Shumë arsye të ikë Rama, por asnjë arsye të vijë Berisha
Nga Shpëtim Luku
Me rizgjedhjen e afërt të Sali Berisha në krye të Partia Demokratike e Shqipërisë, duket gjithnjë e më qartë se status quo-ja politike në Shqipëri do të vazhdojë edhe për një kohë të gjatë. Vendi drejtohet prej katër mandatesh nga i njëjti kryeministër, Edi Rama, dhe është krejt normale që një pushtet kaq i gjatë të prodhojë konsumim, lodhje dhe deformime në qeverisje.
Janë të shumta arsyet pse një rotacion politik do t’i shërbente vendit. Pas më shumë se një dekade në pushtet, qeveria është përballur me akuza të vazhdueshme për korrupsion, arrogancë administrative, kapje institucionesh, largim masiv të të rinjve, dobësim të meritokracisë dhe rritje të hendekut mes qytetarëve dhe shtetit. Edhe ata që dikur e mbështetën me bindje këtë qeverisje, sot kanë jo pak dyshime mbi energjinë dhe vullnetin e saj për të luftuar fenomenet negative që janë rrënjosur në administratë dhe në jetën publike.
Pra, arsyet pse Edi Rama duhet t’i hapë rrugë një alternative të re janë të shumta. Një vend demokratik ka nevojë për qarkullim elitash, për ide të reja, për energji të reja dhe për besim të ri publik. Asnjë pushtet i gjatë nuk mbetet imun ndaj konsumimit.
Por nëse ekzistojnë dhjetëra arsye pse Rama mund të largohet, nuk duket se ekziston asnjë arsye bindëse pse vendin duhet ta marrë sërish Sali Berisha.
Elektorati shqiptar i ka mbyllur llogaritë politike me të që në vitin 2013. Humbja e asaj kohe nuk ishte thjesht një rotacion i zakonshëm pushteti; ishte një refuzim i një modeli qeverisjeje që kishte prodhuar konsumim, polarizim të skajshëm dhe një bilanc të rëndë konfliktesh politike e sociale. Që prej asaj kohe, Berisha ka pasur disa mundësi për të provuar nëse shoqëria shqiptare kishte ndryshuar mendim për të. Rezultati ka qenë pothuajse i njëjtë: një pjesë e konsiderueshme e shqiptarëve nuk e shohin më si alternativë për të ardhmen.
“Kurrë mos thuaj kurrë”, thotë një shprehje e njohur. Por në rastin e Sali Berisha, duket sikur një pjesë e madhe e elektoratit vazhdon të thotë: “kurrë më”.
Dhe pikërisht këtu qëndron drama e opozitës shqiptare. Shqipëria ka nevojë për opozitë të fortë, moderne dhe bindëse, jo për rikthime nostalgjike që prodhojnë vetëm përplasje të vjetra dhe riciklim figurash të konsumuara. Një opozitë që synon të fitojë duhet të ngjallë shpresë për të ardhmen, jo të rikthejë konfliktet e së shkuarës.
Prandaj, rizgjedhja e Berishës mund t’i shërbejë llogarive personale apo kontrollit të brendshëm të partisë, por vështirë se i shërben interesit publik. Sepse problemi i Shqipërisë sot nuk është vetëm largimi i një pushteti të konsumuar. Problemi më i madh është mungesa e një alternative që të bindë shqiptarët se e nesërmja mund të jetë realisht më e mirë.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.