Cila është një nga prapaskenat e politikës greke që vazhdon të rëndojë mbi zgjedhjet e ardhshme?

Greqia po kalon aktualisht një periudhë veçanërisht të rëndësishme. Gjithçka ka hyrë në fazën përfundimtare përpara zgjedhjeve të ardhshme.
Këto zgjedhje janë të rëndësishme për popullin grek, pasi ai përballet me dilemën e fortë nëse dëshiron që qeveria e Demokracisë së Re (ND), nën drejtimin e Mitsotakis, të vazhdojë për një mandat të tretë radhazi. Pyetja për grekët nuk është nëse e duan planin e propozuar nga ND, pasi ai tashmë është zbatuar prej shtatë vitesh; pyetja është nëse duan vazhdimin e tij apo një ndryshim rrënjësor të peizazhit politik.
Pse një ndryshim rrënjësor? Sepse e gjithë opozita po vë në dukje dallimet e saj me qeverinë aktuale. Partitë opozitare e kanë kthyer pothuajse në qëllim të tyre kundërshtimin e qeverisë Mitsotakis në thuajse çdo çështje. Pavarësisht temës, linja e tyre mbetet e njëjtë.
Përtej dallimeve ideologjike që mund të ekzistojnë mes partive, në themel të problemit qëndron mënyra se si perceptohet qeveria aktuale. Partitë opozitare kanë ndërtuar narrativën se qeveria Mitsotakis është qeveria më e korruptuar që prej rivendosjes së demokracisë (periudha pas juntës konsiderohet ajo nga viti 1974 deri më sot, pas rënies së juntës).
Kësaj narrative i janë bashkuar edhe ish-anëtarë të ND-së, ku i pari dhe më i spikaturi është ish-presidenti i ND-së dhe ish-kryeministri i Greqisë (2012–2015), Antonis Samaras. Ai ka e ka kritikuar publikisht qeverinë Mitsotakis për një sërë çështjesh, ndër të cilat më të rëndësishmet janë marrëdhëniet greko-turke, korrupsioni dhe fenomeni tashmë global i njohur si “agjenda woke”.
Samaras kundërshtoi publikisht veprime të qeverisë, siç ishte projektligji për martesat mes personave të të njëjtit seks, të cilin ai e votoi kundër. Sa i përket korrupsionit, ai ka qenë në disa raste kritik ndaj situatës aktuale në Greqi, duke iu referuar faktit se, në thelb, qeveria po mbyll sytë përballë karteleve të interesave të mëdha të biznesit në vend.
Megjithatë, pika më e rëndësishme e përplasjes janë marrëdhëniet greko-turke. Ai e ka bërë të qartë se e konsideron qeverinë dhe përfaqësuesit e saj, si vetë Mitsotakis dhe ministrin e Jashtëm George Gerapetritis, si të nënshtruar ndaj kërkesave të Erdoganit.
Për shkak të kësaj çështjeje, Demokracia e Re dhe Mitsotakis e përjashtuan atë nga partia dhe ai tashmë është deputet i pavarur.
Megjithatë, kundërpërgjigjja e Samaras vazhdon edhe sot përmes një plani të organizuar dhe, ndonëse ai vetë nuk e ka pranuar kurrë, ai do të krijojë partinë e tij. Ky nuk është një veprim i panjohur për të. Në vitin 1992, Samaras ishte ministër i Jashtëm në qeverinë e atëhershme të ND-së të Konstantinos Mitsotakis, babait të kryeministrit aktual. Ministria e Jashtme nën drejtimin e Samaras ndoqi një linjë më të ashpër nga ajo që dëshironte qeveria për dy çështje të rëndësishme: marrëdhëniet greko-turke dhe të ashtuquajturën çështje maqedonase, e cila lidhej me emrin e ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë, sot Maqedonia e Veriut.
Ky qëndrim çoi në shkarkimin e tij si ministër dhe më pas në largimin e tij nga partia. Në vitin 1993, ai krijoi Politiki Anixi (Pranvera Politike), një parti qartësisht e ndërtuar rreth figurës së tij dhe, ndoshta, dallimi i saj real nga ND-ja e asaj kohe përqendrohej vetëm në një çështje: problemin maqedonas.
Kushtetuta greke parashikon se, për të formuar një qeveri, ajo duhet të ketë votëbesimin e deklaruar të shumicës së parlamentit, pra 151 nga 300 deputetë. Në zgjedhjet e vitit 1990, qeveria fitoi 150 vende dhe, për rrjedhojë, nuk kishte shumicën.
Në atë moment u arrit një marrëveshje mes ND-së dhe partisë DI.ANA, sipas së cilës një nga deputetët e saj do të votonte në favor të qeverisë në mënyrë që ajo të mund të formohej, dhe kështu ndodhi. Kur Samaras krijoi partinë e tij të re, ai nxiti deputetë të tjerë pranë tij të largoheshin dhe të bëheshin të pavarur, duke e ndjekur atë. Mjaftonte vetëm një deputet dhe ND humbi shumicën, çka çoi në shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme në tetor 1993.
Në këto zgjedhje, PASOK-u i drejtuar nga Andreas Papandreou doli partia më e madhe dhe siguroi shumicën, ND doli e dyta, ndërsa partia e re e Samaras, me 10 vende, doli e treta. Kjo ngjarje është ngulitur në kujtesën e mbështetësve më të vijës së fortë të Demokracisë së Re, pasi ata besonin se Samaras kishte rrëzuar qeverinë që dikur kishte mbrojtur.
Vetë Konstantinos Mitsotakis pranoi në një intervistë se nuk do ta falte kurrë Samaras për këtë veprim, duke e cilësuar në thelb si një tradhti. Përpara zgjedhjeve europiane të vitit 2004, Samaras dhe deputetët e tij u rikthyen në ND, ndërsa Pranvera Politike u konsiderua një kapitull i së kaluarës.
Megjithatë, Samaras u zgjodh president i ND-së në vitin 2009, duke krijuar përshtypjen se ato ngjarje ishin lënë pas dhe harruar. Në ato zgjedhje, Dora Bakoyannis, vajza e Konstantinos Mitsotakis dhe motra e kryeministrit aktual, doli e dyta. Samaras vazhdon të flasë edhe sot për fitoren ndaj Bakoyannis, duke thënë së fundmi se Dora ende nuk e ka marrë veten nga ajo humbje.
Samaras u zgjodh kryeministër në vitin 2012 pa arritur shumicën, pasi partia e tij fitoi 129 vende. Më pas u formua një qeveri koalicioni mes ND-së, PASOK-ut dhe DIMAR-it. Në atë kohë, tema kryesore e diskutimit ishte kriza ekonomike. Samaras ishte në favor të pranimit nga Greqia të memorandumeve të BE-së dhe politikave të kursimit.
Parlamenti, sipas Kushtetutës, zgjedh Presidentin e Republikës së Greqisë. Presidenti i Republikës zgjidhet nëse në votimin e parë merr dy të tretat e numrit të përgjithshëm të deputetëve, pra 200 vota. Nëse nuk arrihet rezultat, votimi përsëritet pas pesë ditësh dhe përsëri kërkohet një shumicë prej 200 deputetësh. Nëse sërish asnjë kandidat nuk arrin shumicën e nevojshme, zhvillohet një votim i tretë, përsëri pas pesë ditësh, por këtë herë nevojiten tre të pestat e numrit të përgjithshëm të deputetëve, pra 180 vota.
Nëse askush nuk zgjidhet, parlamenti shpërndahet dhe shpallen zgjedhje parlamentare. Kjo ndodhi dhe qeveria Samaras ra pasi kandidati i saj nuk arriti të siguronte 180 vota. Në vitin 2015 u mbajtën zgjedhje parlamentare, ku Samaras doli i dyti, ndërsa SYRIZA, Koalicioni i së Majtës Radikale, u rendit si forca më e madhe politike.
Arsyeja pse Tsipras dhe SYRIZA u zgjodhën lidhej qartësisht me qëndrimin e tyre ndaj krizës ekonomike dhe, si parti, ata kundërshtonin plotësisht çdo masë kursimi të imponuar nga BE-ja. Tsipras thirri një referendum në mënyrë që qytetarët të vendosnin nëse e donin memorandumin apo jo. Fitoi “Jo”-ja dhe Samaras, i cili ishte një mbështetës i fortë i “Po”-së, dha dorëheqjen si president i ND-së.
Në zgjedhjet për drejtimin e ND-së, kampi i Samaras mbështeti Kyriakos Mitsotakis, kryeministrin aktual. Samaras nuk mbështeti kurrë publikisht askënd, por raportimet e kohës thoshin se ai ndikoi te njerëzit që të votonin për Mitsotakis. Kështu, kryeministri dhe presidenti aktual i ND-së u zgjodh me mbështetjen e atij që sot është një nga kundërshtarët e tij më të mëdhenj politikë dhe që dikur kishte qenë kundërshtari më i madh politik i babait të tij.
Sot, Samaras, si deputet i pavarur, është gati të krijojë sërish një parti të re për të sfiduar Mitsotakis. Siç duket, Samaras, duke e njohur mirë politikën në Greqi, qartësisht nuk beson se vetë ai do të zgjidhet për të formuar qeverinë.
I gjithë plani bazohet në teorinë e sigurimit të një përqindjeje të votave dhe të tërheqjes së një pjese të vogël të votuesve të ND-së që janë më pranë qëndrimeve të tij, thjesht për t’i hequr Mitsotakis mundësinë për të siguruar shumicën. Kjo do ta detyronte atë të rishikonte pozicionin e tij dhe, ndoshta, t’i bënte thirrje Samaras të rikthehej në parti, me kusht që të ndiqeshin politika që kënaqin pikëpamjet e krahut konservator të Demokracisë së Re.
Shpërndaje te miqtë



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.