Kosova

Plani i Qeverisë Kurti: Buxheti 3 miliardë euro, kursim i parasë publike, ushtria e detyrueshme

Mandatari për formimin e Qeverisë, Albin Kurti ka paraqitur para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, planin qeverisës. Kurti ka thënë se ky është një program, që adreson secilën fushë dhe prek secilin qytetar të Kosovës. Kurti ka shtuar se do të departizohen dhe depolitizohen agjensionet e ndërmarrjet publike. Ai shtoi se buxheti i shtetit gjatë qeverisjes së tyre do të arrijë në 3 miliardë euro. Ai po ashtu tha se do të kujdesen për përmirësimin e gjendjes së mjedisit në Kosovë. Tutje, Kurti ka premtuar se në Kosovë edhe shërbimi ushtarak do të jetë i obligueshëm.

Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, në seancën plenare ku pritet të votohet Qeveria e re, ka shpalosur para të pranishmëve programin e tij qeverisës.

Kurti është shprehur se kanë reduktuar numrin e ministrive po ashtu edhe të zëvendësministrave.

”Kemi një program që adreson secilën fushë dhe prek secilin qytetar. Me këtë program prekim secilën jetë të qytetarit. Do të jemi Qeveri e Kushtëzimit të parasë publike. Para meje do të jenë 15 ministra, e jo 21 sa ishin më herët. Do të kemi 33 zëvendësministra dhe jo mbi 80 sa ishin më herët. Më pak shpenzime e borxhe e privilegje. Do të departizojmë shërbimin e jashtëm përmes një rishikimi funksional të bazuar në performancë dhe rezultate. Do të jemi qeveri e zhvillimit ekonomk dhe punësimit. Na duhet të një program që nxit zhvillimin ekonomik. Ndërmarrësit i shohim si partner kyq. Do të minimizojmë garën e udhëheqjes duke hequr monopolet. Ndërmarrësit që duan të rrisin kapacitetet e punësimit do të mbështeten përmes fondit zhvillimor”.

Ai ka treguar se Agjencia Kosovare e Privatizimit do të shuhet si e tillë.

”Do të rrisim konkurueshmërinë duke rritur transparencën.  Agjencia Kosovare e Privatizimit do të shuhet si e tillë dhe do të formohet brenda Qeverisë. Do të marrim masa që ndihmojnë punësimin e të rinjve e grave në vecanti. Do të themelojmë fondin zhvillimor që do të shërbejë për ide innovative. Do ta bashkojmë Administratën Tatimore dhe Doganat në një agjenci të vetme. Më shumë qasje në financa më shumë kredi të buta, pa monopole që të nxisim zhvillimin e të nxisim punësimin”.

Ndërsa ka folur për punësimin dhe zhvillimin ekonomik, Albin Kurti ka deklaruar se me qeverisjen e tij buxheti i Kosovës do të arrijë 3 miliardë.

”Do të jemi Qeveri për punëtorët, për punëtorët me shumë të drejta. Paga minimale e orët e punës maksimale do ta mbrojnë dinjitetin e punëtorit. Buxheti i Kosovës do të arrijë 3 miliardë euro gjatë mandatit tonë qeverisës.  Do të evitohen të gjitha shpërdorimet financiare”.

Ai po ashtu tha se do të kujdesen për përmirësimin e gjendjes së mjedisit në Kosovë.

“Do të jemi qeveri për rend dhe ligj, siguri e paqe. Drejtësia jonë duhet të jetë e pavarur, e paanshme. Nuk do të ketë as individ as parti më të fuqishme se shteti. Do ta luftojmë korrupsionin në institucione, do të krijojmë Vetting në drejtësi. Ky proces do të kryhet me partnerët ndërkombëtarë”, u shpreh Kurti.

Në fund të fjalimit të tij disaminutësh, Kurti ka zgjedhur të flasë për veten, duke kërkuar votën e deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

“Jam ai që jam për shkak se jam me të tjerët. Këto ditë më janë mbushur 23 vjet aktivitet në politikë dhe sot ndodhem para jush plot 23 vjet si opozitar. Këtu me ndan një votim i juaji nga fillimi i karrierës sime politike çfarë dihej deri tani. Ata që më kanë dashur si opozitar besoj se duhet të më duan si qeveritar. Ata që nuk më kanë dashur si opozitar e kanë shansin të ma përfundojnë karrierën”.

Opozita kritikon programin e Kurtit

Shefat e grupeve parlamentare të partive opozitare kanë shprehur kundërshtimin për Albin Kurtin në seancën në të cilën ai pritet të marrë postin e kryeministrit.

Bedri Hamza, Shef i Grupit Parlamentar të PDK-së, ka thënë se nuk kanë parë akoma program të qeverisë mbi të cilin do të mund të diskutonin. Ai ka thënë se nuk mundet një qeveri me një buxhet 3 miliardë eurosh në vit të kryejë punët që i ka premtuar Kurti.

“Dëgjuam ekspozenë e mandatarit për kryeministër. Si deputetë s’kemi program dhe për programin s’mundemi të diskutojmë në detaje deri sa të njëjtin ta kemi. Ne nuk pamë as përbërjen e kabinetit. Grupi Parlamentar i PDK-së sigurisht se janë përgatitur për këtë seancë. Kanë përgatitur diskutimet e tyre dhe pas diskutimeve tona ne kemi qëndrimin tonë se si do të votojmë”, ka thënë ndër tjerash ai.

Hamza në seancën e sotme ka thënë se është e pamundur që një buxhet prej tre miliardë të përmbushë premtimet e VV’së.

“I pamundur është një buxhet prej tre miliardë, le  të del një ekonomist edhe brenda VV’së ose LDK’së, që mundet me argumentu të gjitha këto premtime, unë atëherë do t’i bëj shumë pyetje vetës”, ka thënë ai.

Teuta Haxhiu e AAK-së, ka pyetur në fillim nëse Glauk Konjufca ka dhënë dorëheqje apo jo, pasi ia liroi vendin nënkryetares së Kuvendit, Arbërie Nagavcit.  Ajo ka kujtuar disa deklarata të zyrtarëve të Vetëvendosjes ndaj LDK-së, me të cilën kanë arritur marrëveshje për bashkëqeverisje.

“Nëse aludohet që dy persona të ulen në një tavolinë në mënyrë arbitrare, të bisedojnë për shkarkimin kjo është fyerje për institucionin Bahtiri- pazare nuk bëjmë, a janë pazare këto zoti Bahtiri të gjithë zyrtarët ishin të bindur 100% për mos dorëheqjen e Glaukut, duke ndryshuar qasjen për Isa Mustafën nga argat i Serbisë në profesor i nderuar duke i gëlltitur fjalët dhe shkelur parimet, tashmë synon ekzektuivin kosovar, monark është Albini që me sjellje arrogante dhe fjalë të përtypura delegjitimoj marrëveshjen e tij, duke e bërë kurban Glaukun ashtu si e bëri. Sa Vjosën vetëm për tu bërë udhëheqës”, ka thënë ajo.

Edhe Haxhi Shala i Nismës ka kujtuar deklaratat e Vetëvendosjes që ishin shprehur kundër opsionit që Glauk Konjufca të lironte vendin e kryeparlamentarit për LDK-në. Shala ka thënë se “pritet pak nga ky kryeministër”.

Përfaqësuesit e VV-së dhe LDK-së paraprakisht kërkuan votimin e Qeverisë Kurti.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button