Prognoza imagjinare e “Shqipërisë së Re” që po lind nga Flamingo Revolution!
Nga Ylli Pata
“Shqipëria e Re” ishte emërtimi që u bë publik si emër partie, prej një prej personazheve që u angazhuan në Revolucionin e Flamingove që në fillim.
Një nga personazhet që mbush televizionet gjithë vitit si ekspert zhvillimesh të Lindjes së Mesme, si të shumtët që kanë mbushur emisionet.
Ky emërtim, deri tani duket si rezultantja e një mendimi “të ri” po rrotullohet prej 80 ditësh si “fantazma” në Manifestin e Marksit dhe të Engëlsit, shkruar në 1848-n.
Në basenin politik të protestës, përveç opozitarëve “rifuxho”, ende të palineuar në ndonjë forcë, apo aspirantë për tu parkuar diku, fenomeni politik më i pritshëm e që s’po del që s’po del është e “majta e re”.
E cila, me logjikën se do të marrë me vete një copë të mbështetësve apo votuesve të Partisë Socialiste, mund të sjellë ndryshimin e shumë kërkuar nga komuniteti politik anti-Rama në Shqipëri, Kosovë, e Maqedoni të Veriut, por edhe në kancelari të ndryshme europiane që kanë mbështetur këtë aksion politik, i cili prej vitesh sillet si aksion pa arritur të ngjisë si materie politike reale.
E ashtuquajtura e “Majta e Re” është faktori politik më i dallueshëm në Revolucionin e Flamingove, pasi është i organizuar, ka në dorë mikrofonin, pra verbin para publikut, ka aleatët e fuqishëm ndërkombëtarë, duke nisur nga e majta amerikane te ajo europiane, ka Vetëvendosjen e Albin Kurtit, si dhe aleatët e tij të Vlen-it në Maqedoninë e Veriut, etj etj.
Kjo e majtë, ka gjithashtu edhe një sërë personazhesh, ish-pushtetarë të Partisë Socialiste, që nga koha e Fatos Nanos deri tek ajo e Edi Ramës, të cilët janë mbështetës të flamingove, duke e shpallur këtë publikisht, e vullnetin për një ndryshim që thënë nga këto grupe ngjan me një rokadë a riciklim. Atë që e quajnë një marrëveshje të re, një republikë të re, me një fjalë një gjë të re.
Në këtë kor politik të identifikueshëm, ka edhe mjaft figura të rëndësishme publike, gazetarë, publicistë e pedagogë që identifikohen me këtë revolucion me këtë lëvizje. Thënë të vërtetën, këta të fundit identifikohen me çdo lëvizje që do të përmbysë Edi Ramën, pa përjashtuar asgjë dhe askënd. Nuk kanë pasur asnjëherë komplekse kur kanë përkrahur largimin me armë, dhunë apo edhe akte të tilla të ngjashme, siç nuk e kanë problem që aleatët e tyre i përkasin fondit politik të dinosaurve.
Të gjithë këta aktorë e faktorë duan një gjë të ditur tashmë; një Shqipëri pa Edi Ramën, por ende nuk po e zbulojnë se me kë e duan, pra kush do ta zëvendësojë Edi Ramën, e si do jetë kjo Shqipëri, pra modeli politik.
Gjasat janë që edhe për një kohë nuk duan të tregojnë shumë gjëra, ngase planet i kishin së paku deri tani ndryshe. Të arrinin me një furtunë apo Bing Bang politik, që u synua ditët apo javët e para të Flamingove të rrëzonin Edi Ramën, në mënyrë që më pas është krejt më e lehtë të flasësh për hapat e mëtejshëm.
Të cilët në kulmin e një kaosi që sjell tronditja, janë gjithnjë të mirëpritur, sikur edhe të jenë hapa krejt normalë. Apo edhe hapat karakteristikë e të nxitueshëm të doktorit, që natyrisht nuk janë si 35 vjet më parë.
E gjithë kjo enigmë e kësaj të majte të re me bajagi garderobë muzeale nga rekuizitat politike e qeveritare të gjithë këtyre viteve, megjithatë shton shumë kureshtjen se çfarë është në të vërtetë, qoftë në fytyrë, qoftë në anatomi, apo edhe në atë që do të ligjërojë si lëndë për të bërë brumin politik.
Natyrisht këtu hyn në punë fantazia, me një fjalë imagjinata se ç’mund të jetë, apo një lloj analogjie me të majtën aktuale sot në Europë, apo edhe përtej saj, si në Amerikë, Kanada, apo ish-territoret e komandantit Che apo Fidelit- vendet latino amerikane.
Të cilat, këtë verë sikur janë çmendur që nga Kolumbia deri tek Bolivia; kur vetëm para pak muajsh ishin basene të “Esquerda Mondial”. Këto vende po zgjedhin në seri si Presidentë, djathtistë të çalltisur me kobure në brez që bëjnë fushatë ngjashëm me luajalistët e Somozës së Nikaraguas së viteve 80 kur Amerika kishte President Reganin.
Brazili ndërkaq po kthehet në ndeshjen e vitit, ku përballë do të përplaset dinosauri Lula me të birin e Bolsonaros, Flavion. Duke e kthyer betejën politike në një duel për jetë a vdekje; domethënë si një slogan i vjetër i një skuadre të Kategorisë së Dytë: “Industrial, industrial, ja fitore, ja skandal”!
Ndërkaq tek ne, “E majta e re” përveç portretit të profesor Qorit, e disa ndjekësve hiperaktivë të tij që përveçse këndojnë Bella Ciao-n si parodi, njihen edhe si agresivë në rrjete sociale, ka ngecur tek një formulë që e ka shpallur Monika Kryemadhi në vjeshtën e 2017-s, pas fitores së Edi Ramës të vetëm në timon e në tepsi. Përkatësisht: “qeveri teknike me një socialist të vjetër në krye, e pa Edi Ramën”.
Ndoshta për kohën kur e anonçoi Monika, dukej edhe si një supë pak a shumë e ngrënshme, pasi ajo edhe përmendte disa emra të mundshëm kryeministrash “teknikë” që nga Majko, Xhafaj etj etj. Kurse sot, e ringrohur një here në vit qoftë nga Monika, Luli, doktori e njeriu i popullit të 2 marsit, është si shija e pulave braziliane që udhëtojnë në kontenierë si mbulesë të “kolumbianes”.
Por këta të sotmit, as edhe një emër për be, kanë lënë njerëzit duke vdekur nga kërshëria. Madje s’kanë hapur as edhe një fushatë bastesh se kush mund të jetë fatlumi kryeteknik. “Kushdo mund ta bëjë, vetëm të ikë Edi Rama”, është shprehja klishe.
Por, meqë për emrat nuk duan të nxjerrin zë, pasi ka gjasa që plas “lufta e grupeve” si para themelimit të PKSH, së paku të hedhin dy gisht letër të idesë se si do jetë kjo e majtë e re.
E cila, duket se pa lindur akoma, ka marrë sëmundjen e Lulit, i cili e mbajti aq gjatë misterin se si e donte Partinë Demokratike sa i mërziti të gjithë shokët dhe ikën pa një pa dy edhe pse e dinin se s’kinin ku shkonin. Madje u mërzit edhe vula, e cila plasi nga marazi dhe shkoi te doktori.
Pasi edhe këto të majtë, si Luli duan ta marrin PS-në njëherë pastaj të shohin e të bëjnë se çfarë do bëjnë e kush do ta bëjë.
Në realitet këtu ka kaq hapësirë për të bërë politikë, ku mund të mbahet gjithë hapësira e nxitet debate, pa pasur nevojë të dalldisin dynjanë me përralla izraelitësh e palestinezësh.
Kërkojnë rrëzimin e sistemit të vjetër, pa hedhur bazat e kërkesës së atij të riut. i cili mund të nisë që me reformën politike; të Kuvendit, zgjedhjen e deputetëve, rikthimin e mazhoritarit me balotazh, që përfaqësimi të marrë më peshë. Reforma e territorit dhe fuqizimi i pushtetit të të zgjedhurve; arsimi, turizmi, investimet dhe prioritetet e buxhetit.
Taksat, infrastruktura; transporti publik e siguria publike. Policia, rendi publik e mbrojtja, aleancat strategjike e mbi të gjitha procesi i anëtarësimit në BE, si mund të përshpejtohet, apo do të lihet fare.
Ndërsa parullat për protestat e mbrëmjes ja kërkonin çatit që t’ua bëjë gati, presin ndoshta edhe liderin e ri t’ua zgjedhë ai. I vetmi që ka përdorur algoritmin, duket ka qenë Agron Shehaj, duke përdorur emrin e vet për kryeministër. Të paktën ka guxuar…



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.