Në kërkim ndërkombëtar nga Spanja për kultivim të narkotikëve dhe vjedhje energjie, në pranga 43-vjeçari në Gjirokastër
Një 43-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar është arrestuar këtë të martë në qytetin e Gjirokastrës me qëllim ekstradimin drejt Spanjës.
Sipas raportimeve të policisë, në pranga ka rënë K. B., 43 vjeç, i cili akuzohet në Spanjë për kultivim të bimëve narkotike dhe vjedhje të energjisë elektrike.
Ndërkohë, mësohet se 43-vjeçarit, Gjykata e Sabadellit, në muajin qershor 2025, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për të dyja veprat penale.
“Si rezultat i punës operacionale të Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Sektorin Operacional të DVP Gjirokastër, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative mbi vendndodhjen e një shtetasi të shpallur në kërkim ndërkombëtar, për llogari të Spanjës, u finalizua një tjetër fazë e operacionit “Fugitive”.
Gjatë kësaj faze, u kap në Gjirokastër dhe u arrestua me qëllim ekstradimin në Spanjë, shtetasi K. B., 43 vjeç.
Gjykata e Sabadellit, Spanjë, në muajin qershor 2025, i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për kultivim të bimëve narkotike dhe vjedhje të energjisë elektrike.
Interpol Tirana vijon bashkëpunimin me homologët e Interpol Madridit, për të finalizuar procedurën e ekstradimit të këtij shtetasi, në Spanjë”, thuhet në njoftimin e policisë.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.