Politika

Rama: Jemi në një moment kur marrëdhëniet me KE kanë një konkretësi shumë të madhe

“Plani i ri ekonomik i Komisionit Europian do të na ndihmojë të integrohemi gradualisht si rajon me tregun europian, paralelisht me proceset individuale të integrimit”, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama, në një konferencë të përbashkët për shtyp me Komisionerin e Bashkimit Europian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Olivér Várhelyi, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Tiranë.

“Komisioneri ka qenë i pranishëm në vendin tonë edhe në ditë shumë të vështira, nga të parët që na u gjendën në krah duke ardhur këtu për të shprehur solidaritet me të gjitha familjet e goditura rëndë, qoftë në jetë njerëzish, trupin e të afërmve të tyre, apo pasurinë e tyre nga tërmeti”, – tha Rama.

Rama vlerësoi faktin se “qysh në sekondën e parë të fillimit të punës, Komisioneri ka qenë një mbështetës i pakursyer i gjithë vendeve të Ballkanit Perëndimor, e në këtë rast i Shqipërisë, në procesin e përshpejtimit të rrugës së çeljes së dyerve për të negociuar anëtarësimin në BE”.

“Komisioneri Várhelyi nuk është mjaftuar aspak vetëm me këtë aspekt të marrëdhënies së Komisionit dhe BE-së me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, por është angazhuar në vetë të parë për një plan masiv ekonomik e financiar për të gjithë rajonin. Dua ta falënderoj dhe publikisht për praninë e tij, mbështetjen e tij, mënyrën e qasjes efikase ndaj çështjeve dhe, për patjetër, ndershmërinë e tij në thënien e gjërave ashtu siç janë, qoftë kur duhet të na i thotë ne, apo kur duhet t’i thotë për ne në Bruksel. I jemi shumë mirënjohës dhe do t’Ju jemi gjithmonë mirënjohës”, – tha Rama.

Kryeministri vlerësoi se “bashkëpunimi me Komisionin ka dhënë patjetër fryte të veçanta dhe patjetër që në të gjitha ato aspekte që lidhen me objektivat e përcaktuara nga Komisioni për çuarjen para të axhendës së integrimit”.

“Ne kemi vazhduar të shkojmë para në bindje të plotë që duhet t’i bëjmë të gjitha këto, Reformën në Drejtësi, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, përsosjen e mëtejshme të administratës publike etj., jo sepse na i kërkon Brukseli, Berlini e Parisi, por sepse është obligimi ynë ndaj fëmijëve tanë që përkon me objektivat e vetë anëtarësimit”, – tha Rama.

Kryeministri theksoi se “plani i ri ekonomik është një mundësi e jashtëzakonshme e re që krijohet nga ky Komisioni i ri Europian, i cili ka ardhur me një qasje dhe faktikisht po implementon një politikë të re në raport me rajonin e Shqipërinë”.

“Por ajo që dua të theksoj është se ky plan është një provë konkrete e prekshme e shumë arsyeve të mira dhe një bindje të madhe që qëndron në vizionin e Shengenit rajonal, vizioni i një rajoni ku zhvillimi përmes bashkëpunimit është e vetmja rrugë për të dalë në një tjetër hapësirë dhe për t’i lënë gjeneratave të tjera një Shqipëri dhe rajon shumë më të mirë”, – tha Rama.

Kryeministri theksoi se “në plan ka shumë aspekte, por aspekti kryesor, mendoj unë, i përgjithshëm është që plani do të na ndihmojë të integrohemi gradualisht si rajon me tregun europian, paralelisht me proceset individuale të integrimit”.

“Kujtoj, – vijoi Rama, – se Komisioni Europian nuk ka qenë këtu thjesht për të na ngushëlluar e solidarizuar me ne në momentet e tragjedisë, as thjesht dhe vetëm në momentin kur falë tyre, nën drejtimin e Presidentes së Komisionit u thirr një konferencë e paharrueshme solidariteti ku u mor një mbështetje e madhe. Nuk ka qenë këtu as thjesht dhe vetëm përmes Komisionit për të vazhduar zbatimin e Programit të Rindërtimit në shkolla e monumentet e kulturës. Por megjithëse COVID-i vuri në vështirësi çdo vend të BE-së, Komisioneri ka qenë telefonata e parë nga jashtë, nga ajo zonë e kontinentit tonë që quhet BE, për të më garantuar që BE, Komisioni do të jetë pranë Shqipërisë, pranë rajonit edhe në këtë fazë, pavarësisht vështirësive. Kështu ka ndodhur. Jemi në një moment kur marrëdhëniet me KE kanë një konkretësi shumë të madhe”.

Ai theksoi se shqiptarëve mund t’u themi me plot gojën se rruga jonë e përbashkët me KE-në dhe BE-në vitet e ardhshme nuk është thjesht rruga e hapave në reforma, por edhe ndërtimit të një ekonomie të re për rajonin, ndërtimit të gjithë rrjetit lidhës të rajonit me rrugët, hekurudhat, rrjetet dixhitale e të tjera”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button