Ekonomia

Pse duhet të jenë të pavarura bankat qendrore?

Presidenti i SHBA, Donald Trump e ka kritikuar sërish kursin e Bankës Qendrore të SHBA Fed. Ai nuk gëzohet që Banka e ka rritur normën e interesit. Por pavarësia e bankave qendrore është një vlerë e madhe. Po pse?

Kur ke një Bankë Qendrore është mirë: ajo rregullon qarkullimin e parave, me instrumenta të ndryshëm ajo mund ta shtrenjtojë ose ta bëjë paranë më të lirë, shkurt: ajo është një institucion i fuqishëm në shtet. Këtë e dinë edhe qeveritë. Prandaj ato preferojnë që të kenë ndikim ose më mirë edhe kontroll mbi këto banka.

Sepse kur një bankë qendrore për shembull ul interesat bankare një gjysmë viti para zgjedhjeve, kjo nga njëra anë mund ta stimulojë ekonominë. Nga ana tjetër, do të ishin më shumë para në dispozicion, interesat bankare do të binin – dhe në këtë mënyrë do të paguheshin më lehtë shpenzimet shtetërore. Dhurata në para para zgjedhjeve: ëndërr për shumë politikanë. Donald Trumpi me sa duket bën pjesë në këta politikanë.

Një shembull frikësues

Kjo ka ndodhur në të kaluarën mjaft dendur. Një nga shembujt më të errët e përfaqëson Gjermania pas vitit 1933. Banka Qendrore në të ashtuquajturin Rajh i Tretë nën udhëheqje politike mundësoi atëherë armatimin dhe financimin e luftës. Pavarësisht nga shembuj të tillë ekstremë, mund të thuash: dhuratat në para njeriu mund t’i pranojë – në fund të fundit indirekt prej tyre përfitojnë qytetarët.

Kjo në raste të veçanta mund të jetë e saktë. Por në përgjithësi në raste ndërhyrjesh të tilla rritet inflacioni, pra rriten çmimet – dhe këtë duhet ta paguajnë pastaj qytetarët. Veç kësaj, një rritje konjukturore e shkaktuar në këtë mënyrë shumicën e herëve nuk është e qendrueshme, dhe rezulton më vonë ajo që është: flakë kashte.

Ku mbetet stabiliteti i çmimit?

Në Turqi gjendja vërtet që është e ndryshme, por një problem është i ngjashëm: atje inflacioni thuajse ecën me ritme galopante, gjë që e shtrenjton jetën e njerëzve. Banka Qendrore mund t’i kundërvihet kësaj me interesa bankare të larta – dhe ndoshta do të frenonte në këtë mënyrë me shumë efektivitet zhvlerësimin e mëtejshëm të monedhës. Por këtë Erdogani nuk e do, sepse kjo do të frenonte rritjen e ekonomisë.

“Në Turqi është stabiliteti i çmimeve që po goditet për momentin”, thotë eksperti e ekonomisë dhe i bankave qendrore Volker Wieland nga Universiteti i Frankfurtit. “Erdogani përpiqet që t’i japë edhe më tej shtysa ekonomisë, por kjo çon në inflacion tepër të lartë dhe monedha zhvlerësohet.”

Pavarësia si kusht bazë

Shembuj negativë të këtij lloji ose të llojeve të ngjashme mund të gjenden thuajse në të gjitha bankat qendrore në botë dhe ato kanë çuar në përfundimin që bankat qendrore duhet të jenë të pavarura politikisht. Njëri nga gurët themelorë që Gjermania të shprehej dakord me bashkimin monetar evropian ishte që të gjitha shtetet partnere të hiqnin dorë nga kontrolli i bankave qendrore. Banka Qendrore Evropiane është rezultati i këtij procesi. Detyra themelore e saj është ruajtja e stabilitetit të çmimeve – siç është detyra thuajse e të gjitha bankave qendrore të pavarura në botë. Dhe shumica e bankave qendrore ka përkufizuar se stabiliteti i çmimeve arrihet me një inflacion prej rreth dy përqind.

E rëndësishme: transparenca më e madhe e mundshme

Kritikët kanë disa vërejtje për pavarësinë teorike ose reale të bankave qendrore. Një bankë qendrore e pavarur nga politika sipas përkufizimit nuk kontrollohet nga politika. Por çfarë ndodh, kur një bankë qendrore ndjek një politikë monetare të gabuar, e cila ka pasoja tepër negative në ekonomi? Shpata e pavarësisë është me dy tehe.

Nga ana tjetër: E pavarur, do të thotë e pavarur edhe nga kontrolli demokratik? Jo plotësisht: “Për aq kohë sa bankat qendrore mbeten brenda mandatit të tyre, këtu nuk ka problem. Sepse ky mandat – pra objektivi që duhet të ndjekë banka – e ka përcaktuar parlamenti”, thotë Volker Wieland. Veç kësaj për shembull Banka Qendrore Evropiane, FED amerikan ose edhe Banka e Japonisë i shpjegojnë publikisht vendimet e tyre.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button