Egnatia-Lillestrom: Dede: Nuk jemi për shëtitje, në fushën tonë nuk fiton askush
Trajneri i Egnatias, Nevil Dede ka folur për mediat në prag të ndeshjes ndaj Lillestrom, e vlefshme për fazën e Play Off-it të Europa League, sfidë që do të transmetohet drejpërdrejt dhe ekskluzivisht në RTSH 1 nesër në orën 19:00.
Tekniku i kampionëve të Shqipërisë deklaroi se skuadra e tij nuk ka ardhur deri në këtë fazë për shëtitje, edhe pse objektivi primar, faza e grupit në Conference League, është arritur. Dede i kujtoi kundërshtarit se në Rrogozhinë nuk ka fituar askush.
“Objektiva gjithmonë njeriu ka. Ne atë që kishim deklaruar, pra klubi, presidenti dhe unë bashkë me djemtë, ishim të bindur që në grupet e Conference League duhet të shkonim patjetër, sepse e meritonin djemtë. Tani na ka dalë përpara një objektiv akoma më i madh, siç është Europa League.
Është një event i madh për të gjithë futbollin shqiptar, jo vetëm për çunat tonë, por gjithë komunitetin e futbollit. Ne e dimë çfarë mund të bëjmë, çfarë lojtarësh kemi dhe që ta kemi përsëri objektiv këtë tur të Europa League. E dimë që mund të bëjmë akoma më mirë. Djemtë kanë kapacitete, po e shohin realisht forcën e tyre. Besoj që këto janë armët tona më të forta, kapiteni dhe eksperienca e qetësia në këtë grup.
Lillestrom? Kemi ardhur deri këtu me meritë, ndoshta meritonim diçka më shumë. Ne nuk marrim pjesë në Champions sepse kemi humbur në penallti. Ne nuk kemi humbur ndeshje, jemi eliminuar pa humbje. Nuk jemi spektatorë. Nuk kemi ardhur në play-off të Europa League për shëtitje. Unë mendoj se e meritojmë”, tha mes të tjerash Dede.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.