepse nuk është padrone e protestës, por shkatërruese kauzash. Sepse në këtë fushë ka përvojë.
Arroganca e pushtetit me vite të tëra ka krijuar një hendek mes politikës dhe qytetarëve. Humbja e besimit ka ndikuar që dhjetëra-mijëra njerëz të emigrojnë (vlen edhe për vende të tjera të rajonit).
Demokracia jeton nga pjesëmarrja e qytetarëve në çështjet publike. Demokracia mbetet e gjallë kur përballet me kërkesa kritike nga qytetarët. Ajo funksionon vetëm nëse ka presion nga poshtë. Demokracia nuk funksionon automatikisht. Kërkon angazhim dhe përgjegjësi – kundër mendjemadhësisë, snobizmit, delirit të madhështisë dhe hundëpërpjetësisë. Të gjitha këto shpesh shfaqen të maskuara nën petkun e pushtetit. Por vjen një moment kur njerëzve u vjen të hunda – hundëpërpjetësia!




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.