Shkodër, arrest me burg për Sokol Mjacajn, vrasësin e turistëve çekë
Gjykata e Shkodrës vendosi masën e sigurisë “arrest me burg” për 20-vjeçarin Sokol Mjacaj, i akuzuari për vrasjen e dy turistëve çekë në Dukagjin.
Mjacaj doli para gjykatës nën masa të forta sigurie, i veshur me antiplumb, kokën mbuluar dhe i shoqëruar nga dhjetra forca të policisë.
20-vjeçari u arrestua ditën e dielë, dy ditë pas vrasjes së Mikel Svatos dhe Ana Kosinovas. Sokol Fran Mjacaj, iu dorëzua rrethimit policor në ambientet e një shkolle në fshatin Grudë në Dukagjin. 20-vjeçari i armatosur, edhe pse ka bërë rezistencë për të mos u dorëzuar, nuk ka qëlluar me armë ndaj policisë, por i është dorëzuar thirrjeve pasi ishte i rrethuar.
Policia e ndoqi Mjacën për më shumë se 16 orë, pak çaste pasi kishte dalë në përfundimin se provat rrethanore të gjetura në vendin e ngjarjen, gjurmët e gjetura në automjet dhe prova të tjera materiale të sekuestruara në vendin, ku u vranë dy çekët, të çonin në përfundimin se ai është i dyshuar si vrasës i tyre.
Në operacion u përfshinë më shumë se 350 policë mes të cilëve forcat RENEA si edhe ato të ndërhyrjes së shpejte, të cilët i krijuan përshtypjen edhe të dyshuarit se nuk do të kishte mundësi të largohej nga fshati Grudë, ku strehohej, në drejtim të kufirit.
Më herët, policia ja kishte bërë të ditur banorëve të zonës se do të penalizohej kushdo që do t’i jepte ndihmë dhe do të strehonte Mjacajn, ndaj edhe vetë i dyshuari gjeti të vetmen strehë si ndihmë një ndërtesë dykatëshe, në afërsi të shkollës 9-vjeçare.
Ai u shoqërua drejt qelive të komisariatit të Malësisë së Madhe. Mjacaj do të akuzohet për dy vrasje. Paraprakisht dyshohet nga policia se edhe këtë vrasje e kreu me qëllim grabitjeje.
Mjacaj, që kishte lënë gjurmë edhe në automjetin e turistëve, ishte një i dënuar i mëparshëm dhe në kartelën e tij kriminale rëndon edhe vrasja e një 12-vjeçari, vetëm për t’i vjedhur zinxhirin e floririt që fëmija mbante. I ndihmuar në 2010-ën edhe nga dy shokë të tjerë të tij, ai e vrau 12-vjeçarin vetëm për ta grabitur. U përpoq të fshihte krimin, duke sajuar një vendngjarje sikur ai u mbyt në lumë, në fshatin Pjollë të Dukagjinit, por hetimet policore dolën në përfundimin se fëmija ishte vrarë.
Ai e mbyti fëmijën me sende të forta. Vetë Mjacaj e pranoi këtë vrasje dhe përfitoi ulje të dënimit, për shkak se ishte në moshë të mitur kur kreu vrasjen e parë. Ai mori një tjetër ulje dënimi në Apel, çka i dha mundësinë të dilte nga burgu pas pesë vjetësh për këtë krim të kryer, ndërsa njeriu që e ndihmoi në krim mori dënimin me burgim të përjetshëm.