Kriza e emigracionit në Ceuta të Spanjës, reagon Donald Trump
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, përdori të premten kalimet masive të emigrantëve në enklavën spanjolle të Afrikës së Veriut, Ceuta, për të paralajmëruar amerikanët se një situatë e ngjashme mund të ndodhë edhe në Shtetet e Bashkuara nëse demokratët rikthehen në pushtet. Ndërkohë, Bashkimi Evropian theksoi se kriza nuk është përhapur në Evropën kontinentale.
“Është e tmerrshme. Mbajeni mend atë pamje. Kështu do të jemi ne pas tre vitesh nëse pala e gabuar fiton”, deklaroi Trump në një intervistë për Fox Neës. “Nëse demokratët vijnë në pushtet, nuk do të jetoni një jetë shumë të mirë.”
Trump, i cili e ka bërë politikën e emigracionit një nga shtyllat kryesore të presidencës së tij, e përdori situatën në Ceuta për të forcuar thirrjet për kontrolle më të rrepta kufitare.
Edhe Shtëpia e Bardhë reagoi, duke fajësuar “politikat globaliste të ekstremit të majtë” për situatën në Ceuta, ku të paktën 43 persona kanë humbur jetën, shumë prej tyre gjatë përpjekjes për të notuar nga Maroku drejt enklavës spanjolle.
Kryeministri spanjoll, Pedro Sánchez, vizitoi të premten Ceutën dhe fajësoi rrjetet e kontrabandës së njerëzve për valën e kalimeve të paligjshme. Ai tha se veprimet e tyre “meritojnë qortimin dhe dënimin tonë në termat më të fortë të mundshëm”.
Sipas Ministrisë së Brendshme të Spanjës, rreth 37,500 persona që kanë hyrë në mënyrë të parregullt në Ceuta që nga e enjtja janë kthyer tashmë në Marok.
Nga ana tjetër, Bashkimi Evropian bëri të ditur se nuk janë regjistruar lëvizje të emigrantëve nga Ceuta drejt Gadishullit Iberik apo pjesës tjetër të Evropës.
“Nuk ka lëvizje migratore drejt kontinentit evropian”, deklaroi të premten një zyrtar i lartë i BE-së.
Tensione të reja mes Uashingtonit dhe Madridit
Zhvillimet e fundit rrezikojnë të hapin një tjetër front përplasjesh mes Uashingtonit dhe Madridit, vetëm pak javë pasi Trump dhe Sánchez u dukën se po zbusnin marrëdhëniet gjatë finales së Kupës së Botës FIFA në Neë Jersey, më 19 korrik.
Një nga mosmarrëveshjet kryesore mbetet financimi i mbrojtjes. Spanja vazhdon të kundërshtojë objektivin e NATO-s për të shpenzuar 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) për mbrojtjen, të cilin Sánchez e ka cilësuar si “të paarsyeshëm dhe kundërproduktiv”.
Trump ka kërkuar vazhdimisht që aleatët evropianë të rrisin shpenzimet ushtarake, duke paralajmëruar se SHBA mund të rishqyrtojë angazhimin e saj në NATO nëse kjo nuk ndodh.
Musk i bashkohet debatit
Edhe Elon Musk reagoi për ngjarjet në Ceuta me një seri postimesh në platformën X.
Në një prej tyre, ai krahasoi pamjet e emigrantëve që ngjiteshin në enklavë me një skenë nga filmi me zombi Ëorld Ëar Z, duke shkruar: “Uau, situata në Spanjë duket e çmendur!”
Disa orë më vonë, Musk e quajti postimin “një shaka”. Më pas ai publikoi një tjetër video që tregonte mbërritjen e emigrantëve në Ceuta, të shoqëruar me pamje nga kufiri SHBA-Meksikë gjatë presidencës së Joe Biden, duke shkruar: “Këto ishin Shtetet e Bashkuara nën Bidenin.”



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.