Shishja e ujit, kjo bombë me hidrogjen
Një grup turistësh hollandezë mbrëmë iu bashkuan protestës të opozitës me idenë se kishin të bënin me një peligrinazh pranë një manastiri.
Megjithatë, pavarësisht, qetësisë dhe mungesës së incidenteve, lajmet e sotme flasin për një hetim të detajuar të policisë.
Ndërsa manifestuesit që mbanin në duar pankartat (përgjithësisht satirike) po i jepnin lamtumirë bulevardit, disa policë që duam (më të zellshëm ata me veshje civile dhe kapuçonë) me një zell që do të bënte me turp Sherlock Holmsin nisën një hetim të imtësishëm. Ndaluan 4-5 protestues, dhe nisën me shpejtësi mbledhjen e provave në vendngjarje.
Provat e mbledhura dhe të bëra publike, do të hutonin edhe më entuziastët e romaneve policeske. Plot 37 bidonë plastikë uji 0.5 litra, 6 bidonë plastikë të djegur, 21 flakadanë, një bidonë i mbushur me një lëng që dyshohet se është benzinë dhe plot 3 kapsolla! (imagjino të ishin hetuar festimet e Vitit të Ri!)
Shishet me ujë, mesa duket arma më e rrezikshme e përdorur nga protestuesit u morën me po të njëjtin seriozitet që tregohet kur sekuestrohen kuintalë me kokainë në Portin e Durrësit. Seriozitetin e shtonte veshja si kozmonaut e hetuesve. Zëra të pa konfirmuar thonë se janë marrë në cilësinë e provës materiale edhe “pështyma të manifestuesve) për të identifikuar keqbërësit ose më saktë të pangopurit me të mirat që i ka sjellë kjo qeveri popullit mosmirënjohës prej 10 vitesh.
Në një botë ku testimi i ADN-së zbulon krimet më të tmerrshme duket se policia që duam ka hapur një degë të re të mjekësisë ligjore: hidrokriminologjinë. Kjo fushë novatore jo vetëm që zbulon aktivitetet e paligjshme të demonstruesve që përdorin shishe uji, por gjithashtu është zile alarmi ndaj rreziqeve të hidratimit të manifestueve.
Në analet e historisë së protestave, hetimi që u shfaq edhe live në TV do të mbahet mend padyshim për përzierjen e tij unike të këngëve, fjalimeve, 5-6 molotovëve, entuziazmit policor dhe kriminalizimit të hidratimit.
Ndërsa bota rri e shikon, shpresa është që etja për demokraci, si shishet e konfiskuara të ujit, do të mbetet e pashuar.
I mbetet Prokurorisë që të çojë më tej, hetimin e nisur nga policia dhe sigurisht që gjykata do të thotë fjalën e fundit.
Nuk dihet nëse ky hetim i imtësishëm për të zëvendësuar protestuesit që do të shpëtojnë nga amnistia por e rëndësishme është që nga sot duhet të bëjmë kujdes kur pimë ujë me bidon.
Ndërkohë materialet e sekuestruara (shishe plastike bosh dhe shishe të djegura do të kalojnë si lëndë e parë për incineratorin e Tiranës.
P.S. Turistët hollandeze që ndenjën deri në fund të manifestimit kërkuan të dinë se kur do të jetë koncerti i radhës në Bulevard?