Rama në Beograd, Serbia me njësi Antidron
Kryeministri Edi Rama do të udhëtojë sërish në Serbi në datën 16 dhjetor, për samitin “Kinë-Ballkan” që do të mbahet në Beograd.
Në të do të marrin pjesë përfaqësues të 16 vendeve të Evropës Lindore dhe Qendrore. Beogradi ka kohë që ka nisur përgatitjet për masat e sigurisë, të cilat sipas medieve serbe, do të jenë nga më të rreptat që janë ndërmarrë ndonjëherë.
Për të garantuar sigurinë e liderëve do të angazhohen rreth 10 mijë policë, përfshirë dhe snajper në çatitë e ndërtesave. Ndërkohë për herë të parë, Serbia do të ketë edhe njësinë e saj speciale Antidron, duke marrë shkas nga ngjarjet e ndodhura në stadiumin e Beogradit në ndeshjen Serbi-Shqipëri.
Portali “Kurir” shkruan se se të hënën, një ditë para nisjes së samitit të Beogradit, njësia do të kryejë “provën gjenerale”. Gjatë samitit dyditor, një helikopter i policisë serbe do të qëndrojë në gatishmëri për të monitoruar hapësirën ajrore, ndërkohë që në tokë, njësia anti-terror do të sigurojë mbarëvajtjen e aktivitetit.
Nëse pikaset ndonjë dron, oficerët janë udhëzuar gjithsesi të mos e qëllojnë, por helikopteri në gjendje gatishmërie do të njoftohet menjëherë dhe do ta neutralizojë.
Ajo që pritet me interes në këtë vizitë të kreut të qeverisë shqiptare, është takimi me kryeministrin Aleksandër Vuçiç. Pas situatës së tensionuar mes tyre, në takimin e nëntorit, pritet të jetë interesant qëndrimi që do të mbajë kryeministri serb, ndaj homologut Rama. Ky i fundit do të shoqërohet në Serbi nga nga dy ministra, ai i Ekonomisë Arben Ahmetaj dhe ai i Transportit, Edmond Haxhinasto.