Rama: “Radar digjital” për të monitoruar dinamikat në hapësirën digjitale dhe luftuar lajmet e rreme të “gjobaxhinjve”
Kryeministri Edi Rama ka bërë me dije se qeveria po punon për ndërtimin e një “Radari digjital”, i cili sipas tij do të shërbejë për të identifikuar dhe analizuar sinjalet që vijnë nga bota digjitale.
Rama theksoi se ky sistem nuk do të përdoret për të ndjekur individë, por për të monitoruar dinamikat që lidhen me çështjet me interes publik.
Sipas kryeministrit, një nga qëllimet e këtij sistemi është që qeveria të ketë një pamje më të qartë të asaj që ndodh në hapësirën digjitale dhe të jetë në gjendje të dallojë shqetësimet reale të qytetarëve nga presionet, lajmet e rreme dhe fushatat e ndryshme që zhvillohen online.
“Po ndërtojmë edhe një Radar digjital të qeverisë për të deduktuar sinjalet e botës digjitale. Radari nuk ndjek njerëz dhe nuk merret me to, por ndjek dinamikat e çështjeve në sferën e interesit publikë”, tha Rama.
Rama akuzoi gjithashtu portale të caktuara se përdoren nga persona që ushtrojnë presione ndaj biznesit dhe qytetarëve, duke i cilësuar disa prej tyre si mjete për vendosjen e gjobave.
“Ne nuk mund të jemi më “një elefant” që e marrin prej hunde të gjithë speciet e botës digjitale dhe lloj-lloj gjobaxhinjsh dhe kriminelësh që fshihen pas portaleve që hapen që vejnë gjoba mbi biznesin, mbi ju, se mua nuk ka shans të më vër gjoba askush. Por gjoba mbi ju në formë presionesh, prandaj ne duhet të kemi zotërim në këtë botë për të ndarë qytetin dhe shqetësimin nga gjoba dhe lajmi i rremë. Ne nuk mund të jemi më pre e të gjithë kësaj histerie”, tha ai.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.