Bota

Si po e instrumentalizon Putini tragjedinë e “Malaysia Airlines”

putinRrethanat që sollën rrëzimin e avionit të pasagjerëve të shoqërisë ajrore malajziane në Ukrainën Lindore, ende nuk janë sqaruar. Por, megjithatë, ka indekse të asaj se një raketë e prodhimit tokë-ajër rus, ka sjellë rrëzimin e avionit – si pasojë e ngatërrimit të objektivit me një avion ushtarak ukrainas. Këtë gjithsesi, Vladimir Putin e mban si të pamundur, madje duke e bërë Ukrainën fajtore për katastrofën. Justifikimi i tij në lidhje me këtë është se tragjedia ka ndodhur në territorin e Ukrainës, duke e kaluar dhe masën e cinizmit “të pranueshëm”. Kontrolli mbi territorin ku ndodhi ngjarja i takon sovranitetit zyrtar të Ukrainës, i cili, në mënyrë të dhunshme, po cenohet dita-ditës nga një agresion i nxitur nga Rusia. “Tragjedia e tmerrshme”, – vijon më tej Putini, nuk do të kishte ndodhur nëse në Ukrainën Lindore nuk do të kishte pasur një luftë. Ky është edhe rasti ku ai dëshiron t’ia lërë topin në fushë me kënaqësi Presidentit ukrainas, Petro Poroshenko, pasi ky i fundit para tri javëve nuk deshi ta zgjaste një armëpushim dhjetëditor me rebelët. Me këtë akt, rrethana e vërtetë e marrëdhënies shkak–pasojë, përdridhet në mënyrë të paturpshme.

Ukraina është viktimë e një invazioni të fshehur

Nuk ka sulmuar Ukraina një vend të huaj. Përkundrazi, ajo shumë më tepër është vetë viktimë e një invazioni të kamufluar nëpërmjet një fqinji shumë më të fuqishëm dhe ka çdo të drejtë të mbrohet ushtarakisht kundër tij. Dhe që të tilla përplasje ushtarake kanë të tilla pasoja, kjo dihet. Poroshenko nuk mund ta pranonte dot me një armëpushim që thyhej sistematikisht nga rebelët separatistë. Vijimi i tij do t’i kishte shërbyer më së shumti milicëve pro-rusë të armatosur e të shtyrë nga Moska, që të forconin edhe më shumë pushtetin e tyre. Përpjekje serioze nga Kremlini për të kontrolluar dhunën kriminale të trupave të lidhura me të, nuk u panë në dritë. Kievi e njohu në kohë dhe drejt faktin se të tilla përpjekje do të mungonin gjithnjë të vinin nga Moska. Në fakt, ushtria ukrainase ia doli që të rikthente nën hyqmin e vet Slavjanskun, duke i shtyrë separatistët në difensivë. Mirëpo, megjithëse strategjia e tij e pushtimit pati rënë tashmë në një qorrsokak, Putini po i shërben synimit të tij që të mbajë nën kontroll të vazhdueshëm Jugun dhe Lindjen e Ukrainës, duke e mbajtur shtetin ukrainas gjithnjë në gjendje alerti, e që në një mënyrë të mos dorëzohet kurrë. Në këtë hap, kalkulimet e tij të mëparshme se një pjesë e popullsisë pro-ruse të Ukrainës do t’i bashkëngjitej me krenari një kryengritje të nxitur e të përkrahur nga Moska, nuk do të shkonin kot. Milicët pro-rusë i kanë shndërruar zonat e tyre të kontrollit në gjendje permanente të mungesës së ligjit dhe e justifikojnë pushtetin e tyre, duke e mbrojtur me grykën e pushkës. Pak kohë më parë, “Amnesty International” deklaroi cenime serioze të të drejtave të njeriut në Ukrainën Lindore, duke renditur ndër to torturat dhe qindra raste rrëmbimesh, të cilat më së shumti ishin kryer nga separatistët pro-rusë – ku, siç konstatohej, në asnjë rast nuk përjashtohej edhe pjesa e fajeve të kryera nga ukrainasit besnikë të qeverisë, por që gjithsesi, raporti mes dy palëve, është shumë i zhdrejtë.

A janë të mundura “helmetat blu” ruse?

Për këtë, Putini do të donte të vepronte duke çliruar më parë territore e më pas të kalojë në ofensivë, por kjo mund vetëm të spekulohet. Shumëçka flet për këtë se ai ndoshta nuk u beson më liderëve pro-rusë në territoret separatiste ukrainase dhe në këtë mënyrë dëshiron ta marrë vetë në dorë direkt këtë çështje. Në këtë përpjekje, ai ka rënë vazhdimisht nën presionin e forcave ultranacionaliste ruse në vendin e vet, të cilët ai vetë në fakt i ka sponsorizuar gjatë viteve të mëparshme. Ata kërkojnë prej tij marshimin e hapur të forcave ruse në territoret e Ukrainës Lindore. Mirëpo, sa e mundur është ideja që kreu i Kremlinit të urdhërojë një invazion masiv, madje të së gjithë Ukrainës? – Kjo mund ta çonte atë në një konfrontim direkt me NATO-n. Kaq i madh është rreziku, saqë ai duhet t’i shërbejë më shumë idesë së një intervenimi të kufizuar e të kamufluar nën maskën e “Misionit Paqeruajtës”. Mbështetja propagandistike për këtë, që të lejojë marshimin e “helmetave blu” ruse, mund t’i sillte atij një “katastrofë humanitare”, që gjoja do të shkaktohej nga ofensiva ukrainase në zonat lindore. Por edhe hedhja e pretenduar e raketave nga pala ukrainase në territorin rus, është bërë gati nga ana e aparatit të tij propagandistik, si një arsye e mundshme apo shkas për akte ushtarake të “vetëmbrojtjes”.

Shkatërrimi i Ukrainës nuk mund të jetë çmim për paqen

Reagimet e para të Putinit pas katastrofës me avionin malajzian dëshmojnë se ai dëshiron ta inkorporojë edhe këtë tragjedi të tmerrshme në strategjinë e tij, për t’u inskenuar vetë si nxitës i paqes dhe i rregullit në zonat që vazhdimisht kërcënohen nga kaosi e mungesa e shtetit ligjor. Në faktin se ai i ofron udhëheqjes ukrainase sistematikisht dëshirën për paqe e aftësinë për ta nxitur atë, ai mund të spekulonte se opinioni publik ndërkombëtar në fund do të mund të gjente një lehtësim për këtë krizë, kur dikush mund ta pengonte këtë spirale dhune – qoftë ky madje, në emër të Zotit, edhe vetë Putini. Teoritë e konspiracionit që po shpërndahen nga aparati propagandistik rus, duke e parë aksidentin e avionit malajzian si “provokacion” nga Ukraina, dëshmojnë në drejtim të një instrumentalizimi të tillë të fatkeqësisë. Edhe fakti se separatistët pro-rusë njoftuan se kanë dashur ta dërgojnë kutinë e zezë të avionit në Moskë, nuk tregon për ndonjë hap pozitiv në lidhje me shanset për të gjetur të vërtetën, duke sjellë boshllëqe në shpjegim. Mirëpo për një opinion përfundimtar, është shumë herët të flitet. Me akuzat e saj të shpejta e të drejtpërdrejta ndaj Kremlinit, qeveria ukrainase, sidoqoftë, nuk ka bërë një përshtypje të mirë. Ajo zgjoi më shumë përshtypjen se rasti tragjik i rrëzimit të avionit malajzian nga ana e saj, është dashur e është pritur të përdorej sa më parë për arsye propagandistike. Sidoqoftë, tmerri që ngjalli fatkeqësia, nuk duhej të na çonte ne drejt një retorike të distancuar, pas së cilës për dhunën në Ukrainën Lindore të gjithë; agresorë dhe të sulmuar, të trajtoheshin në mënyrë të barabartë në përgjegjësi. Asgjë nuk është më e dëshiruar se sa të mposhten armiqësitë. Mirëpo kjo nuk duhet të bëhet me çmimin e copëtimit e me këtë, të shkatërrimit faktik të Ukrainës. Paqja e vërtetë mund të negociohet vetëm atëherë kur Rusia t’i japë fund pretendimeve të saj mbi fqinjin e vet. Por, për këtë, momentalisht nuk shihet aspak dritë në fund të tunelit.

Marrë nga “Die Welt”

Related Articles

Nje koment

  1. Ne Palestine jane vrare me shume femije se sa gjithe pasagjeret e avionit malajzian. Pa dashur te minimizoj kete akseident po Obama dhe Krry si dhe keto republikat banana te Evropes me shume po I japing rendesi avionit maljazian te rrezuar ne Ukraine nga kush nuk dihet se sa vrasjeve te Palestine. Ky eshte nje turp. Nga ana tjeter pse nuk merren me kaq serioyitet me avion e pare malajzian qe u shduk apo u fundos ne ndonje pjese te oqeanit sigurisht I qelluar nga ndonje rakete e bazave ne oqean .. Keto jane lodra te felliqura politike. Aksidenti me avionin malajzian ndodhi pikerisht disa dite pas BIRCKS….

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button