Politika

Rama-Rigterink: Nënshkruhet memorandumi i Mirëkuptimit. BERZH do mbështesë Shqipërinë drejt integrimit në BE

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) ka njoftuar nënshkrimin e një Memorandumi Mirëkuptimi me Shqipërinë për mbështetjen e aksionit të integrimit europian të vendit.

Dokumenti u nënshkrua në një ceremoni virtuale nga Presidenti i Përkohshëm i BERZH, Jürgen Rigterink dhe Kryeministri shqiptar, Edi Rama, në prani të Ambasadorit të BE në Shqipëri, Luigi Soreca.

“Ne jemi të inkurajuar nga hapat që Shqipëria po ndërmerr drejt BE-së dhe ne jemi të kënaqur të mbështesim këto përpjekje jetësore me kontributet tona. Në këto kohë sfiduese është më e rëndësishme se kurrë që të gjithë të bashkojmë forcat jo vetëm për t’u ngritur në sfidat aktuale, por edhe për të realizuar qëllimet afatgjata të vendit.”

Nënshkrimi që u bë në kuadrin e takimit vjetor të bankës europiane për rindërtim e zhvillim, vjen një ditë pas deklarimit në Tiranë nga komisioneri i Zgjerimit të hapave ekonomikë që ka planifikuar Komisioni europian për Shqipërinë. Duke e cilësuar si mbështetje e vendit me veprime konkrete drejt anëtarësimit të vendit në BE, Berzh e adreson Memorandumin si një instrument për kombinimin e politikave, asistencës teknike dhe investimeve që të ruhet vrulli i Shqipërisë në procesin e përafrimit me BE. Sipas asaj që bëhet e ditur Bashkëpunimi midis Shqipërisë dhe BERZH do të përqendrohet në tre fusha: rritjen e konkurrueshmërisë e përfshirjes në sektorin privat; për infrastrukturën e qëndrueshme dhe tranzicionin e ekonomisë së gjelbër si dhe forcimin e klimës së investimeve dhe qeverisjes.

Kreu i qeverisë Rama e konsideroi një hap të rëndësishëm nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje. Ai tha se kjo do të jetë një instrument shtesë që do ta ndihmojë vendin tonë në procesin e integrimit europian.

“Është një hap i rëndësishëm ky memorandum që po nënshkruajmë sot, i cili njeh plotësisht objektivat tona të integrimit  në Be duke integruar politikën e angazhimit, ndihmën teknike, investimet. Ai përbën një instrument shtesë dhe mjaft të vyer që me mjaft shpresë do të ndihmojë Shqipërinë për të ecur shpejt me kapitujt e legjislacionit komunitar. E dimë mjaft mirë që për të qenë efektivë në marrjen e këtyre parave dhe zbatimin e këtij vizioni duhet sa më shumë ndihmë nga pikëpamja e ekspertizës. shpresoj fort që banka juaj, e cila është një bankë plot për plot me para do të vijojë të na ndihmojë në këtë proces. Nënshkrimi i marrëveshje të përmirësimit të infrastrukturës turistike është pjesë e kësaj. Ky program është mjaft i mirë pritur sepse përfshin një paketë të plotë të riparimeve dhe zhvillimeve të zonave të trashëgimisë”, tha Rama.

Në fund kreu i qeverisë u ndal edhe tek projektet madhore në Shqipëri. Rama u shpreh se shpreson që hekurudha Tiranë-Durrës të jetë pjesë e një rrjeti rajonal hekurudhor.

“Ka tashmë një angazhim të jashtëzakonshëm nga BE-ja dhe KE-ja për ta ndihmuar Shqipërinë dhe rajonin mbështetur në vizionin e një tregu të vetëm rajonal dhe në dritën e zbatimit të 4 lirive të Europës, për të investuar në vëllime të tilla që mund ta ndryshojnë tërësisht peizazhin. Shpresoj që kjo hekurudhë Tiranë Durrës të jetë pjesë e diçkaje që do të bëhet rrjet rajonal hekurudhor. Sa i takon aspektit digjital, mendoj se duhet që të bëjmë të gjithë sëbashku ç’të mundemi për ta nxitur, për të pasur një shtyllë kryesore digjitale”, tha Rama.

Angazhimi i qeverisë shqiptare është që të punojë me BERZH në këto fusha dhe të mbështesë investimet me reformat e politikave në përputhje me rekomandimet dhe standardet e BE. Memorandumi i mirëkuptimit përfshin një listë të veprimeve konkrete afatshkurtra, të cilat do të diskutohen dhe azhurnohen çdo vit për të ndjekur progresin me zbatimin dhe për të rënë dakord mbi politikat e reja, asistencën teknike dhe përparësitë e investimeve. Deri më tani, BERZH ka investuar mbi 1.4 miliardë euro në 100 projekte në Shqipëri.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button