Politika

“PS është këtu për të bërë shtetin”/ Rama: Mandati i tretë do përfshijë qytetarët në vendimmarrjet më të rëndësishme

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në Kongresin e Partisë Socialiste se “shteti nuk është i Partisë Socialiste, por PS është këtu për të bërë shtetin”.

Në fjalën e tij, Rama u ndal në disa çështje madhore të mandatit të tretë. Kryeministri tha se, “ne sot dhe në vijim na përket vetëm detyrimi i jashtëzakonshëm ndaj vendit, ndaj njerëzve të zakonshëm, fëmijëve të këtij vendi që me ushtrimin e mandatit të tretë të  sigurojmë një kapërcim historik”.

“Si e tillë, kjo fitore historike ka sjellë për ne një përgjegjësi historike, realizmin e një volumi të atillë reformash dhe punësh konkrete, që Shqipëria të ngjitet në majën ku e meritojnë shqiptarët: një vend me standardet e BE-së, ku liria dhe drejtësia të rrezatojnë përkatësinë europiane në realitetin e përditshëm të marrëdhënieve të institucioneve me qytetarët dhe të qytetarëve me shtetin”, tha Rama.

Rama tha se misioni ynë është Shqipëria kampion në rajon në inovacion, në energji, turizëm, bujqësi dhe shërbime publike me dinjitet ndërkombëtar ku Shqipëria është gjithnjë e para, por ku marrëdhëniet me aleatët dhe partnerët strategjikë janë të forta dhe të dobishme reciprokisht.

Kjo, tha ai, është “Shqipëria 2030″ dhe ky është misioni ynë që mandatin e tretë ta çojmë para me një vetëdije të re në marrëdhëniet me rivalët politikë, por duke mos harruar për asnjë çast marrëdhënien me publikun në punën e përditshme të shumicës qeverisëse”.

Në vjeshtë Këshillimi i parë Kombëtar/ Mandati i tretë, hapje e re e PS-së ndaj njerëzve 

Rama tha se “mandati i tretë do të shënojë një hapje të re ndaj njerëzve të vendit duke i përfshirë ata në vendimmarrjet më të rëndësishme përmes një institucioni të ri, Këshillit Kombëtar”.

“Këshillimi kombëtar, duhet që populli të mos dëgjohet 1 herë në 4 vjet, por 1 herë në vit nga shumica qeverisëse. Çështjet me interes kombëtar do t’i ndajmë me popullin dhe do të këshillohemi me të gjithë qytetarët që do të duan të shprehen përmes Këshillit Kombëtar. Ky nuk është një ushtrim komunikimi ku ne flasim dhe njerëzit dëgjojnë, por institucion ndërveprimi me shkrim me të gjithë qytetarët e vendit. Të gjithë ata që duan të përfshihen po me shkrim të na thonë po apo jo për çka vlerësojnë ata në alternativa të mundshme”, tha Rama.

Ai theksoi se “këtë vjeshtë ne zhvillojmë Këshillimin e parë Kombëtar. Platforma e bashkëqeverisjes të ngrihet në nivel të ri dhe po ashtu ndërveprimi dixhital i qytetarit me institucionet”.

Rama tha se “një qeveri dhe shumicë qeverisëse që nuk i përgjigjet në kohë me qetësi çdo qytetari nuk e çon dot këtë vend në atë që Shqipëria e vitit 2030 meriton të jetë”.

Fushatë 1-vjeçare anëtarësimesh të reja për më të mirët, më të devotshmit dhe më të gatshmit për Shqipërinë

Kryeministri kërkoi që të bëhet pastrimi i gjakut të PS-së, qeverisë dhe administratës. “Për këtë duhet të hapemi më fort dhe më gjerë si parti dhe shumicë qeverisëse. Do të zhvillojmë një fushatë 1-vjeçare anëtarësimesh të reja për më të mirët, më të devotshmit dhe më të gatshmit për Shqipërinë”, tha ai.

“Po e deshëm vërtet Shqipërinë në majën për të cilën shqiptarët na rizgjodhën për të tretën herë rresht ta çojmë, duhet ta shpëtojmë këtë vend nga punësimet në shtet jashtë konkurrencës dhe meritës dhe kjo i takon të gjithëve ju”, tha Rama.

Unë, vijoi Rama, nuk kam asnjë motiv më të madh për të dhënë më shumë se deri më sot nga vetja, se sa ky i çlirimit të ministrive, të institucioneve, agjencive, bordeve etj nga tentakulat e interesave që mbrohen në emër të partisë apo elektoratit, por godasin, cenojnë, gërryejnë shtetin dhe pengojnë vetë misionin e PS-së”, tha Rama.

Kjo, tha ai, “nuk është diçka e bukur për t’u thënë që ta dëgjojë populli, por është vijë ndarëse mes të qenit socialist dhe tradhtar i PS-së”.

“Hapat që kemi hedhur me rekrutimin e mësuesve, bluzave të bardha dhe shërbimit civil janë domethënëse krahasuar me nga jemi nisur, por janë të pamjaftueshme për t’u ngjitur në atë majë që duam. Ndaj ne duhet të mbështesim çlirimin e mëtejshëm të sektorit publik nga parazitët, nga injoranca, nga mbulesa politike në emrin e PS-së gjithmonë, të cilat e bëjnë flamurin e PS-së të duket si leckat e gabit përballë qytetarëve që përballen me këtë lloj specie, që janë larg të qenit specie në zhdukje zyrtarësh dhe nëpunësish”, tha Rama.

Nisma “Gati për Shqipërinë”, potencial i jashtëzakonshëm për metamorfozë të administratës

Rama kërkoi që të hapen dyert e qeverisë që nga kabinetet e ministrave, të ministrive, të agjencive, të departamenteve, bordeve për vajza dhe djem të shkolluar jashtë shtetit që kanë arritur rezultate të larta dhe punojnë jashtë shtetit, por dhe brenda shtetit, që përballë dyerve të mbyllura dhe arrogantëve e parazitëve që u përplasin derën në fytyrë kërkojnë vetëm një shteg të ikin nga Shqipëria.

“Jo medoemos të kthejmë në Shqipëri për të punuar, ata që janë jashtë. Pandemia
na ka provuar se nuk ka rëndësi ku ndodhesh fizikisht për të punuar kudoqoftë që ti mundesh. Në mandatin e tretë kryejmë një metamorfozë të administratës, duke e kthyer në një administratë hibride ku prania fizike është joekskluzive, por e kombinuar me punën në distancë”, tha Rama.

Kryeministri shtoi se “nisma ‘Gati për Shqipërinë’ që e nisëm vetëm si një test për të matur pulsin e qytetarëve të shkolluar jashtë vendit, po na provon çdo ditë se falë edhe mandatit të tretë që ka krijuar frymëmarrje të re si çdo fillim i ri dhe falë këshillës së madhe të tyre për të dhënë kontribut potencial për Shqipërinë, mund të integrojmë të shkolluarit dhe të punësuarit jashtë në gjithë piramidën e shtetit tonë. Ky është një potencial i jashtëzakonshëm nëse ne e bëjmë seriozisht. Nëse ne me forcën e shembullit tonë u provojmë atyre dhe gjthë shqiptarëve se e kemi shumë seriozisht”, shtoi Rama.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button