Protesta pa alternativë nuk është zgjidhje
Nga Vilant Xhori
“Ky është Ballkani — racionaliteti nuk është një busull e besueshme.” Kështu shkruante gazetari dhe shkrimtari amerikan fitues i Çmimit Pulitzer, Toni Horwitz, duke përshkruar një rajon ku emocionet dhe zemërimi shpesh mbizotërojnë mbi analizën e ftohtë të realitetit.
Kjo thënie duket më aktuale se kurrë teksa Tirana po përjeton prej tre javësh protesta masive kundër qeverisë. Ajo që bie në sy nuk është vetëm pakënaqësia, por mënyra se si po artikulohet ajo. Sa më shumë rritet zemërimi ndaj qeverisë, aq më shumë realiteti lexohet në terma bardh e zi. Në njërën anë vendosen të gjitha problemet, ndërsa në anën tjetër pothuajse asnjë arritje. Në këtë klimë, çdo kritikë ndaj protestës interpretohet si mbështetje për qeverinë, ndërsa çdo vlerësim i një zhvillimi pozitiv shihet si justifikim i dështimeve.
Kjo nuk do të thotë se qeveria nuk duhet kritikuar për korrupsionin, mangësitë e administratës apo ndjesinë e papërfaqësimit që kanë shumë qytetarë. Përkundrazi, këto janë kritika legjitime. Por zhvillimet e dymbëdhjetë viteve të fundit nuk mund të gjykohen vetëm përmes problemeve që mbeten pa zgjidhje.
Shqipëria ka ende sfida serioze, por nuk ka përjetuar kriza të mëdha destabilizuese të shkaktuara nga vendimmarrja politike, si ato që shënuan periudha të mëparshme të historisë së saj. Për më tepër, përballimi i pasojave të tërmetit të vitit 2019 tregoi aftësinë e shtetit për të mobilizuar mbështetje ndërkombëtare dhe për të shmangur një krizë sociale me pasoja të rënda.
Po aq të prekshme janë edhe zhvillimet në turizëm dhe në profilin ndërkombëtar të vendit. Nga Alpet deri në Rivierën Shqiptare, turizmi është kthyer në një motor të rëndësishëm ekonomik, ndërsa Shqipëria ka fituar një rol më të dukshëm në proceset rajonale dhe euroatlantike. Këto zhvillime nuk fshijnë problemet, por as nuk mund të injorohen.
Nga ana tjetër, qeveria mban përgjegjësi të qartë politike për zyrtarët e saj që sot përballen me drejtësinë. Pranimi i këtyre përgjegjësive është i domosdoshëm. Por po aq e gabuar do të ishte që dështimet të na çonin në mohimin e çdo zhvillimi pozitiv të kësaj periudhe.
Për të qenë të qartë, pakënaqësia që ushqen protestat është reale. Ajo buron nga probleme konkrete që prekin një pjesë të madhe të shoqërisë. Por pakënaqësia, sado e madhe të jetë, nuk mjafton për të ndërtuar një alternativë politike. Një lëvizje serioze duhet të tregojë jo vetëm se kë kundërshton, por edhe çfarë propozon.
Këtu qëndron edhe shqetësimi kryesor. Protestat po japin përshtypjen e një lëvizjeje që është kundër gjithçkaje, por ende jo në favor të diçkaje. Një traditë e vjetër ballkanike e politikës së zemërimit dhe refuzimit rrezikon të zëvendësojë politikën e alternativës dhe ndërtimit.
Demokracia nuk forcohet kur qytetarët zgjedhin mes adhurimit dhe urrejtjes. Ajo forcohet kur arrijnë të gjykojnë me maturi dhe të kërkojnë zgjidhje. Kjo është veçanërisht e rëndësishme në një rajon ku paqëndrueshmëria dhe polarizimi kanë prodhuar shpesh pasoja afatgjata. Në një kohë kur aktorë të jashtëm si Rusia apo Irani kanë interes të ushqejnë tensione dhe destabilizim në vende të ndryshme të rajonit, protestat e mbështetura vetëm mbi kundërshtimin dhe jo mbi një alternativë të qartë krijojnë terren më të favorshëm për ndikime të tilla.
Ndoshta sfida e Shqipërisë sot është pikërisht kjo: të provojë se, ndryshe nga paralajmërimi i Horwitz, racionaliteti mund të jetë ende busulla që e orienton vendin në kohë pakënaqësie, polarizimi dhe pasigurie.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.