Politika

Rama: Buxheti 2018, hapi i parë i madh në rrugën e Shqipërisë që duam

Rritja ekonomike në 2018 parashikohet të jetë 4.2% ose thuajse katërfish më e lartë nga rritja 0 presje diçka që gjetëm në vitin 2013″, deklaroi sot kryeministri Edi Rama.

Në një takim me bankat për rritjen ekonomike në Shqipëri, Rama tha se “në buxhetin 2018 është paketa më e madhe e investimeve në historinë e vendit”.

“Thuajse 700 milionë euro të destinuara për vitin e ardhshëm. Investojmë 5.2% të PBB ndërkohë që ulim borxhin publik me të paktën 2.5%. Buxheti i vitit 2018, është hapi i parë i madh në rrugën e Shqipërisë që duam, me shtet, punë, mirëqenie”, tha Rama.

Kryeministri rikujtoi situatën e gjetur në 2013-ën. “Vetëm disa vite më parë ishte situata kur këmbanat e alarmit binin për të gjithë ata që kishin vesh dhe një prej më kumbueseve ishte ajo e kredive të këqija, të cilat kishin tejkalur nivelin e 24%, duke u bërë një kërcënim real dhe duke bërë që Shqipëria të futej në 10-shen e vendeve që sipas Bankës Botërore të kishte numrin më të madh të kredive të këqija”, tha Rama.

Por shtoi kryeministri, “kanë kaluar vetëm 4 vjet dhe falë reformave agresive të ndërmarra nga qeveria dhe duke nisur nga momenti i kthesës kur qeveria njohu publikisht faktin se nuk mundte dot të kërkonte kontribute nga të tjerët pa shlyer detyrimet e veta dhe falë mbështetjes së eksporteve, treguesit ekonomik filluan të japin shenja të gjata rigjallërimi”.

Sot, theksoi Rama, “jemi në një moment kur mund të shohim rezultate inkurajuese falë reformave të dhimbshme, por shëruese për ekonominë tonë. Kreditë e këqija kanë rënë me 10 pikë, duke arritur një minimum të pa hasur më parë gjatë këtij 10 vjeçari”.

Pa dyshim, vijoi Rama, “sistemi bankar ka luajtur një rol të rëndësishëm. Sot shohim që fitimi i sistemit bankar në 6 muajt e parë të këtij viti shënon dyfishim. Sipas të dhënave historike të Bankës së Shqipërisë,  ky është niveli rekord i fitimeve të Bankave në 6 mujorin e parë që prej vitit 1999 kur raportohen këto të dhëna. Nisur nga faktet që kemi sot jemi optimist për të ardhmen e ekonomisë në Shqipëri dhe të sistemit bankar gjithashtu”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button