Projekti i Sazanit dhe narrativa për Izraelin,– Rama: U nxit nga një ushtri profilesh jo reale
Kryeministri Edi Rama, në episodin e radhës të podkastit “Flasim shqip”, ka folur për protestat, momentin kur ka menduar dorëheqjen, si dhe për ndikimin e teknologjisë dhe profileve jo reale në nxitjen e narrativave në rrjetet sociale.
Duke u ndalur te reagimet e qytetarëve, Rama tha se pakënaqësitë e tyre e kanë shtyrë të analizojë ndryshimet që kanë ndodhur në shoqërinë shqiptare dhe rritjen e pritshmërive ndaj qeverisjes.
“Në fakt, m’u bë gjithmonë e më interesante ajo pasqyrë për të kuptuar çfarë është. Besoj se aty fillon një provë e vërtetë për një lider, drejtues, mes asaj të cilës nuk i shpëton kush… dhe kurajë për të pranuar që, ore, edhe mund të ketë të drejtë ai që të sfidon.” – tha Rama.
Sipas Ramës, kjo nuk duhet parë domosdoshmërisht si mosmirënjohje, por si pasojë e ndryshimit të pritshmërive të qytetarëve.
“Sa më shumë vendi ecën, aq më shumë qytetari është i prirur të thotë ‘po kjo tjetra?’. Deri dje ishte një kohë në Shqipëri kur votat fitoheshin me çakull. Hidhnin çakull në një lagje dhe njerëzit hidhnin votën, ata e shprehnin mirënjohjen me votë. Kam përjetuar gjatë kohën që një rrugë, shkollë e ndërtuar, sistem ndriçimi, shoqërohej me duartrokitje e buzëqeshje të mëdha. S’është më”, u shpreh kryeministri.
Rama, duke e cilësuar këtë fazë si “revolucioni i pritshmërive të larta”.
Ai argumentoi se përmirësimi i një shërbimi sjell automatikisht kërkesa të reja,
“Një qytet që jeton me dy orë ujë në ditë, kur fillon merr 14 orë ujë në ditë, do 24 orë. Është një ndryshim i stinës së Shqipërisë.”
Në një tjetër pjesë të intervistës, Rama foli për ndikimin e teknologjisë dhe llogarive jo reale në krijimin e narrativave në rrjetet sociale, duke iu referuar edhe debatit për projektin e investimit në Sazan.
“Ata nuk ishin, ata nuk ekzistojnë. Ata janë të krijuar në laborator dhe i japin zë narrativave të ndryshme.” – tha ai, duke i cilësuar këto si një “ushtri” profilesh artificiale që amplifikojnë narrativat e caktuara.
Duke folur për narrativat që lidhnin investimin me Izraelin, Rama tha se “Ishte narrativë e nxitur nga kjo ushtri ushtarësh jo realë, të rritur në laboratorët e teknologjisë, sepse rriten, marrin pamje, jetë formë dhe nuk i njeh a janë real apo jo.”
Ai shtoi se kjo përvojë ka nxitur forcimin e mbrojtjes kibernetike të Shqipërisë pas sulmit nga Irani.
“Ne kemi sot një teknologji të mbrojtjes kibernetike që është top of the top… dhe kemi kapacitete identifikuese për ndërhyrjet e huaja.”
Kryeministri Edi Rama ka folur për marrëdhënien e qeverisë me qytetarët dhe nismën “Besa”, gjatë një interviste në podkastin “Flasim Shqip”.
Rama tha se pavarësisht se qeveria ka bërë shumë gjëra gjatë periudhës së fundit, ka dëgjuar më pak qytetarët dhe nuk ka komunikuar sa duhet me ta. Sipas tij, “Besa” synon ta çojë këtë marrëdhënie në një stad të ri, përmes një sistemi që do të krijojë gjurmueshmëri, përgjegjësi dhe llogaridhënie konkrete.
“Nuk është problem komunikimi. Jemi një qeveri që në periudhën e fundit kemi bërë shumë gjëra, por kemi dëgjuar pak, s’kemi komunikuar shumë. ‘Besa’ është një përpjekje që kjo marrëdhënie të hyjë në një stad të ri. Është i gjithi një sistem që do kërkojë kohën e vet, por do ngrihet hap pas hapi, duke krijuar gjurmueshmëri do krijojë përgjegjësi. Përgjegjësi të identifikueshme dhe llogaridhënie konkrete”, tha Rama.
Kryeministri shpjegoi edhe mënyrën se si synohet të funksionojë sistemi, duke përfshirë përdorimin e inteligjencës artificiale për ndjekjen e kërkesave dhe ankesave të qytetarëve.
“Nëse ke bërë këtë kërkesë dhe ankesë dhe s’ke marrë përgjigje, në atë ekranin e madh të problemeve inteligjenca artificiale do bëjë që institucioni përgjegjës për mos përgjigjen të lajmërohet dhe ai që është përgjegjës drejtpërdrejt në zyrë të japë llogari”, u shpreh ai.
Rama tha gjithashtu se “Pasqyrën” synon ta shndërrojë në ligj, duke e lidhur atë me sistemin e bashkëqeverisjes.
“‘Pasqyrën’ ne do ta bëjmë ligj. Kemi një ligj për bashkëqeverisjen, bashkëqeverisja ka funksionuar për pjesën që kishte, por tani kemi kapacitetin e AI-së mund ta ngremë në një nivel komplet tjetër”, deklaroi kryeministri.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.