Bota

Stuhia e tmerrshme godet Sidnein në Australi, pa viktima

Të dukej sikur sapo të kishte kaluar afër një tren i shpejtësisë së lartë. Kaq fjalë i mjaftuan një banori të Sidneit në Australi, për të përshkruar stuhinë e fuqishme të përplasur mbi qytet, e tornadon që shkuli nga vendi çatitë e disa shtëpive.

Një stacion meteorologjik regjistroi në New South Wales shpejtësinë më të lartë të erës, që ishte parë ndonjëherë: 213 km në orë. Zona më e goditur prej tyre rezulton Kurnelli, në kepin jugor të gjirit Botany.

Vala e shkatërrimeve është e dukshme. Stuhia la pas godina të dëmtuara, pemë të rrëzuara në tokë, linjat e energjisë elektrike të shkëputura, ndërsa dy persona përfunduan në spital, njëri me plagë në kokë, tjetri në gjendje shoku.

Fatmirësisht, të lënduar rëndë nuk ka. Dëmet kanë qenë më së shumti materiale, me të paktën 25 prona të shkatërruara, disa nga të cilat u shpallën të pabanueshme. Drejtues të Shërbimit shtetëror të Emergjencave e përshkruan këtë si një goditje të fortë për komunitetin e Kurnellit, që për më tepër vjen vetëm një javë përpara Krishtlindjes.

Punonjësit e këtij shërbimi u janë përgjigjur më shumë se 500 kërkesave për ndihmë, ndërsa ka pasur 11 shpëtime nga përmbytjet, përfshirë këtu persona të bllokuar në makinat e tyre, që vërshimi i ujërave i zuri në befasi. Si të mos mjaftonin erërat e furishme, disa zona si Sutherland Shire u përballën dhe me një breshër të pazakontë, i cili mbërrinte gati madhësinë e një molle.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button