Sharlatanë e Peticionistë
Që nga 19 shkurti i këtij viti po qarkullon një peticion drejtuar disa organeve të rëndësishme të shtetit shqiptar prej një liste intelektualësh dhe studjuesish.
Shqetësimi kryesor i kësaj liste është se “individë të papërgatitur nga ana shkencore, promovojnë idenë se shqipja është gjuha më e lashtë në botë dhe nëna e të gjitha gjuhëve” dhe se “disa persona duan të krijojnë një “shkencë” shqiptare, që i kundërvihet asaj botërore”.
Kjo gjë, thonë ata “na bën qesharakë në sy të botës”.
Problemi që ngrihet, mënyra si është formuluar (nuk e di kush e ka shkruajtur) dhe gjatësia e listës, është një sirenë shumë e fuqishme alarmi.
Alarm për çfarë ?
Alarm kundër të ashtuquajturve sharlatanë ?
Në asnjë mënyrë !
Mediokër, të ekzaltuar, sharlatanë ka pasur, ka e do të ketë kudo e gjithmonë .
Sirena sinjalizon gjendjen ku është katandisur shkenca shqiptare.
Peticionistëve iu vjen turp se ka njerëz në Shqipëri që janë krenarë për gjuhën shqipe, që këta njerëz e shtyjnë “mëkatin” deri atje sa të besojnë se shqipja është gjuha më e lashtë në botë .
E nga kush iu vjen turp atyre?
Nga bota?
Nga cila botë?!
Në qoftë se lidhjet e tyre shkencore në botë, këta peticionistë i kanë me nivele kaq të ulta, është fatkeqësi shumë e madhe për kombin tonë ,
A kanë dëgjuar peticionistët se çfarë broçkollisin fqinjët tanë !?
Iu vjen turp shkencëtarëve tanë se shqiptarët janë krenarë për kombin dhe për gjuhën e tyre!
Nuk besoj se atyre do t’u pëlqente më shumë që shqiptarët të kishin shpirtin e rajasë, mendësinë e skllavit.
“Pa një ide sublime nuk rron dot asnjë person e asnjë komb” thoshte Dostojevski.
Nuk besoj që ndonjë person i listës mendon që Dostojevski të ketë qënë sharlatan.
Pa këtë ide sublime shqiptarët dhe gjuha e tyre nuk mund të mbijetonin në qëndrën e cikloneve të historisë ku u ka rënë fati të jetojnë .
Shqiptari edhe kur ikën nga Shqipëria e merr me vete këtë ide sublime, ua ngulit edhe pasardhësve, dhe bëhet papë, perandor, Muhamet Ali, Ferid Murat, Nënë Terezë, Qyprili, Francesko Krisp, Dua Lipë …
Për këtë ide sublime iu vjen turp peticionistëve!?
Po nga Moikom Zequa iu vjen turp atyre?
Tek “Syri i tretë ” Moikomi flet për bektashizmin si për idenë absolute të Hegelit dhe për Naim Frashërin si mishërim i kësaj ideje.
(Feja e zgjedhur (bektashizmi), gjuha e zgjedhur (shqipja), Kombi i zgjedhur (shqiptarët))
Sharlatan ishte dhe Moikomi?!
Mos vallë peticionistët ndjehen të rrezikuar se njerëzit dëgjojnë, lexojnë, besojnë, duan më shumë “sharlatanët” se sa ata!
Mund të kenë drejtë, por nuk ua ka fajin njeri.
Le të bëhen dritë dhe të grisin perden e errësirës.
Le të mos shkruajnë vetëm për rrogën, për tituj e grada shkencore.
Le të shkruajnë, siç thoshte Marc Bloch, që të kuptohen “si nga nxënësit e shkollës edhe nga dijetarët”
E pra, le të mos bëjnë fajtor “sharlatanët”.
Le të mos flasin sa për të larë gojën: Ne e thamë, e bëmë punën tonë, ne nuk jemi si ata.
Le ta drejtojnë gishtin atje ku duhet, tek pushteti i parasë, tek pronarët e medias, tek kthimi në mall e në para i çdo gjëje.
Është pushteti i parasë që i fton, i përdor, i shpërdor, i mjel “sharlatanët”, vulgarët, imoralët, perversët e çdo gjë tjetër që iu jep para, që iu sjell fitime. Nuk hyn njeri me dhunë në televizion.
Lerini pra “sharlatanët” dhe merruni me veten.
Shënim
Këto radhë i kam hedhur ditë më parë por kam nguruar t’i postoj prej respektit shumë të madh që kam për disa figura të shquara të asaj liste ndër të cilët dua të veçoj Rexhep Qosen.