Politika

Raporti i Kuvendit, SHISH përgjoi deputetët, “hetimi” ndaj Visho Ajazit vijon

“Emërime në shkelje të ligjit, u punësuan shikasit e shkarkuar”

NGA ARTEMISA HOXHA

Braho komision sigurieShërbimi Informativ Shtetëror ka përgjuar deputetët e Kuvendit. Ky është konstatimi i nxjerrë nga deputetët e grupit të kontrollit të Shërbimit Informativ Shtetëror në raportin e posaçëm, i cili ishte objekt i diskutimit me dyer të mbyllura në Komisionin Parlamentar të Sigurisë. Pretendimet që socialistët kanë pasur gjatë kohës kur ishin në opozitë janë faktuar gjatë kontrollit që ata kanë kryer në institucionin sekret shqiptar. Raporti përfshin një periudhë kontrolli tremujor, ku bëhet e ditur, se janë gjetur raste kur ishin përgjuar persona me imunitet, në kundërshtim me dispozitat ligjore në fuqi. Një tjetër problem, sipas raportit, janë mënyrat e punësimit të kryer në këtë shërbim inteligjence, të realizuara pas emërimit të shefit të SHISH, Visho Ajazi Lika. Raporti vëren shkelje dhe në emërimin apo ripranimin e zyrtarëve të niveleve të ndryshme në këtë institucion, pasi shumë prej tyre rezultojnë pa arsimin përkatës, ndërsa të tjerë janë larguar nga Shërbimi për shkelje të rënda gjatë ushtrimit të detyrës. Janë emëruar apo rikthyer punonjës që kanë punuar në kohën e SHIK-ut famëkeq të Bashkim Gazidedes. Në fokus të kontrollit të grupit të posaçëm, i cili përbëhej nga deputetët Piro Lutaj, Xhemal Qefalia dhe Pjerin Ndreu, ka qenë dhe shkresa e lëshuar në dhjetor të vitit 2013 për përgjimin e shefave apo drejtorëve të policisë në qarqet e Shqipërisë, nëse ato kanë lidhje me persona të inkriminuar ose jo. Raporti prej 30 faqesh përmban edhe çështjen e konfliktit institucional mes Ministrisë së Brendshme dhe SHISH për mosdhënien e informacioneve për çështjen e akteve terroriste. Sipas raportit, SHISH nuk ka informuar qëllimisht strukturat e tjera shtetërore për ngjarjet kriminale në vend, që kulmuan me shpërthimet me tritol. Pavarësisht këtyre shkeljeve të konstatuara, Komisioni i Sigurisë mësohet se nuk ka marrë ndonjë vendim për t’i propozuar Kryeministrit Edi Rama shkarkimin e shefit të Shërbimit Sekret, Visho Ajazi Lika. Komisioni nuk ka marrë ende një vendim përfundimtar për këtë çështje, pasi raporti nuk është votuar nga ana e deputetëve të Komisionit Parlamentar të Sigurisë. Mbledhja ka zgjatur gjysmë ore dhe nuk ka pasur ndonjë përplasje mes deputetëve. Sipas burimeve në mbledhjen e djeshme të Komisionit të Sigurisë është mësuar se grupi i kontrollit do të vijojë sërish kontrollin për punën që ka kryer SHISH. Nisur nga kjo, komisioni nuk mori vendim përfundimtar në lidhje me raportin. Ndërkohë që ende nuk ka ndonjë vendim apo nëse do t’i propozohet Kryeministrit për të shkarkuar shefin e SHISH. Nëse ndërmerret një procedurë e tillë mund të shkaktojë përplasje mes Presidentit, pasi kreu i këtij institucioni largohet dhe shkarkohet me këtë formulë ku propozimi bëhet nga Kryeministri, ndërsa firmosja realizohet nga Presidenti. Grupi i deputetëve Lutaj, Ndreu dhe Qefalia u mandatua më 23 prill për të verifikuar ligjshmërinë e shkresës sekrete dërguar në dhjetor të 2013-s drejtorëve të SHISH-it në prefektura. Ndërsa kontrolli u shtri dhe më tej në lidhje me përgjimet apo dhe emërimet e kryera së fundmi.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button