SHBA akuzon Rusinë: Dështoi në asgjësimin e arsenalit kimik sirian
Dështimi i Rusisë e lejoi sulmin kimik në Siri. Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson u tregua i ashpër e i drejtpërdrejtë me Moskën, kur kujtoi sesi rusët pranuan të siguronin botën për shkatërrimin e arsenalit kimik sirian, dhe fakti që nuk arritën ta bëjnë një gjë të tillë, solli – sipas tij, – për pasojë atë sulm të tmerrshëm.
Tillerson theksoi se nuk ka prova që të tregojnë se Rusia ishte pjesë e episodit tronditës, por pak rëndësi ka nëse rusët ishin bashkëpunëtorë apo janë treguar thjesht të pazotë. Fakti mbetet që ata dështuan në angazhimin e tyre ndaj komunitetit ndërkombëtar.
“Rusia ra dakord të ishte një garantuese e shkatërrimit të armëve kimike siriane. Rezultati i dështimit të saj ishte vrasja e fëmijëve dhe të pafajshmëve të tjerë”, tha Rex Tillerson.
Moska e mohon që forcat siriane të kenë ndërmarrë një sulm kimik, e thotë se civilët në Idlib u helmuan nga gazi i lëshuar prej një depoje me armë kimike të rebelëve, e cila ishte bombarduar nga avionët e regjimit.
Përshkallëzimin më të fundit të retorikave e përbën deklarata e Qendrës së Përbashkët të Komandës së përbërë nga forca ruse, iraniane dhe paraushtarake besnike të Bashar al-Assadit, që thotë se raketat e Amerikës shkelën “vijat e kuqe” dhe se grupi do t’i kundërpërgjigjet çdo agresioni të ri.
Konflikti sirian ka hyrë tashme në një fazë tejet të rrezikshme dhe ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Sigmar Gabriel u bëri thirrje palëve për qetësi, duke kujtuar se zgjidhja më e mirë në këtë situatë do të ishte ajo politike.