🌤️
Tiranë 38°C · Kryesisht kthjellët 31 July 2026
S&P 500 7,438 ▲1.66%
DOW 52,208 ▲1.19%
NASDAQ 25,122 ▲2.78%
NAFTA 84.27 ▲0.81%
ARI 4,111 ▼1.2%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1511 EUR/GBP 0.8565 EUR/CHF 0.9301 EUR/ALL 93.8176 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3965 EUR/TRY 54.7047 EUR/JPY 184.79 EUR/CAD 1.6137 EUR/USD 1.1511 EUR/GBP 0.8565 EUR/CHF 0.9301 EUR/ALL 93.8176 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3965 EUR/TRY 54.7047 EUR/JPY 184.79 EUR/CAD 1.6137
₿ CRYPTO
BTC $64,004 ▼ -0.88% ETH $1,890 ▼ -1.45% XRP $1.0758 ▼ -0.28% SOL $73.7000 ▼ -0.31%
S&P 500 7,438 ▲1.66 % DOW 52,208 ▲1.19 % NASDAQ 25,122 ▲2.78 % NAFTA 84.27 ▲0.81 % ARI 4,111 ▼1.2 % S&P 500 7,438 ▲1.66 % DOW 52,208 ▲1.19 % NASDAQ 25,122 ▲2.78 % NAFTA 84.27 ▲0.81 % ARI 4,111 ▼1.2 %
EUR/USD 1.1511 EUR/GBP 0.8565 EUR/CHF 0.9301 EUR/ALL 93.8176 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3965 EUR/TRY 54.7047 EUR/JPY 184.79 EUR/CAD 1.6137 EUR/USD 1.1511 EUR/GBP 0.8565 EUR/CHF 0.9301 EUR/ALL 93.8176 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3965 EUR/TRY 54.7047 EUR/JPY 184.79 EUR/CAD 1.6137
31 Jul 2026
Breaking
Opinion

“Prania Besnike”: slogani grotesk për partinë-shtet

https://omg10.com/4/11463930
Nga THOMA GËLLÇI

Edi Rama ka folur sot gjatë për ndryshimin e Partisë Socialiste, në përgjigje të revoltës popullore. Pasi përmendi Barack Obamën, Emmanuel Macronin e Porto Alegren, ai i ra nga Suedia, shkoi në Singapor, Argjentinë, Spanjë e doli pastaj në Itali, duke sjellë kështu shembuj të shumtë partish që fituan, partish që humbën dhe partish që qëndruan gjatë në pushtet. Pas gjithë këtij udhëtimi nëpër historinë politike të botës, solli dhe një nga propozimet më të çuditshme që kam dëgjuar në gjithë vitet e karrierës së tij politike. Edi Rama e bëri të qartë se modeli “i ri” synon përfshirjen thellë të Partisë Socialiste në marrëdhënien mes qytetarit dhe shtetit.

Dokumenti i ri quhet “Prania Besnike”, një togfjalësh që tingëllon po aq i çuditshëm sa rizgjimi i këtij modeli tashmë arkaik që dikur quhej partia-shtet. Sipas Ramës, në këtë model, strukturat e partisë duhet të dëgjojnë hallet e qytetarëve, t’i shënojnë, t’i ndjekin në administratë, të kërkojnë përgjigje nga ministritë dhe ta ndihmojnë qytetarin të kërkojë të drejtën që i takon me ligj.

Në vend të vizionit të një shteti që i përgjigjet drejtpërdrejt qytetarit, Edi Rama propozon modelin ku marrëdhënien midis qytetarit dhe shtetit e ndërmjetëson partia. Në vend që të kërkojë ndarjen përfundimtare të administratës nga partia, kryeministri aktual kërkon ta bëjë partinë portën kryesore të administratës. Në vend të shtetit ligjor, ofrohet kështu kujdesi politik. Në vend të institucionit, del organizata socialiste. Në vend të së drejtës, shfaqet “Prania Besnike”.

Rama thotë se partia duhet ta ndihmojë qytetarin “të gjejë rrugën” pa i kërkuar atij votën. Ndërsa unë nuk besoj se ka më shqiptarë që të mos e kuptojnë dredhinë që fshihet pas kësaj “zemërgjerësie” partiake, mua më bën përshtypje se sa e cekët është kjo ide në perceptimin e shtetit ligjor. Në një shtet ligjor, qytetari nuk duhet të ketë nevojë për partinë që të fitojë të drejtat e tij. Marrëdhëniet midis shtetit dhe qytetarit i rregullon ligji. Përgjigjen qytetarit duhet t’ia japë administrata dhe këtë të drejtë çdo qytetari duhet t’ia garantojë vetë shteti ligjor, pavarësisht se për cilën parti voton dhe nëse voton apo jo.

Kur një fermer pret tre vjet për një përgjigje, siç thotë Rama, zgjidhja nuk gjendet në zyrat e Partisë Socialiste. Zgjidhja e vetme në këtë rast është që institucioni përgjegjës të ketë një afat ligjor, një sistem funksional, një drejtues që mban përgjegjësi dhe një mekanizëm ankimi. Nëse administrata nuk përgjigjet, duhet të ndëshkohet administrata. Nuk është detyrë e partisë, as për ta ndëshkuar administratën dhe as për ta zëvendësuar atë.

Ka disa arsye që tregojnë se përse “Prania Besnike” jo vetëm që nuk është reformim i shtetit, por, përkundrazi; Prania Besnike, ndërsa është pohimi i qartë se shteti nuk funksionon, merr përsipër të implementojë modelin tashmë të diskredituar të partisë-shtet.

Nga patronazhist tek ndërmjetës i hallit

Në fjalimin e tij, Rama bën një pohim alarmant. Ai thotë se kryetari i organizatës socialiste mund të tregojë sa vota ka partia në një qendër votimi, në një pallat ose në një fshat. Por, po të pyetet sa herë i ka dëgjuar ata qytetarë, përgjigjja mund të jetë: asnjëherë.

Pra, struktura ekzistuese është një strukturë elektorale që di të numërojë votat dhe nuk ka asnjë orientim apo premisë të zgjidhë hallet e qytetarëve. Celula patronazhiste di kush voton, ku voton dhe sa vota prodhon çdo territor. Kjo makineri, që vetë Rama e quan “të pathyeshme”, tani do të ketë edhe tagrin për t’u marrë me hallin personal të qytetarit.

Kështu, partia do të dijë votën, familjen, punën, problemin me pronën, kërkesën për pension, vendin e punës së djalit, nevojën për ilaçe, konfliktin me administratën dhe derën që qytetari kërkon të hapë. Realisht, kjo nuk është thjesht “empati”, siç e përshkruan Rama, por një zgjerim i jashtëzakonshëm i informacionit dhe i ndikimit politik mbi jetën private të qytetarit. Po me kë do të martohet X dhe Y, a do të merret celula e patronazhistëve vallë?!

Rama përpiqet ta shmangë këtë shqetësim duke thënë se ndihma do të jepet pa kushte dhe pa pyetur për votën. Por klientelizmi nuk fillon vetëm kur thuhet hapur: “Të ndihmova, tani më jep votën”. Ai fillon kur qytetari mësohet se, për të zgjidhur një problem, duhet të njohë sekretarin e partisë, deputetin, kryetarin e organizatës ose patronazhistin. Klientelizmi fillon kur institucioni nuk reagon, ndërsa partia premton se do ta hapë derën e tij për qytetarin. Klientelizmi zë vend kur e drejta paraqitet si ndihmë dhe detyrimi shtetëror si mirësi politike.

Edhe sikur vota të mos kërkohet hapur, varësia krijohet kështu në mënyrë të maskuar.

Rama e njeh mirë këtë mekanizëm. Në fjalim ai përshkruan modelin e “puntero”-s argjentinas, sekserit politik që siguronte ilaçin, dokumentin, thesin e miellit ose vendin e punës. Pastaj thotë se modeli i tij do të jetë ndryshe, sepse ndihma nuk do të kushtëzohet me votën.

Dhe kjo është vërtet për të qeshur!!

Qytetari dhe shteti ne dispozicion te Partise

Rama thotë se modeli i tij synon “të vërë partinë në dispozicion të qytetarit dhe të shtetit, dhe jo qytetarin dhe shtetin në dispozicion të partisë”.

Edhe pse, në një lexim të pathelluar, kjo duket si gjëja e duhur, në fakt, në një lexim të vëmendshëm, ideja zbulon mënyrën e shtrembëruar se si e kupton Rama pushtetin. Ai nuk pranon të kuptojë se, ndërsa partia është një organizatë politike që konkurron në zgjedhje, harton programe, përfaqëson ide dhe kërkon vota, shteti, ndërkaq, është i përhershëm dhe u përket të gjithëve. Një parti, që u përket vetëm anëtarëve të saj, është vetëm e përkohshme në pushtet. Vetëm në një shtet tipik monist, kryetari i një partie shpall një model sipas të cilit roli i përfaqësimit të qytetarit përballë shtetit i ngarkohet dhe i njihet një partie, e cila, në këtë rast, është Partia Socialiste e Edi Ramës.

Rama refuzon të kuptojë (ose nuk e kupton) se shteti ligjor nuk ka nevojë për strukturat e një partie, cilado qoftë ajo, që të funksionojë. Ai ka nevojë për nëpunës profesionistë, procedura të qarta, institucione të pavarura, afate ligjore dhe përgjegjësi administrative.

Kur partia vihet “në dispozicion të shtetit”, zhduket kufiri mes tyre. Ne fakt eshte shteti qe vihet ne dispozicion te Partise. Deputeti bëhet ndërmjetës i administratës. Organizata socialiste bëhet sportel ankesash. Zyra e partisë mbledh problemet, kurse institucionet presin që partia t’ua përcjellë dhe administrate ne fund te fundit, behet punonjese partie.

Ky është modeli i vjetër i partisë-shtet, edhe pse mund të paraqitet me fjalë moderne si “empati”, “dëgjim” dhe “solidaritet”.

Në një shtet evropian ku pretendon Rama se po shkojmë, kërkesa e qytetarit nuk ka nevojë të vijë me teserë partie në xhep. Administrata nuk duhet të zgjohet vetëm kur bie telefoni i deputetit dhe as të hapë derën vetëm kur troket sekretari i organizatës. Shteti nuk është kafeneja e partisë, ku shërbehen më parë “tanët” dhe pastaj, po mbeti kohë, edhe të tjerët. Ai duhet t’u përgjigjet të gjithëve njësoj, pa pyetur kë njeh, kë voton dhe kush të ka sjellë për dore.

Kritika vetëm brenda partisë

Një tjetër pjesë e fjalimit e bën edhe më të qartë natyrën e këtij projekti. Rama thotë se kritika e brendshme duhet të mirëpritet, por ajo duhet të bëhet brenda partisë. Domethënë, të mos na marrë vesh “armiku”, thotë Rama. Përpara qytetarit, kritika duhet të shfaqet vetëm si vetëkritikë “në emër dhe në interes të skuadrës”. Ai që e nxjerr problemin publikisht cilësohet si “prani hileqare”.

Një deputet nuk i detyrohet vetëm “skuadrës”. Ai u detyrohet qytetarëve. Ajo që propozon Rama është që një anëtar i shumicës nuk duhet ta thotë një problem në publik derisa të marrë lejen e drejtuesit. Ministrat nuk duhet të bëjnë transparencë në publik, nuk mund të flasin për gabime në qeverisje, por vetëm për suksese. Pra, modeli i Ramës është që kritika mund të lejohet vetëm “brenda mureve të shtëpisë”. Partia kontrollon jo vetëm pushtetin, por edhe mënyrën se si flitet për pushtetin. Besnikëria ndaj udhëheqjes vendoset mbi detyrimin ndaj publikut.

Prandaj emri “Prania Besnike” është domethënës. Besnike ndaj kujt? Pas standardesh të tilla kuptohet, kjo nuk është besnikëri ndaj qytetarit, ligjit dhe interesit publik, por ndaj “skuadrës”, vazhdimësisë së saj në pushtet dhe sidomos të kryetarit të partisë.

Vetë fjalimi e jep përgjigjen. Dokumenti synon një transformim të thellë, në mënyrë që Partia Socialiste të fitojë jo vetëm mandatin e tanishëm, por edhe “një tjetër dhe të tjera mandate”.

Qytetari duhet të dëgjohet, por se deri ku do t’i dëgjohet fjala atij, kjo do të matet me besnikërinë e tij ndaj partisë. Hallet trajtohen, por trajtimi i tyre duhet të lidhet me forcimin e besimit te partia. Strukturat do të afrohen me njerëzit, por qëllimi përfundimtar i këtij modeli mbetet vazhdimësia e fitoreve të partisë së Ramës.

Më shumë se modeli i një administrate publike në shërbim të qytetarit, ky është modeli i një administrate elektorale të përhershme.

Shteti që nuk funksionon pa Ramën

Rama pranon se demokracitë e zhvilluara mund t’i ndryshojnë qeveritë pa ndryshuar drejtimin e shtetit, sepse kanë institucione të konsoliduara. Për Shqipërinë, përkundrazi, ai thotë se ndryshimi i qeverisë mund të rrezikojë rrugën drejt Bashkimit Europian.

Ky pohim është, në fakt, insinuata më e rëndë e këtyre 13 viteve të tij në pushtet.

Nëse pas 13 vjetësh shteti shqiptar nuk mund të vazhdojë drejtimin strategjik pa Edi Ramën dhe Partinë Socialiste, atëherë institucionet kanë marrë fund. Ato janë bërë të varura vetëm nga një njeri dhe ky është Edi Rama.

A mund të ndërtohet një shtet duke shpallur një njeri të pazëvendësueshëm? E kundërta është e vërtetë. Shteti i së drejtës ndërtohet pikërisht në mënyrë që ai të vazhdojë të funksionojë normalisht edhe kur qeveritë ndryshojnë. Administrata duhet apolitike. Kështu, ajo duhet t’i shërbejë njësoj çdo qeverie të zgjedhur. Institucionet duhet të zbatojnë ligjin pavarësisht se kush fiton. Procesi i integrimit duhet të jetë kombëtar, jo pronë e një partie dhe aq më pak e një individi.

Rama thotë se beteja e Partisë Socialiste për të qëndruar në pushtet është, në të vërtetë, beteja e Shqipërisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian. Kjo përjashton automatikisht nga ky proces gjithë spektrin tjetër politik, i cili, sipas Ramës, ka për detyrë vetëm ta duartrokasë atë, sepse, në të kundërt, pengon rrugën evropiane të Shqipërisë. Kjo është pikërisht logjika e partisë-shtet: çfarë është mirë për partinë, është mirë për Shqipërinë; çfarë rrezikon pushtetin e partisë, rrezikon vendin.

Shqipërisë i duhet shteti, jo kujdestaria e partisë

Qytetarët e shtetit ligjor nuk kanë nevojë për ndërhyrje të organizatave politike. Për të zgjidhur problemet e tyre, qytetarët i drejtohen ligjit dhe përfaqësuesve të ligjit. Shqiptarët nuk kanë nevojë që Partia Socialiste, apo çdo parti qoftë, t’u qajë hallet në nivelin personal. Qytetarët shqiptarë, ashtu si gjithë qytetarët e botës së civilizuar, kanë nevojë për ligje të tilla që i detyrojnë institucionet të kryejnë detyrën. Njerëzit nuk duhet të kenë nevojë që sekretari i partisë apo pensionisti-patronazhist t’u tregojë rrugën. Një shtet demokratik ndërton ligje të tilla që marrëdhënia e shtetit me qytetarin të ndjekë të njëjtën logjikë për të gjithë.

Qytetarët nuk duhet të kenë nevojë për një deputet që t’i shkruajë ministrisë. Ata kanë nevojë që nëpunësi i administratës t’u përgjigjet pa ndërhyrjen e deputetit.

Nuk ka nevojë që partia t’u japë qytetarëve atë që atyre u takon me ligj. Në një shtet demokratik, është e domosdoshme që ligji të zbatohet pa teserë, pa njohje, pa telefonata dhe sidomos pa mirënjohje politike.

Në fjalimin e tij të fundit, bëhet e qartë se, pas katër mandateve, Edi Rama jo vetëm nuk propozon çlirimin e shtetit nga partia, por, në të kundërt, ai propozon që partia të jetë më e pranishme, të dijë më shumë, të dëgjojë më shumë, të ndërmjetësojë më shumë dhe të futet më thellë në jetën e qytetarit.

Por a nuk ishte ky modeli i shtetit monist shqiptar – Partia mbi të gjitha – i cili është çvlerësuar plotësisht në këto 35 vjet?

Rama ka ndryshuar vetëm fjalët e sloganet. Kështu, në vend të “komunistit” dhe “organizatës së partisë”, tani kemi patronazhistin dhe “praninë besnike”; metoda të vjetruara të veshura me “rrobat” demode të viteve ’70.

Dhe të gjitha këto thuhen hapur dhe me zë të lartë!!!

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.