Politika

Sot zgjedhjet e pjesshme vendore, nis procesi i votimit në 6 bashki

654,538 shtetas shqiptarë do t’i drejtohen sot kutive të votimit për të zgjedhur kryetarët e rinj në bashkitë Vorë, Shkodër, Durrës, Dibër, Lushnje e Rrogozhinë mes kandidatëve të PS, PD dhe koalicionit “Shtëpia e Lirisë” të përbërë nga LSI dhe PDK.

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirian Celibashi këtë të shtunë deklaroi se në Shkodër nuk ka filluar procesi në tre qendra votimi. Në Dibër ka filluar procesi i votimit në të gjitha qendrat e votimit, në 18 qendra kemi probleme për shkak të ndërprerjes së energjisë elektrike.

09:59 Komisionerët bllokohen nga dëbora, flasin për TCH

Kushtet e vështira të motit në Shkodër kanë bërë që komisionerët të bllokohen nga dëbora dhe të mos mbërrijnë në qendrat e votimit në Shosh dhe Pult, ndonëse prej 3 orësh ka nisur orari zyrtar i procesit të votimit në 6 bashkitë e vendit. Në një lidhje telefonike për Top Channe, komisioneri i PS, Mir Cezmja tha se dëbora është shumë e madhe dhe makinat nuk arrijnë të ecin.

09:53 Voton Eriselda Sefa: Do të sjell ndryshe modelin e qeverisjes

Kandidatja e PS për bashkinë e Lushnjes, Eriselda Sefa ka folur para mediave pasi ka votuar. Në fjalën e saj para gazetarëve, Sefa deklaroi se shpreson që pjesëmarrja të jetë e madhe dhe qytetarët të shkojnë në qendrën e votimit me qetësi dhe thjeshtësi. Sipas saj, procesi i fushatës ka qenë i qetë, duke theksuar bindjen se do vazhdojë të jetë i tillë deri në fund.

09:46 20 ekipe të BE-së, në terren për të monitoruar procesin zgjedhor

Skuadra e Bashkimit Evropian (BE) në Shqipëri këtë të dielë është ndarë në gjashtë bashkitë e vendit, për të monitoruar procesin zgjedhor me 20 ekipe. Këtë e ka bërë të ditur zyra e BE-së në Shqipëri, përmes një postimi në median sociale Twitter. Bëhet fjalë për Bashkinë e Durrësit, Vorës, Lushnjës, Rrogozhinës, Dibrës dhe Shkodrës.

09:30 Zgjedhjet në Shkodër, nuk ka nisur ende votimi në disa qendra në Pult dhe Shosh. Bllokohen në dëborë komisionerët

Në disa qendra në Dukagjin nuk ka nisur ende votimi për shkak të kushteve të motit. Komisionerët pretendojnë se janë  se janë të bllokuar në rrugë nga dëbora dhe nuk kanë mbërritur ende. Ata nuk përgjigjen as në telefon pasi janë në një zonë ku nuk ka valë.

09:25 Simpatizanti i “Shtëpisë së Lirisë” ofendon komisionerin e PD në Durrës

Një incident ka ndodhur në qendrën e votimit 1499 në Durrës. Një mbështetës i shtëpisë së Lirisë, Fatjon Shtufi ka ofenduar komisionerin e PD, Fatmir Mezini. Policia e Durrësit ka mbërritur për të marrë kallëzimin nga komisioneri i PD për inicdentin që ndodhi pak minuta më parë. Pasi është këshilluar dhe ka marrë njoftimin nga KZAZ, ka ardhur për të kryer procedurat. Oficeri i policisë gjyqësore po merr detajet e këtij incidenti nga komisioneri i PD.

09:22 4 njësi administrative pa drita në Dibër, 11 qendra po zhvillojnë votimin manualisht

Katër prej njësive administrative në Dibër kanë mbetur pa energji elektrike për shkak të kohës së keqe. Mësohet se pa energji elektrike ka mbetur Selishta, Arrasi dhe Sllova, ndërsa 11 qendra votimi po zhvillojnë procesin manualisht.

08:38 Në QV nr.1436 afër spitalit të Durrësit, për shkak të ngatërrimit të pajisjes së identifikimit elektronik PEI, procesi i votimit sapo ka nisur, me 1 orë e gjysëm vonesë.

08:30 KQZ: Votuar 4.268 nga 407.162 zgjedhës  në listën e qendrave të votimit të raportuara.

08:16 Voton kandidati i PD në Durrës, Luan Hoti: Dilni dhe votoni! Votoni për veten tuaj

Kandidati i PD-së për bashkinë e Durrësit Luan Hoti, njëkohësisht dhe kryetar i degës lokale të PD, ka votuar në një nga QV që ndodhet në godinën e universitetit ”A.Moisiu” në Currila. Pas votimit, ai ftoi qytetarët durrsakë që t’i drejtohen qendrave të votimit dhe t’i kthejnë Durrësin qytetarëve.

”Kam vetëm një mesazh për qytetarët e Durrësit. I ftoj që të dalin të votojnë si njerëz të lirë, të votojnë për familjet e tyre, për fëmijët e tyre dhe të ardhmen e qytetit. Të votojnë që t’i japin fund marrjes peng të qytetit dhe bashkinë t’ia rikthejmë Durrësit, qytetarëve të Durrësit.”

Aktualisht pjesëmarrja në votim është e ulët.

07:44 Ngërç në Vorë, përfaqësuesi i PD: KAS refuzon të emërojë komisionerët sipas listës që i ka dërguar Celibashi

Ka pasur ngërç në KZAZ 26 në Vorë. PD kishte dërguar 104 kandidatë për kryetarët, anëtarët dhe sekretarët e qendrave të votimit. KZAZ 25 nuk ka pranuar t’i regjistrojë për shkak se nuk ishin banorë të zonës.

Celibashi ka hapur thirrjen për aplikim dhe në faqen e KQZ kanë shfaqur interes 110 persona. Nga verifikimi i KZAZ 26 ka rezultuar se ato janë të njëjtit kandidat që kishte propozuar PD dhe janë referuar.

Përfaqësuesi i PD në KQZ tha për Top Channel se: “Mbrëmë në orën 02:00, KAS mori vendim që KZAZ të emërojë komisionerët sipas listës që i ka dërguar Celibashi, ata refuzojnë ta bëjnë”.

07:39 Nis votimi në një prej qendrave te votimit në Vorë.

07:34 Hapet procesi i votimit në Dukagjin. Nisi me vonesë për shkak se komisionerët mbërritën në fshat në orët e para të mëngjesit.

07:33 Reagimi i kryeministrit Edi Rama

Kryeministri Edi Rama ka reaguar në Facebook për zgjedhjet e pjesshme vendore. Rama uron të diel të qetë teksa fton qytetarët e 6 bashkive në Shqipëri që të ushtrojnë të drejtën themelore demokratike për të zgjedhur.

Nuk mungon komenti i Ramës edhe për situatën e luftës në Ukrainë teska thotë se “Në lindje të Europës, po makasrohen për të mos e humbur atë të drejtë bashkë me demokracinë”.

07:31 Nis votimi edhe në qendrat e votimit 2227 dhe 2228 në Rrogozhinë.

07:29 Dy qendra janë vendosur pranë shkollës së mesme Jani Nushi në Lushnje. Deri në këto momente nuk ka asnjë problem sa i përket komisionerëve apo vëzhguesve.

07:24 Nis procesi i votimit edhe në 2 prej 5 qendrave në Breg të lumit në Dukagjin

07:19 Nis procesi i votimit në një nga qendrat e votimit në shkollën Xhorxh Soros në Rrogozhinë. Në disa qendra të tjera ka probleme me funksionimin e kamerave, ende nuk ka nisur procesi. Në disa prej tyre mungojnë edhe disa nga komisionerët e PD.

07:13 Në një nga qendrat e votimit te shkolla Xhorxh Soros nuk kanë mbërritur ende të gjithë komisionerët pasi nuk ka nisur procesi i votimit.

7:08 Në 4 qendrat e votimit tek gjimanzi “Isa Boletini” në Vorë nuk kanë mbërritur komisionerët e PD

6:58 Mungon anëtari i PD në një qendër votimi në Lushnje

Në bashkinë e Lushnjes, mungon anëtari i Partisë Demokratike në qendrën e votimit 2865, KZAZ 65 ndërsa pritet zëvendësimi i tij.

Të zgjedhurit në këto votime do të kenë një mandat 1-vjeçar. 10,134 zgjedhës votojnë për herë të parë. Në 6 bashkitë, qendrat e votimit do të jenë të hapura nga ora 07:00-19:00.

Në të gjitha qendrat e votimit do të jetë identifikimi elektronik, ndërsa në Vorë votimi dhe numërimi do të jetë elektronik ku rezultati do të bëhet me dije menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve. Për pesë bashkitë e tjera, rezultati pritet të dalë brenda 48 orëve ose më parë, ka njoftuar para disa ditësh kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi. Zgjedhjet e pjesshme vendore u dekretuan nga Presidenti Meta më 20 janar të këtij viti.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button