Pse Revolucioni i Flamingove nuk duhet të ngutet ta kthejë kauzën në karrierë

Një pyetje që po ngrihet gjithnjë e më shpesh rreth Revolucionit të Flamingove është nëse ai duhet të shndërrohet në një parti politike.
Për shumëkënd kjo mund të duket si hapi tjetër logjik. Përderisa kjo lëvizje arrin të mobilizojë mijëra qytetarë, pse të mos hyjë në zgjedhje dhe të synojë pushtetin?
Megjithatë, historia e lëvizjeve qytetare tregon se ky është një vendim delikat.
Formalizimi i parakohshëm ka qenë shkaku i dobësimit të shumë lëvizjeve, sepse ato kanë braktisur misionin e tyre shoqëror përpara se ta kenë përmbushur atë.
Për këtë arsye, përveç rrezikut nga radikalizimi, një tjetër rrezik i madh është transformimi i nxituar në parti politike.
Ditët e fundit po qarkullon nisma për krijimin e një “Kuvendi Kombëtar”, por ky hap duhet parë me kujdes.
Nëse një forum i tillë shërben për të zgjeruar pjesëmarrjen qytetare dhe për të koordinuar më mirë kauzën, ai mund të jetë i vlefshëm.
Por nëse shndërrohet në embrionin e një partie, në një hierarki të re apo në një mekanizëm për përzgjedhjen e drejtuesve dhe kandidatëve, atëherë ai rrezikon ta fusë lëvizjen para kohe në logjikën e garës për pushtet.
Revolucioni i Flamingove nuk ka nevojë për një kongres partie.
Arsyeja e parë është se një protestë është natyrshëm më gjithëpërfshirëse sesa një parti.
Në një protestë mund të ecin krah për krah njerëz të majtë dhe të djathtë, liberalë dhe konservatorë, socialistë të zhgënjyer, demokratë, të paparti, ambientalistë, sipërmarrës, studentë dhe pensionistë.
Ata nuk janë bashkuar sepse bien dakord për çdo politikë publike, por sepse ndajnë një shqetësim të përbashkët për korrupsionin dhe keqqeverisjen.
Së dyti, formalizimi i parakohshëm është i rrezikshëm sepse një lëvizje qytetare nuk duhet të kopjojë modelin e pushtetit që kritikon.
Nëse kundërshton vendimmarrjen e përqendruar, mungesën e transparencës dhe imponimin nga lart-poshtë, nuk mund t’i riprodhojë të njëjtat mekanizma brenda vetes.
Lëvizja duhet të mbetet një hapësirë ku integrohen të gjitha grupet dhe qytetarët që kontribuojnë, jo një strukturë ku po krijohet pa transparencë një hierarki e re.
Figurat që koordinojnë protestën nuk mund të jenë pronarë të lëvizjes, por vetëm kujdestarë të saj.
Askush nuk fiton automatikisht autoritet vetëm sepse mban mikrofonin apo kontrollon skenën. Në një lëvizje qytetare, legjitimiteti buron nga besimi që të japin qytetarët.
Në momentin që lëvizja shpall veten parti dhe kauza kolektive bëhet karrierë personale, ky koalicion natyrshëm fillon të tkurret.
Shumë prej atyre që sot mbështesin protestën nuk janë të gatshëm të bëhen pjesë e një force politike. Ata duan të mbeten qytetarë aktivë, jo militantë.
Sot një qytetar mund të mbështesë protestën edhe nëse nesër voton një parti tjetër. Nëse protesta bëhet parti, kjo liri zhduket.
Njerëzit fillojnë të ndihen të detyruar të zgjedhin anë dhe ata që nuk duan të identifikohen politikisht largohen.
Lëvizja bëhet më homogjene, por edhe më e vogël.
Përveç ndarjes, fillon edhe zhvendosja e fokusit. Derisa ekziston protesta, debati është për korrupsionin, shtetin e së drejtës, varfërinë, mjedisin, llogaridhënien dhe lirinë. Kur lind partia, debati zhvendoset te sondazhet, koalicionet, mandatet dhe strategjitë elektorale.
Në momentin që lind partia, fillojnë pyetjet: kush do të jetë kryetar? Kush kandidat? Kush deputet? Kush do të kontrollojë strukturat?
Energjia që deri dje ishte e përqendruar te ndryshimi i vendit fillon të përqendrohet te ndarja e roleve. Gara për poste zë vendin e garës për ide dhe ambicia personale fillon të konkurrojë me idealizmin qytetar.
Historia tregon se shumë lëvizje janë konsumuar pikërisht në këtë fazë. Një protestë flet në emër të interesit publik. Ajo nuk kërkon pushtet për vete por ndryshim. Në çastin që bëhet parti, perceptimi ndryshon dhe kundërshtarët nuk e shohin më si lëvizje qytetare, por si rival politik.
Kjo i jep pushtetit një avantazh të madh propagandistik sepse është shumë më e lehtë të sulmosh një parti sesa një lëvizje të gjerë qytetare.
Pikërisht për këtë arsye, regjimet autoritare shpesh përpiqen t’i shtyjnë protestat të formalizohen sa më shpejt. Sapo ato identifikohen me një lider apo grup të caktuar, bëhen më të lehta për t’u sulmuar dhe izoluar.
Madje, nëse analizohen reagimet ndaj Revolucionit të Flamingove, vihet re se një pjesë e kundërshtimeve kanë qenë pikërisht përpjekje për ta shtyrë drejt formalizimit politik. “Hyni në zgjedhje”, “bëhuni parti”, “garoni” u përsëritën vazhdimisht, sikur kjo të ishte përgjigjja e vetme legjitime ndaj një proteste qytetare.
Paralelisht, media pranë qeverisë u përpoq të publikonte lista me “drejtues”, “liderë”, “organizatorë” apo “financues” të supozuar.
Qëllimi nuk ishte informimi i publikut. Ishte delegjitimimi i protestës duke e paraqitur jo si lëvizje qytetare spontane, por si projekt politik të fshehur të disa individëve që kërkonin pushtet. Kjo nuk ishte rastësi por strategji klasike.
Një lëvizje qytetare që flet në emër të interesit publik është shumë më e vështirë për t’u sulmuar sesa një parti politike.
Prandaj rezistenca ndaj formalizimit të parakohshëm nuk është hezitim apo mungesë ambicieje politike; është zgjedhje strategjike për të ruajtur kapitalin më të madh të protestës: legjitimitetin, gjithëpërfshirjen dhe superioritetin moral.
Kjo nuk do të thotë se partitë nuk janë të nevojshme. Demokracia nuk funksionon pa parti politike. Por pyetja nuk është nëse duhet krijuar parti, por kur dhe si.
Ajo duhet të lindë vetëm pasi lëvizja ta ketë përmbushur misionin e saj qytetar, të ketë ndryshuar kulturën politike dhe të ketë ndërtuar një shumicë shoqërore rreth parimeve të saj.
Revolucioni i Flamingove ka arritur deri tani të mobilizojë njerëz shumë të ndryshëm dhe kjo është pasuria e tij më e madhe.
Nuk është vetëm numri i protestuesve. Është fakti se protesta nuk i përket askujt dhe pikërisht për këtë arsye mund t’u përkasë të gjithëve.
Si përfundim, sfida sot nuk është krijimi i një partie të re, por zgjerimi i kulturës qytetare të Shqipërisë së Re.
Duhet të krijohen më shumë qytetarë aktivë, më shumë rrjete solidariteti dhe më shumë besim se ndryshimi është i mundur.
Forca më e madhe e Revolucionit të Flamingove nuk është se mund të bëhet një parti — të tilla ka plot Shqipëria.
Forca e tij është se, për sa kohë mbetet lëvizje qytetare, ai mund të ushtrojë presion mbi çdo parti, mbi çdo qeveri dhe mbi gjithë sistemin, jo thjesht të kooptohet e të zërë vendin e një pjese të tij.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.