Opinion

Rritja e çmimit të dritave është vjedhje!

Andrea Stefani

Andrea-Stefani-Në kushtet kur një pjesë e popullsisë refuzon ta paguajë, rritja e çmimit të energjisë do të ishte vjedhje e konsumatorëve të ndershëm që e paguajnë rregullisht atë. Qeveria do të bëhej palë me vjedhësit e energjisë duke ia ngarkuar koston e vjedhjes fraksionit të shtetasve të ndershëm, do të merrte anën e antishtetit kundër atyre që respektojnë ligjin dhe shtetin. Jemi të detyruar të bëjmë një pohim të tillë kur mësojmë se Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST) sapo ka paraqitur pranë Entit Rregullator të Energjisë Elektrike kërkesën për rritjen e çmimit të energjisë. Dhe nuk mund të mos pyesësh me alarm: Edhe sa dekada të tjera do të vazhdojë kjo situatë absurde kur të ndershmit dhe ata që respektojnë ligjin keqpërdoren nga qeveria e radhës në favor të atyre që dhunojnë ligjin? Dhe sa vite të tjera i ndershmi do të humbasë dhe vjedhësi e mashtruesi do të dalë i fituar?! Dhe sa vite të tjera respektimi i ligjit dhe i rregullave do të ndëshkohet, ndërsa shkelja e tyre do të shpërblehet?!

***

Pa u futur ende në argumente teknike që provojnë absurditetin e kësaj që po ndodh prej më se dy dekadash, duhet thënë që, në krye të herës, se në kushtet kur një pjesë e konsiderueshme e konsumatorëve nuk paguajnë energjinë (pra e vjedhin) rritja e çmimit të saj do të thotë që ata që kanë paguar deri më sot me korrektesë të paguajnë edhe më shtrenjtë për korrektesën e tyre, ndërsa ata që vjedhin të vazhdojnë të vjedhin pa u shqetësuar. Është një politikë antishtet, që një qeveri normale, e cila synon forcimin dhe jo shthurjen e shtetit, as nuk do ta çonte nëpër mend dhe jo ta zbatonte. Asnjë qeveri normale nuk tenton që koston e një vjedhjeje ta paguajnë qytetarët e ndershëm dhe jo vetë hajdutët. A nuk është kjo një përmbysje e rendit të gjërave në shtet? A nuk është kjo të shpërblesh vjedhësit, shkelësit e ligjit dhe të ndëshkosh zbatuesit e tij?

***

Përveç filozofisë së shtetit, qeveria e Edi Ramës ka disa arsye më shumë që duhet ta frenojnë për të mos iu futur një absurditeti të tillë antishtet. Dhe kjo është e kaluara e saj në opozitë kur bënte, me të drejtë, presion mbi qeverinë e Sali Berishës për mosshtrenjtimin e energjisë elektrike. Kjo qeveri, deri dje në opozitë, ka mbështetur lëvizjet qytetare si “Mjaft”, që kanë kërkuar nga qeveria Berisha të mos rritet çmimi i energjisë. Një pozicion që nuk mund të ndryshojë kollaj vetëm për faktin që ministri i Energjetikës nuk quhet më Genc Ruli, por Damian Gjiknuri. Dhe argumentet që mbronte atëherë në opozitë janë po ato që sjellim ne sot. Pra, se është absurde dhe antishtet të shtrenjtosh energjinë për konsumatorët në një kohë kur një pjesë e tyre refuzojnë të paguajnë! Është absurde të shtrenjtosh energjinë që një pjesë e konsumatorëve nuk e paguajnë pikërisht se nuk kanë mjaftueshëm para ta paguajnë! Është e padrejtë të shtrenjtosh çmimin e energjisë në një kohë kur ky është më i larti në rajon (përjashtuar Kroacinë) dhe kur konsumatorët e vendit tënd janë ndër më të varfrit në rajon. Mund të sillen dhe plot argumente të tjera kundër shtrenjtimit të energjisë, por në fund të gjithë reduktohen në një: qeveria, si edhe të gjithë paraardhëset e saj, koston e paaftësisë për një zgjidhje radikale të gangrenës së “dritave” do të përpiqet t’ia shkarkojë mbi supe konsumatorëve të ndershëm duke u bërë indirekt palë me vjedhësit. Nuk duam të besojmë se edhe kjo qeveri është kapur nga ngasja e pushteteve të mëparshme, tani që afrojnë zgjedhjet lokale, që për disa vota më shumë kanë sakrifikuar të drejtën, ligjin dhe shtetin.

***

Por ka edhe shumë argumente teknike dhe në shifra që provojnë se politikat e ndjekura deri tani, të bazuara në tolerimin e vjedhjes së energjisë dhe ndëshkimin e konsumatorëve të ndershëm, jo vetëm nuk e kanë nxjerrë sektorin e energjisë nga këneta ku është zhytur, por i kanë shkaktuar publikut shqiptar në vite një humbje që matet me miliarda euro. Në shifra, prodhimi i energjisë elektrike, për një vit hidrologjik mesatar, është rreth 5 deri 5.2 miliardë kilovatorë, nga të cilat KESH realizon deri 4 miliardë kilovatorë, ndërsa HEC-et private rreth 1 miliard kilovatorë. Nga kjo energji e prodhuar, në rrjetet e shpërndarjes së energjisë humbasin, sipas llogaritjes së specialistëve të fushës, rreth 0,75 miliard kilovatorë në vit. Kjo quhet humbje teknike që vjen për shkak të amortizimit të rrjeteve dhe mungesës së investimeve në to. Humbja tjetër është ajo që quhet “jo teknike” (kryesisht vjedhjet dhe mospagimet e energjisë) dhe arrin deri 1.55 miliardë kilovatorë në vit.

***

Importet e shtrenjta të energjisë për çdo vit janë, kryesisht, pasojë e vjedhjes së saj. Llogaria është e thjeshtë. Nevojat e vendit, po të marrim një mesatare të viteve të fundit, arrijnë në 7.7 miliardë kilovatorë në vit. Në qoftë se nga kjo shifër zbresim 2.2 miliardë kilovatorë, që janë humbjet teknike dhe ato jo teknike (vjedhjet e energjisë), konsumi i nevojshëm vjetor i energjisë zbret në 5,7 miliardë kilovatorë pra, pothuaj aq sa është prodhimi vjetor i energjisë elektrike. Bëhet kështu e qartë se nëse shmangen vjedhjet, Shqipëria do të balanconte, përgjithësisht, prodhimin e energjisë me nevojat për të. Aktualisht Shqipëria importon 2-3 miliardë kilovatorë energji, pra thuajse të njëjtën sasi energjie që humbet në rrjet apo që vidhet.

***

Në këto kushte, të orientohesh jo nga lufta kundër vjedhjes së energjisë, por nga shkarkimi i barrës së vjedhjeve konsumatorëve që paguajnë, është jo vetëm e pandershme, jo në logjikën e shtetit, as të tregut, por edhe e gabuar. Sepse nuk e shëron, por e rëndon gjendjen. Përvoja e dy dekadave të kaluara e vërteton këtë. Edhe pse çmimi i energjisë është rritur, industria e prodhimit të energjisë elektrike nuk ka dalë nga gjendja e kolapsit. Prandaj, në vend se të shtrenjtojë energjinë, mendojmë se qeveria Rama duhet të orientohet drejt zbatimit të ligjit për ata që nuk paguajnë energjinë. Krahas kësaj, duhet të bëhen investime më të sofistikuara në zonat me koeficient më të lartë të vjedhjes së energjisë. Një rrugë shpëtimi do të qe investimi në sistemin e matësve me parapagim (me kartë). Ky është një sistem shumë i avancuar, më i sigurt dhe më i suksesshëm ndaj ndërhyrjeve për vjedhjen e energjisë, por edhe më i kushtueshmi. Për 1 milion matës, investimi kushton rreth 240 milionë euro. Vërtet shtrenjt, por shumë më lirë për taksapaguesit shqiptarë dhe buxhetin e shtetit, po të llogarisim se po kaq është humbja vjetore nga vjedhjet dhe korruptimi i sistemit të shpërndarjes. Në pak vjet do të kurseheshin miliarda euro. Pa llogaritur një tjetër përfitim për shtetin: do t’i jepej fund epidemisë së vjedhjes së energjisë, aq rrënuese për të, moralin dhe kuptimin e tij. Me mijëra familje nuk do të ishin më vjedhëse të energjisë, por konsumatore të ligjshme të saj. Shteti do të depërtonte edhe atje ku sot mbretëron vjedhja.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button