Opinion

Prostestë e drejtë e dukagjinasve në Shkodër

Pse u detyruan dukagjinasit të dalin në protestë në Shkodër në kushtet e një moti të ftohtë dhe me lagështi?

 Ata kërkojnë vendosjen e bustit të Lekë Dukagjinit në këtë qytet, ndërtimin e rrugës prej 51 km, regjistrimin e pronave të tyre të trashëguara në shekuj dhe ndalimin e dhënies së trojeve të tyre për investitorët strategjikë.
  1. Kishin kërkuar të takonin kryetarin e Bashkisë, zotin  Benet Beci, po, nga që kishte një program të ngjeshur, (?!) nuk mundi t’i takonte. Ia kaloi radhën nënkryetarit të Bashkisë. Gjithashtu ,përmes një letre, i njoftonte se kishin për të marrë një vendim së shpejti.
          Në dukje e thjeshtë, kjo protestë flet shumë më tepër nga ç’kërkojnë dukagjinasit. Ajo tregon se sa larg halleve të popullit kanë qëndruar dhe qëndrojnë partitë tona në pushtet. Kjo si për Partinë Demokratike, ashtu edhe për atë Socialiste. Se nuk janë pak vite në demokraci që të mos zgjidheshin këto kërkesa minimale të këtyre njerëzve punëtorë dhe patriotë. Po le t’i prekim pakëz shkaras kërkesat e tyre.
          Busti i Lekë Dukagjinit është bërë ka dy vjet  jo vetëm me financimin e banorëve të zonës, po edhe me  kontributin e qytetarëve nga Vlora, Shkodra e deri Kosova. Trokitën dukagjinasit te Bardh Spahia i PD-së, morën premtime, po, siç duket, nuk e panë të arsyeshme, ta mbanin fjalën. Do të kenë menduar se mos Lekë Dukagjini ka qenë ndonjë komunist i zjarrtë?! Kanë biseduar me zotin  Benet Beci, madje kanë pasur mundësi t’ia parashtrojnë kërkesën edhe zotit Rama, po mosveprimi i politikanëve premtues deri tani ka bërë të vetën. As edhe një përgjigje, thua se  Lek Dukagjini ka qenë ndonjë pararendës i Berishës?! O Zot, ku jemi?! Dukagjinasit nuk po kërkojnë as fonde, as punësim, po vetëm dy metra vend për bustin e bashkëluftëtarit të Skendërbeut dhe formuluesin apo sistemuesin e Kanunit , që njihet kryesisht me emrin e tij. Janë 12 libra, 24 krerë dhe 1263 paragrafë për të drejtën private dhe familjare, për të drejtën penale dhe civile aq të qenësishme për funksionimin normal të një shoqërie. Ky kanun është vepër unike në llojin e vet që ka shërbyer për shekuj. Në disa raste deri në ditët tona, kur drejtësia hesht ose bën padrejtësi. Për vlerën e Kanunit të Lek Dukagjinit flet fakti se libri është përkthyer në anglisht, gjermanisht, spanjisht, rusisht dhe serbisht.
           Vendosjen e kësaj figure kaq të shquar memurët e partive e kanë zvarritur  deri sa popullit i erdhi në majë të hundës. Dolën në protestë para Bashkisë së Shkodrës që socialistët të gjejnë dy minuta kohë për të vendosur se ku do të vihet busti i një njeriu që i bën nder jo vetëm Shkodrës, po tërë Shqipërisë dhe Kosovës. Do të thosha se një monument për Lek Dukagjinin do të shtonte atraksionet patriotike e turistike edhe të Tiranës së transformuar.
            Në pakënaqësinë e tyre dukagjinasit kanë edhe problemin e rrugës. Janë 51 kilometra rrugë malore në gjendje shumë të keqe. Janë 51 viktima që janë bërë kurban i pakujdesisë së qeverive tona për atë rrugë. Plani për rindërtimin e saj ka kohë që është bërë.
 Ndoshta fletët janë mykur në sirtare.  Me të drejtë dukagjinasit po i kërkojnë zotit Benet Beci që rrugën të mos vazhdojnë ta lënë në harresë. E dinë mirë që Shqipëria është bërë një kantier i madh rrugësh, po ama ka ardhur koha të mendohet edhe për Dukagjinin.
             Nga dita kur ra komunizmi dhe erdhi demokracia kanë kaluar tri dekada. Akoma nga qeveritë PD dhe PS nuk është bërë riregjistrimi i pronave që dukagjinasit i kanë të trashëguara në shekuj. Them riregjistrimi, sepse secila familje i di ku i ka sinoret, plus që duhet të jenë të hipotekuara në kadastrën e Shkodrës. Për të mbrojtur ato troje ata kanë luftuar heroikisht kundër pushtuesve të huaj. Edhe zotit Rama që po bën për të tretën herë detyrën e kryeministrit nuk i falet kjo zvarritje. Është thjesht nënvlerësim apo diçka e keqe fshihet për këtë çështje jetike të dukagjinasve ?!Ata janë të frikësuar nga përkrahja që u jep Rama investitorëve strategjikë. Mendojnë se me pretekstin për të zhvilluar turizmin, tokat e dukagjinasve, deri sa nuk janë riregjistruar si pronë e tyre, do të bëhen troje ndërtimi për shokët dhe miqtë e Edi Ramës që janë bërë milionerë. Edhe këtë shqetësim ata e shpalosën në protestën para Bashkisë. E dinë mirë se plotësimi i kësaj kërkese nuk varet shumë nga zoti Benet ,po dukagjinasit atij i kanë dhënë votën. Ai drejton Shkodrën. Bashkia e Shkodrës nuk ka pse të bëhet urë e vig për Ramën, po qe se ai ka për të synuar të nëpërkëmbe të drejtat legjitime  të pronësisë së shkodranëve. Regjistrojini pronësinë sa më parë, zoti Benet Beci , dukagjinasve trima dhe krenarë! E shikojmë që Shkodra e lënë si pasdore nga PD-ja, po ndryshon shumë dita ditës. E shikojmë që trotuaret janë hapur, që Stadiumi ”Loro Boriçi” iu rinovua, që pallatet po rikonstruktohen, që hyrja e Shkodrës ka për t’u ndryshuar, që rruga e re për në Velipojë po vazhdon, që ura e madhe për t’u lidhur me Ulqinin po projektohet. Doemos këto njerëzit i vlerësojnë, megjithatë mbetet edhe shumë për t’u bërë. Projektet e mëdha nuk kanë pse të mënjanojnë detyrimet që ka Bashkia edhe për gjërat më të vogla si investim, po tepër jetike për banorët. Të të regjistrohet toka ku në shekuj ke jetuar dhe është prona tënde, nuk do investim të madh. Kërkon vetëm dashamirësi. Sa më pranë kërkesave të drejta të popullit, aq më mirë për qeverinë, bashkinë dhe partinë në pushtet. Kur gjërat zvarritet atëhere lind revolta, dalin njerëzit në demostrata ,sepse e kanë ndjerë deri në palcë që po u shkelen të drejtat. Në qoftë se ju me të vërtetë doni të jeni pranë njerëzve, atëhere dëgjojeni zërin e tyre. Gjithmonë kur kanë të drejtë. Dukagjinasit kishin për ta pranuar, p.sh. që për rrugën t’u thuhet me përafërsisht edhe koha kur mund të fillojë rregullimi i saj. Të lënë pa as edhe një përgjigje, me të drejtë ata e ndjejnë veten të fyer dhe të papërfillur. Mos harroni si ju dhe zoti Rama që shumë shpejt keni për të kërkuar votën e tyre.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button