☀️
Tiranë 22°C · Kthjellët 15 August 2026
S&P 500 7,786 ▼0.17%
DOW 53,732 ▼0.2%
NASDAQ 26,729 ▼0.28%
NAFTA 82.40 ▲1.42%
ARI 4,437 ▲0.38%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1566 EUR/GBP 0.8547 EUR/CHF 0.9405 EUR/ALL 92.9042 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3307 EUR/TRY 55.4165 EUR/JPY 184.18 EUR/CAD 1.6057 EUR/USD 1.1566 EUR/GBP 0.8547 EUR/CHF 0.9405 EUR/ALL 92.9042 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3307 EUR/TRY 55.4165 EUR/JPY 184.18 EUR/CAD 1.6057
₿ CRYPTO
BTC $63,105 ▲ +0.34% ETH $1,884 ▲ +0.32% XRP $1.0039 ▲ +0.52% SOL $75.6000 ▲ +0.57%
S&P 500 7,786 ▼0.17 % DOW 53,732 ▼0.2 % NASDAQ 26,729 ▼0.28 % NAFTA 82.40 ▲1.42 % ARI 4,437 ▲0.38 % S&P 500 7,786 ▼0.17 % DOW 53,732 ▼0.2 % NASDAQ 26,729 ▼0.28 % NAFTA 82.40 ▲1.42 % ARI 4,437 ▲0.38 %
EUR/USD 1.1566 EUR/GBP 0.8547 EUR/CHF 0.9405 EUR/ALL 92.9042 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3307 EUR/TRY 55.4165 EUR/JPY 184.18 EUR/CAD 1.6057 EUR/USD 1.1566 EUR/GBP 0.8547 EUR/CHF 0.9405 EUR/ALL 92.9042 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3307 EUR/TRY 55.4165 EUR/JPY 184.18 EUR/CAD 1.6057
15 Aug 2026
Breaking
Ekonomia

Shteti hyn në tregun e banesave për të financuar strehimin social

Drafti i ri u jep institucioneve publike të drejtën të zhvillojnë dhe të shesin banesa me çmim tregu, krijon një Garanci Sovrane për kreditë e lehtësuara dhe trefishon pragun ligjor të grantit të menjëhershëm.

Blerja e një banese është bërë gjithnjë e më e vështirë për shumë familje shqiptare, ndërsa projektligji i ri për strehimin social synon të ndryshojë mënyrën se si shteti financon dhe zgjeron mbështetjen për strehim.

I nxjerrë së fundmi për konsultim nga Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, drafti nuk kufizohet vetëm te subvencionet tradicionale.

Ai hap rrugën që institucionet publike të zhvillojnë dhe të shesin banesa me çmim tregu, me synimin që të ardhurat të përdoren për programet sociale, krijon një Garanci Sovrane për një pjesë të principalit të kredive të lehtësuara dhe rrit nga një e gjashta në një të dytën e vlerës mesatare të banesës pragun e parashikuar për grantin e menjëhershëm.

Krahas këtyre tri shtyllave, drafti zgjeron përdorimin e kontributit të sektorit privat, parashikon mbështetje të posaçme për kategori të veçanta dhe lejon ndryshimin e destinacionit të disa banesave sociale.

Një model i ri, banesa sociale, banesa me kosto të ulët dhe shitje në treg

Projektligji shton në nenin 11 një program të ri: “programin e banesave në treg të lirë për shitje”. Për ta bërë të zbatueshëm këtë program, në nenin 2 shtohet edhe përkufizimi i “banesave në treg të lirë”.

Sipas draftit, këto janë banesa të destinuara për shitje me vlerën e tregut dhe të ardhurat nga shitja e tyre përdoren për financimin e programeve të strehimit social. Kështu, shitja me çmim tregu futet shprehimisht brenda sistemit ligjor të strehimit social.

Ndryshimi kryesor vjen me nenin e ri 11/1. Ai lejon njësitë e vetëqeverisjes vendore dhe subjektet publike përgjegjëse për strehimin të zhvillojnë projekte banimi me destinacion të kombinuar.

Brenda të njëjtit projekt mund të ketë banesa sociale me qira, banesa me kosto të ulët dhe banesa në treg të lirë. Drafti nuk i ndan këto kategori në projekte të veçanta, por u lejon institucioneve publike t’i përfshijnë së bashku në një zhvillim të vetëm.

Po kështu përcakton edhe destinacionin e të ardhurave të realizuara nga shitja. Ato duhet të përdoren për financimin, zgjerimin dhe mirëmbajtjen e programeve të strehimit social. Pra, të ardhurat e pjesës tregtare lidhen drejtpërdrejt me programet e strehimit social.

Shitja e banesave në treg të lirë duhet të bëhet përmes procedurave transparente dhe konkurruese, në përputhje me legjislacionin në fuqi. Ky është rregulli i vetëm procedural që drafti vendos drejtpërdrejt për shitjen. Mënyra konkrete e zhvillimit të procedurës mbetet për t’u përcaktuar më vonë.

Kriteret, përbërja e projekteve dhe mënyra e administrimit të të ardhurave do të përcaktohen me Vendim të Këshillit të Ministrave. Projektligji krijon bazën ligjore, por nuk përcakton raportin midis banesave sociale, banesave me kosto të ulët dhe banesave për shitje.

Ai nuk cakton as një përqindje minimale për komponentin social, ose një formulë për ndarjen e të ardhurave. Këto elemente i kalojnë aktit nënligjor që pritet të kalojë në një tjetër fazë.

Ky model lidhet edhe me ndryshimin e përkufizimit të fondit publik të banesave sociale. Nga pika 16 e nenit 2 hiqen fjalët “në pronësi të njësive të vetëqeverisjes vendore”. Drafti nuk e mban më përkufizimin të lidhur vetëm me pronësinë e bashkive.

Po kështu, në nenin 19 bëhet e qartë se kontributi i sektorit privat që kalon në fondin publik përdoret për të gjitha programet e strehimit social. Në të njëjtin nen shtohet se rregullat e zbatimit duhet të përfshijnë miratimin e programeve dhe kalimin e fondeve nga bordi vendimmarrës.

Ndryshimet e neneve 2, 11, 11/1 dhe 19 krijojnë kështu një skemë të re ligjore ku institucioni publik mund të zhvillojë një projekt me disa lloje banesash, të shesë pjesën e tregut me procedurë konkurruese dhe t’i përdorë të ardhurat për programet sociale.

Përcaktimet për përbërjen e projektit dhe administrimin e të ardhurave mbeten për t’u miratuar nga Këshilli i Ministrave.

Garancia Sovrane, shteti mbulon një pjesë të principalit

Projektligji shton për herë të parë përkufizimin e “Garancisë Sovrane”. Ajo përcaktohet si mekanizëm financiar me të cilin shteti garanton një pjesë të principalit të një kredie të lehtësuar të dhënë për blerjen e banesës.

Masa e garancisë nuk caktohet në projektligj, por me Vendim të Këshillit të Ministrave, pasi drafti të ketë hyrë në fuqi.

Neni i ri 47/2 e lidh garancinë me kreditë e lehtësuara që institucionet financiare u japin përfituesve të programeve të strehimit.

Qëllimi i përcaktuar në tekst është lehtësimi i aksesit në financim për blerjen e banesës.

Pra, garancia, zbatohet ndaj një kredie të dhënë nga një institucion financiar dhe mbulon vetëm një pjesë të principalit.

Drafti nuk vendos një përqindje fikse të principalit që do të garantohet. Ai ia lë masën konkrete një Vendimi të Këshillit të Ministrave.

Po me akt nënligjor do të përcaktohen kriteret e përfitimit, procedurat e dhënies, administrimit, aktivizimit dhe rikuperimit të garancisë, si edhe autoriteti përgjegjës.

Garancia duhet të jepet në përputhje me legjislacionin për huamarrjen shtetërore, borxhin shtetëror dhe garancitë shtetërore.

Projektligji kërkon gjithashtu që ajo të qëndrojë brenda tavanit të përcaktuar në ligjin e buxhetit të vitit përkatës. Kështu, përdorimi i mekanizmit lidhet me kufirin vjetor buxhetor të miratuar me ligj.

Garancia nuk aktivizohet vetëm nga fakti se ekziston një kredi e lehtësuar. Sipas draftit, ajo aktivizohet kur huamarrësi nuk përmbush detyrimet kontraktore dhe kur institucioni kredidhënës ka ndjekur procedurat e përcaktuara për rikuperimin e detyrimit. Kushtet e tjera do të përfshihen në marrëveshjen e garancisë.

Projektligji ruan përgjegjësinë e huamarrësit edhe pas aktivizimit. Garancia Sovrane nuk e përjashton atë nga shlyerja e plotë e detyrimeve që burojnë nga kontrata e kredisë.

Po ashtu, ajo nuk e kufizon të drejtën e shtetit për të kërkuar rikuperimin e shumave të paguara në zbatim të garancisë.

Pragu i grantit kalon nga një e gjashta në një të dytën

Një nga ndryshimet më të dukshme të draftit lidhet me grantin e menjëhershëm. Projektligji propozon që kufiri i parashikuar në nenin 48 të rritet nga një e gjashta në një të dytën e vlerës mesatare të banesës në treg.

E thënë më thjesht, pragu kalon nga rreth 16.7% në 50% të vlerës mesatare të banesës. Pra, kufiri ligjor bëhet tre herë më i lartë se sot. Ky është një ndryshim i rëndësishëm, edhe pse masa konkrete që do të përfitojë çdo familje do të varet nga kushtet dhe rregullat e zbatimit.

Drafti nuk thotë se çdo individ ose familje do të marrë automatikisht një grant të barabartë me gjysmën e çmimit të banesës.

Ai ndryshon pragun ligjor të nenit 48, por nuk shton në këtë nen një formulë të re për shumën individuale dhe nuk krijon një të drejtë universale për të gjithë aplikantët.

Po ashtu, neni 10 nuk shton kategori të reja përfituesish dhe nuk ndryshon përkufizimin e grantit të menjëhershëm. Ndryshimi i vetëm i shkruar në këtë dispozitë është kalimi nga 1/6 në 1/2 e vlerës mesatare të banesës në treg që përfiton individi ose familja.

Zbatimi i pragut të ri do të bëhet brenda rregullave të ligjit për programet, kriteret dhe përfituesit. Dispozita kalimtare përcakton se procedurat e nisura para hyrjes në fuqi vazhdojnë sipas rregullave që ishin në fuqi në momentin e fillimit.

Përjashtim bëhet kur zbatimi i ligjit të ri është më favorizues për përfituesin. Ky është rregulli i përgjithshëm që drafti vendos për kalimin nga sistemi i vjetër tek ai i ri.

Ndryshime të tjera që zgjerojnë sistemin

Kategori të veçanta dhe program i posaçëm qiraje: Projektligji shton përkufizimin “kategori të veçanta” për individë ose grupe që, për shkak të statusit të tyre të veçantë ose një interesi publik të lidhur me ta, përfitojnë mbështetje të posaçme për strehim.

Kriteret do të përcaktohen me Vendim të Këshillit të Ministrave. Për këto kategori krijohet edhe një program i posaçëm për subvencionimin e qirasë, ku qeveria do të përcaktojë kategoritë përfituese, kriteret, masën e subvencionimit, procedurat dhe rregullat e administrimit.

Kontributi privat mund të përdoret më gjerë: Në nenin 19, formulimi ekzistues zgjerohet për të përcaktuar se fondi publik i banesave sociale përdoret për të gjitha programet e strehimit social.

Në të njëjtin nen shtohet edhe referenca për miratimin e programeve dhe kalimin e fondeve nga bordi vendimmarrës.

Banesa me kosto të ulët nga kontributi i sektorit privat: Ndryshimet në nenin 45 shtojnë kontributin e sektorit privat si burim për sigurimin e banesave me kosto të ulët.

Krahas ndërtimit dhe blerjes nga tregu, drafti lejon që këto banesa të sigurohen edhe nga kontributi privat në krijimin e fondit publik.

Ndryshim destinacioni me vendim të këshillit bashkiak: Kur kërkohet kalimi nga banesë sociale me qira në banesë me kosto të ulët, ndryshimi duhet të miratohet me vendim të këshillit bashkiak.

Vendimi duhet të argumentojë arsyet e procesit.

Hiqet një kufizim për banesat e blera pas ankandit të parë: Projektligji shfuqizon fjalinë që kërkonte vendosjen në kontratë të një marrëveshjeje kufizuese që ndalonte tjetërsimin e pasurisë ose ndryshimin e destinacionit të saj si banesë sociale.

Afat gjashtëmujor për aktet nënligjore: Këshilli i Ministrave duhet të nxjerrë aktet nënligjore në zbatim të ligjit brenda gjashtë muajve nga hyrja e tij në fuqi.

Në listën e dispozitave përfshihen programi me destinacion të kombinuar, programi i posaçëm i subvencionimit të qirasë dhe Garancia Sovrane.

Çfarë mbetet për tu bërë në një fazë të dytë

Projektligji përcakton mekanizmat e rinj, por një pjesë e madhe e funksionimit të tyre do të marrë formë përmes vendimeve të Këshillit të Ministrave.

Për projektet me destinacion të kombinuar, qeveria do të përcaktojë kriteret, përbërjen e projekteve dhe mënyrën e administrimit të të ardhurave nga shitja e banesave në treg të lirë.

Këto rregulla do të tregojnë si do të ndërthuren banesat sociale me qira, banesat me kosto të ulët dhe banesat për shitje.

Për Garancinë Sovrane, akti nënligjor do të përcaktojë masën e pjesës së principalit që garanton shteti. Po aty do të vendosen kriteret e përfitimit, procedurat për dhënien dhe administrimin, kushtet e aktivizimit dhe rikuperimit, autoriteti përgjegjës, si dhe të drejtat dhe detyrimet e palëve.

Edhe programi i posaçëm për subvencionimin e qirasë për kategoritë e veçanta kërkon një Vendim të Këshillit të Ministrave.

Ky vendim do të përcaktojë kategoritë përfituese, kriteret, masën e subvencionimit, procedurat e zbatimit dhe rregullat e administrimit të programit. Përkufizimi i kategorive të veçanta në projektligj është i përgjithshëm dhe lidhet me statusin e veçantë, ose me një interes publik.

Në rastin e kontributit të sektorit privat, rregullat e zbatimit do të përfshijnë miratimin e programeve dhe kalimin e fondeve nga bordi vendimmarrës. / N.Maho

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.