Reagime nga e gjithë bota për sulmin terrorist në Ankara
Reagimet për sulmin terrorist në Ankara kanë ardhur nga e gjithë bota. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-së, Jens Stoltenberg ka dënuar ashpër sulmin terrorist në Ankara.
Në deklaratën me shkrim Stoltenberg shprehet se: “Dënoj ashpër sulmin ndaj automjetit që mbante personelin ushtarak në zemrën e Ankarasë. Ngushëllime për popullin turk dhe ata që kanë humbur të afërmit. Mendimet tona janë me të plagosurit. Në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet legjimiteti për sulme të tilla. Aleatet e NATO-s janë krah për krah në luftën kundër terrorizmit”.
Departamenti Amerikan i Shtetit ka shprehur ngushëllimet për personat që kanë humbur jetën në sulmin terrorist të ndërmarrë në Ankara. Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Mark Toner, në një konferencë për shtyp në lidhje me sulmin në Ankara tha se: “Shprehim ngushëllimet tona të sinqerta”. Toner duke vënë në dukje se janë duke ndjekur lajmet në lidhje me shpërthimin, ka theksuar se kanë konstatuar se askush nuk e ka marrë ende sulmin përsipër.
Ai ndër të tjera ka dhënë informacionin se Ambasada e SHBA-së në Ankara po punon për të përcaktuar nëse ka patur apo jo qytetarë amerikanë në vendngjarje gjatë shpërthimit si dhe ka theksuar se po përpiqen të japin të gjitha llojet e mbështetjes konsullore për qytetarët e tyre.
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, duke theksuar se dënon sulmin terrorist të ndërmarrë në Ankara u shpreh: “Në luftën me ata që kryejnë sulme të tilla jo njerëzore jemi në anën e Turqisë”. Merkel në një deklaratë me shkrim ka theksuar se sulmin terrorist në Ankara e ka mësuar duke u tmerruar dhe si qeveri ata e dënojnë këtë sulm. Ndër të tjera në deklaratë në lidhje me sulmin duke iu drejtuar popullit turk Merkel teksa ka përdorur shprehjet “Ne gjermanët ndajmë këtë dhimbje me ju. Në luftën me ata që kryejnë sulme të tilla jo njerëzore jemi në anën e Turqisë”. Gjithashtu ka përcjellë ngushëllimet e saj për personat që kanë humbur jetën dhe ka uruar “shërim të shpejtë” për personat e plagosur.
Presidenca e Francës dhe Ministria e Punëve të Jashtme të këtij vendi dënuan sulmin terrorist në Ankara.
Presidenca franceze në një deklaratë me shkrim shprehet se Presidenti François Hollande dënon këtë sulm të tmerrshëm si dhe deklaroi gjithashtu se Franca është pranë popullit turk dhe Turqisë. Ndërkohë edhe MPJ e Francës në një njoftim zyrtarë duke dënuar sulmin ka ngushëlluar familjarët e personave të cilët humbën jetën në sulm.
Sekretari i Jashtëm britanik në një postim në Twitter tha se solidarizohet me familjarët e viktimave dhe se dënon ashpër sulmin terrorist të pashpirt në Ankara.
Ndërkohë edhe Ministria e Punëve të Jashtme të Italisë ka reaguar në lidhje me sulmin terrorist të ndodhur në Ankara natën e sotme. Në një mesazh ngushëllimi ministri i Punëve të Jashtme i Italisë Paolo Gentiloni, dërgoi ngushëllimet e tij në drejtim të autoriteteve turke. Në një fjalim të mbajtur gjatë një organizimi të Shoqatës së Gazetarëve të Huaj në Romë Gentilioni tha: ”Ndjej pikëllim të thellë për sulmin terrorist që ndodhi sot në Ankara. Në emër të popullit italian i shpreh ngushullimet e mija popullit turk dhe Republikës së Turqisë”.
Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, duke shprehur keqardhjet e thella për shpërthimin në Ankara, ndër të tjera ka shprehur ngushëllimet për personat që kanë humbur jetën si dhe ka uruar shërim të shpejtë për të plagosurit.