Protesta, hija e vetvetes?
Nga Fatos Çoçoli
Protesta qytetare paqësore ka hyrë në ditën e 61-të dhe, pas më shumë se dy muajsh mobilizim, pyetja nuk është më nëse ajo ka arritur të tërheqë vëmendje publike. Pyetja shumë më e rëndësishme është nëse ka ende forcën, energjinë dhe kapacitetin politik, për të prodhuar rezultatin për të cilin u nis.
Dita e 61-të e gjen protestën përballë një realiteti të vështirë: ajo rrezikon të jetë shndërruar nga një protestë që synonte të ndryshonte situatën politike në një protestë që proteston për të vazhduar ekzistencën e saj.
Ky është momenti kur një lëvizje qytetare përballet me provën më të vështirë: jo fillimin, por vijimësinë.
Çdo protestë e gjatë përballet me një problem të natyrshëm: konsumimin. Në ditët e para, energjia krijohet nga zemërimi, surpriza, solidariteti dhe pritshmëria për ndryshim. Me kalimin e javëve, këto elemente fillojnë të dobësohen.
Në ditën e 61-të, protesta nuk mund të mbështetet më vetëm tek entuziazmi fillestar. Ajo duhet të ketë një organizim të qëndrueshëm, një platformë të qartë, objektiva të matshme dhe një strategji politike. Mirëpo partitë dhe lëvizjet e reja politike që e mbajnë ende gjallë protestën, kanë interesa ta vijojnë protestën kështu anonime, edhe pse është mëse e qartë se objektivi qëndror i saj, dorëheqja e qeverisë dhe e kryeministrit nuk arrihet dot, sado masive të provojë të jetë sërisht kjo protestë.
Duke munguar platforma e qartë, objektivat e matshëm dhe strategjia politike, mobilizimi në protestë gradualisht po shndërrohet në rutinë. Dhe rutina është armiku më i madh i çdo proteste të gjatë.
Një slogan “Rama jepe dorëheqjen!” mund të mobilizojë njerëzit, por nuk mund të zëvendësojë një platformë politike.
Kërkesa për dorëheqjen e kryeministrit është një objektiv politik i qartë në formë, por jo domosdoshmërisht një strategji për ditën pas dorëheqjes.
Në ditën e 61-të të protestës, qytetarët kanë të drejtë të pyesin: “Nëse qeveria bie, çfarë ndodh më pas?”. Kush e merr përgjegjësinë? Cili është mekanizmi institucional? Cila është platforma ekonomike? Si garantohet vazhdimësia e shtetit? Si organizohen zgjedhjet? Cilat janë reformat prioritare?
Pa përgjigje të besueshme ndaj këtyre pyetjeve, protesta rrezikon të mbetet vetëm një revoltë, dhe jo një projekt për ndryshimin e sistemit.
Protesta po përballet me hijen e vetvetes
Në ditën e 61-të, mund të thuhet se protesta po përballet me hijen e saj. Ajo është ende aty, por nuk është më protesta e ditëve të para. Ka ende zëra, por më pak efekt.
Ka ende thirrje, por më pak surprizë. Ka ende militantizëm, por më pak mobilizim spontan. Ka ende kundërshtim, por ende nuk ka një alternativë të qartë politike që të jetë bërë bindëse për shumicën e qytetarëve. Kjo është arsyeja pse një protestë e gjatë mund të ekzistojë fizikisht, por të dobësohet politikisht. Dhe kjo protestë, për fat të keq, është dobësuar shumë politikisht.
61 ditë nuk janë pak. Një protestë që zgjat 61 ditë nuk mund të konsiderohet një episod i zakonshëm politik.Vetë kohëzgjatja dëshmon se ekziston një pakënaqësi reale në një pjesë të shoqërisë.
Por kohëzgjatja nuk është e barabartë me suksesin. Një protestë matet në fund me atë që ndryshon. A ka ndryshuar raporti politik i forcave? A ka lindur një alternativë e re?
Nëse përgjigjja e këtyre pyetjeve është negative, atëherë 61 ditët janë më shumë një dëshmi e qëndrueshmërisë së protestuesve, sesa e efektivitetit të protestës.
Problemi i pjesëmarrjes
Një tjetër tregues i rëndësishëm është pjesëmarrja. Një protestë mund të vazhdojë për një kohë të gjatë, edhe kur numri i pjesëmarrësve bie. Por një protestë e përditshme me pjesëmarrje gjithnjë e më të kufizuar rrezikon të shndërrohet në një aktivitet të një bërthame të qëndrueshme aktivistësh.
Ky është ndryshimi midis një lëvizjeje masive qytetare dhe një bërthame proteste. Sot protesta është hija e vetvetes, sepse është shndërruar në bërthamë proteste.
Dhe nëse protesta nuk arrin të zgjerohet, por mbështetet gjithnjë e më shumë te të njëjtët njerëz, ajo nis të konsumojë energjinë e vet.
Një moment tjetër i rëndësishëm është krijimi i strukturave të brendshme të protestës. Kur një lëvizje zgjat kaq shumë, organizimi bëhet i domosdoshëm. Mirëpo organizimi sjell edhe një rrezik të madh: institucionalizimin e protestës.
U provua më 18 korrik me Kuvendin Kombëtar të protestës, por kjo strukturë nuk ngjiti. Nëse struktura e ardhshme e saj bëhet më e rëndësishme se qëllimi, protesta mund të humbasë karakterin spontan qytetar dhe të shndërrohet në një organizatë që ekziston për të ruajtur vetveten. Kjo është një nga arsyet pse këto ditë, në kulmin e vapës dhe të pushimeve, pas dy muajve shumë të vështirë aktiviteti të ethshëm, përfaqësojnë një pikë kritike për protestën. Ata që e mbajnë gjallë duhet të vendosin nëse dëshirojnë të mbetet një protestë, apo të shndërrohet në një projekt politik.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.