Shqisa e gjashtë për të cilën ndoshta s’keni dëgjuar
Kur flasim për shqisat, zakonisht mendojmë për pesë klasiket: shikimin, dëgjimin, nuhatjen, shijen dhe prekjen. Por studiuesit flasin gjithnjë e më shumë për një tjetër shqisë, shumë më pak të njohur, por jashtëzakonisht të rëndësishme për mënyrën si ndihemi: interoception.
Në shqip mund ta përkthejmë si ndjeshmëria ndaj sinjaleve të brendshme të trupit.
Me fjalë të thjeshta, është aftësia e trupit për të ndier dhe interpretuar çfarë po ndodh brenda tij: rrahjet e zemrës, frymëmarrjen, urinë, etjen, temperaturën, tensionin muskulor apo ndjesinë që diçka “nuk është në rregull”.
Në jetën e përditshme, ne shpesh nuk i kushtojmë shumë vëmendje kësaj shqise, por ajo punon gjatë gjithë kohës. Na bën të pimë ujë kur kemi etje, të heqim xhupin kur kemi vapë, të ndalim kur trupi ndihet i lodhur, ose të kuptojmë kur një situatë na bën të ndihemi të pasigurt.
Sipas psikologeve Jennifer Murphy dhe Freya Prentice, kjo shqisë ndihmon trupin të ruajë ekuilibrin e brendshëm. Por kërkimet e fundit sugjerojnë se roli i saj mund të shkojë përtej nevojave fizike.
Studiuesit po shqyrtojnë lidhjen mes kësaj ndjeshmërie të brendshme dhe gjendjeve si ankthi, depresioni, çrregullimi i stresit post-traumatik dhe çrregullimet e të ngrënit. Ideja është se mënyra si ne i lexojmë sinjalet e trupit, për shembull rrahjet e zemrës apo frymëmarrjen, mund të ndikojë në mënyrën si e interpretojmë një situatë: si të sigurt apo të rrezikshme.
Për shembull, një person me ankth mund të jetë shumë i vetëdijshëm për rrahjet e zemrës gjatë një bisede sociale. Kjo ndjesi mund ta bëjë situatën të duket më e sikletshme ose më kërcënuese sesa është realisht.
Nga ana tjetër, një studim i publikuar këtë vit tregoi se njerëzit që kishin një ndjeshmëri më të saktë ndaj sinjaleve të brendshme të trupit përjetonin më pak luhatje humori kur ishin të uritur. Ata nuk ishte se nuk ndienin uri, por dukeshin më të aftë të kishin një humor të qëndrueshëm.
Një nga fushat ku kjo shqisë po studiohet më shumë është edhe anoreksia nervore. Disa studiues mendojnë se te njerëzit me anoreksi, trupi mund t’i përpunojë ndryshe sinjalet e urisë, duke i bërë më të vështira për t’u dalluar, besuar apo interpretuar.
Megjithatë, shkenca nuk është ende plotësisht e bashkuar për këtë koncept. Disa studiues mendojnë se termi “interoception” mund të jetë shumë i gjerë dhe se nën të futen shumë procese të ndryshme trupore e mendore. Madje, ka edhe teori që thonë se njerëzit nuk kanë vetëm pesë apo gjashtë shqisa, por shumë më tepër.
Por duket gjithnjë e më e qartë është se trupi ynë na jep shumë më tepër informacion nga sa mendojmë. Rrahjet e zemrës, frymëmarrja, uria, lodhja, tensioni, qetësia apo parehatia nuk janë thjesht ndjesi të rastësishme. Janë sinjale dhe ndoshta një pjesë e mirë e mirëqenies nis pikërisht aty: te aftësia për t’i dëgjuar këto sinjale pa i injoruar, pa i ekzagjëruar dhe pa i kthyer menjëherë në alarm.
-
-
-
-
Anatomia e një britme: Çfarë po shëron shoqëria shqiptare në shesh?
25 Qershor, 13:59
-








Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.