Propagandistani, newborn-i i Ballkanit
Në brigjet e Adriatikut dhe Jonit, i kufizuar nga deti me Perëndimin dhe nga toka me fqinjët ballkanikë gjendet një vend i lashtë, emri i ri i së cilit është: Propagandistan.
Pas një konsultimi popullor qeveria e këtij vendi së fundmi zëvëndësoi shqiponjën në flamurin kombëtar me shenjën e dy likeve të facebookut. Këtu arti i qeverisjes nuk shprehet përmes politikave dhe reformave, por përmes një kurimi të kujdesshëm të rrjeteve sociale.
Në Propagandistan ministrat nuk gjykohen nga veprimet e tyre në botën e reale, por nga viraliteti i postimeve që bëjnë, nga numri i pëlqimeve dhe kakofonia e komenteve nën selfie-t e tyre të kururar me filtra të panumërt.
Në Propagandistan, Kryeministri është më shumë i apasionuar duke parë grafikët e rritjes apo rënies së numrit të lajkeve sesa nga treguesit (makro) ekonomikë. Ai i ngjan shumë një burrështetasi që thoshte se “unë besoj vetëm statistikat që fallsifikoj me dorën time” dhe rri gjatë duke i ngjyrosur.
Jo rrallë i pari i qeverisë qorton ministrat jo për dështimet e tyre në politikë, por për inaktivitetin e tyre në mediat sociale. Është një amanet që ministrat duket akoma nuk i kanë përthithur siç duhet: “Gënjeshtra më e madhe po u përsërit disa herë merr statusin e të vërtetës”
“Një orë pa postuar është një orë e humbur,” është motoja që ka shpallur lideri, ndërsa ministrat dhe drejtorët angazhojnë në linjë vertikale gjithë administratën për të bërë like dhe komente. Pas tyre vjen turma digjitale e frymëzuar nga filozofi kongolez Zhak Nteka Bokolo që thotë se “propaganda është një bimë që lëshon rrënjë e harliset në kokat e atyre që nuk mendojnë”
Ky vend i vogël (as dy milionë banorë), prodhon like dhe komente sa 27 vendet e BE-së të marra së bashku. Është vend aq egoisit sa i konsumon të gjitha për vete.
Në Propagandistan politikanët nuk votohen për të ndryshuar realitetin, por për të zbukuruar realitetin virtual.
Rrugët e Propagandistanit janë të shtruara jo me asfalt, por me këngë dhe valle. Rrugët nuk mbarohen, por inspektohen. Kantieret punojnë ditë e natë, por asnjë herë nuk mbarojnë pune. (Në Propagandistan, kur arrestohet drejtori i rrugëve, lajm është dorëheqja e tij)
Në Propagandistan varfëria, pabarazia dhe korrupsioni konsiderohen si bezdisje PR, dhe zgjidhja (psh e korrupsionit) nuk kërkohet me ndryshimin e sistemit, por me një postim të bukur me një citat frymëzues në një sfond piktoresk. Në Propagandistan çdo ditë bëhen reforma, por nuk ka kohë për të bërë ndonjë punë.
Banorët e Propagandistanit shëtisin, me smartphone në dorë, në kërkim të sinjaleve të shpresës dhe ndryshimit. Ata duken të hutuar sepse herë pas here kujtohen për një vend mitik të quajtur “Realiteti”, një vend ku veprimet ushtojnë më shumë se postimet, ku ndryshimi matet në mirëqenien e njerëzve dhe jo me pëlqimet e grumbulluara.
Megjithatë në Propagandistan, aty ku rilindasit e tij të moçëm thonin se “dielli lind andej nga perëndon” rilindasit e rinj të shekullit 21 përballen me një pyetje ekzistenciale që qëndron nën tokë si hidrogjeni në Bulqizë e si nafta në Shpirag: po sikur të mos punojë wi-fi? Po sikur të mos ketë një ditë internet?
Kjo pyetje për momentin zbehet në eterin dixhital, duke lënë shqipon në kllap(i)mes botës që e rrethon dhe botës që sheh përmes postimeve.
Mirë se të vini në Propagandistan.
Shijoni çdo orë të qëndrimit tuaj. Por mos harroni, në këtë vend, realiteti është një aplikacion që punon në bekgraund, dhe monedha e vërtetë nuk është leku, por lajku.
P.S.1.Chomsky: Propaganda në demokraci është motra e dhunës në diktaturë
P.S. 2. Balzak: “Ju mund ta pikturoni në mënyrë të përsosur një lule, por edhe piktori më i mirë nuk e pikturon dot aromën e saj”