Ekonomia

Tatimi dhe biznesi i vogël

kasaNga Kasem Seferi

Që ekonomia të zhvillohet, është me shumë interes që të bëhen ligje dhe të detyrohen bizneset që t’i përmbushin kërkesat e tyre. Por, nga ana tjetër, ligjvënësit duhet të informohen rreth ndryshimeve të shpejta të praktikave të biznesit që ligji të modernizohet, duke ndjekur atë çfarë bën biznesi; pra, më saktë se sa t’i tregohet biznesit çfarë duhet të bëjë. Problemi i të rreshtuarit të përmbushjes së kërkesave të legjislacionit tatimor krah për krah me moralin e tatimpaguesve bëhet, veçanërisht, akut kur veprimtaritë e biznesit kanë kosto, që rezultojnë nga faktorë të jashtëm dhe, në këto rrethana, nxitësit e paqartë që përmban legjislacioni tatimor pengojnë zbatimin e normave nga të gjithë tatimpaguesit e interesuar, gjë që nuk bën të mundur që të zvogëlohet ndikimi i faktorëve të jashtëm.

Sikundër po shihet këto ditë në aksionin kundër informalitetit subjekti i administrimit tatimor është shumë i rëndësishëm për qeverinë, në lidhje me rolin kyç që luan rritja e të ardhurave tatimore për restaurimin e balancës makroekonomike, si dhe për politikat tatimore dhe efektet e tyre mbi ekonominë në përgjithësi, pasi administrata tatimore luan një rol kyç në përcaktimin e një sistemi tatimor real (ose efektiv), si e kundërta e një sistemi tatimor detyrues.

Në të vërtetë, ndërmjet specialistëve të politikave tatimore të vendeve në zhvillim, është rritur bindja se ndryshimi i politikave tatimore, pa u shoqëruar me ndryshime administrative thuajse nuk është gjë dhe për këtë arsye është kritike të sigurosh që ndryshimet në politikën tatimore duhet të përputhen me kapacitetin administrativ, sepse në kuptimin e vërtetë, administrimi i tatimeve është vetë politika tatimore. Administratë e mirë tatimore nuk është thjesht ajo që mbledh më shumë të ardhura, por mënyra që zgjedh dhe përpjekjet që administrata bën për të gjeneruar të ardhura të ketë efekt të njëllojtë mbi barazinë e trajtimit të tatimpaguesve, mbi fatin politik të qeverisë dhe mbi nivelin e mirëqenies ekonomike; një administratë e dobët profesionalisht mund t’i mbledhë të ardhurat nga sektorë që janë të lehtë për t’u tatuar; prandaj, niveli i mbledhjes së të ardhurave tatimore është një masë e pasofistikuar e efektivitetit të administratës tatimore, sepse masa më e saktë është përmasa e boshllëkut në përmbushjen e kërkesave të legjislacionit tatimor, pra boshllëkut ndërmjet të ardhurave tatimore potenciale dhe atyre që mblidhen, si dhe variacioni i këtij boshllëku ndërmjet sektorëve të ndryshëm. Kapaciteti i kufizuar administrativ lidhet ngushtë me reformën tatimore në vendet në tranzicion. Studimet në lidhje me evazionin tatimor në disa prej këtyre vendeve tregojnë se nuk është e pazakonshme që të mos mblidhen gjysma, ose më shumë e të ardhurave tatimore potenciale. Problemet nuk janë më mirë edhe me pjesën më të madhe të tatimeve të tjera. Dëshmitë sasiore të pamjaftueshme pajtohen me perceptimin e përbashkët se ka një evazion tatimor të përhapur në pjesën më të madhe të vendeve në tranzicion.

Reformimi i biznesit të vogël

Kur vjen fjala për reformimin e tatimit mbi biznesin e vogël, nuk ka dyshim se drejtimet kryesore të tij janë: (i) inkurajimi i formalizimit dhe (ii) rritja ekonomike e biznesit të vogël; por reformimi i sistemit tatimor për bizneset e vogla është i komplikuar dhe ende nuk ka ndonjë përvojë, që të njihet si më e mira në praktikë dhe që i ka zgjidhur të gjitha çështjet që ngre zbatimi i një sistemi tatimor të thjeshtë, të administrueshëm dhe me trajtim të paanshëm të tatimpaguesve. Kur merret në konsideratë tatimi mbi biznesin e vogël për vendet në tranzicion vetëm nga perspektiva e të ardhurave, shpesh, potenciali i tij shihet në kuadër të përfitimit të një baze më të gjerë tatimore, e cila në një periudhë afatmesme deri afatgjatë nuk mund të ketë të ngjarë të kompensojë kostot e larta të administrimit të tatimpaguesve të biznesit të vogël.

Një regjim i mirë tatimor për firmat e vogla është mjeti kyç i politikës për t’i hapur rrugën daljes nga “kurthi i informalitetit” dhe rritjes së ulët ekonomike, së drejtës së kufizuar të hyrjes në tregje dhe përjashtimit nga shërbimet financiare; sektori formal i biznesit të vogël çon përpara marrëdhëniet reciproke ndërmjet shtetit dhe pjesës më të madhe të qytetarëve të tij, të përfshirë në veprimtari ekonomike të shkallës së vogël. Edhe pse parametrat për një regjim të mirë të tatimit mbi biznesin e vogël duken relativisht të lehtë, strategjitë krijuese dhe të suksesshme për të inkurajuar formalizimin e tyre janë jetëshkurtra, në qoftë se zbatimi në praktikë i ligjit të tatimit mbi biznesin e vogël nuk bëhet me kosto minimale, me kërkesa në raport me kapacitetin dhe aftësitë profesionale të tatimpaguesit (p.sh. në kontabilitet), si dhe me shumë pak ndërhyrje të zyrtarëve për të kufizuar mundësitë për korrupsion.

Përmbushja e kërkesave të legjislacionit tatimor duhet të lidhet me të qenët formal dhe me kostot administrative të menaxhimit të tatimpaguesve të biznesit të vogël, që duhet të jenë në kufirin e minimumit të burimeve dhe kapacitetit të shtrënguar të administratës tatimore; por kombinimi dhe përputhja e këtyre objektivave, në një strategji të detajuar në veprime, është e vështirë, sepse politikëbërësve tatimorë u duhet të përballen gjithnjë me një balancë të pranueshme ndërmjet thjeshtësisë, qartësisë, eficencës dhe mundësive administrative.

 Opsionet

Ka disa opsione, por jo një projekt të një sistemi të qartë, të thjeshtë dhe transparent që zvogëlon kostot e përmbushjes së kërkesave të legjislacionit nga firmat e vogla dhe kostot administrative të administratës tatimore, që lidhen me veçoritë e vendit dhe traditën ligjore, gjë që kërkon zgjidhje individuale sepse regjimet e suksesshme tatimore, nganjëherë varen më shumë nga cilësia e administratës tatimore se sa nga projektimi i instrumenteve të drejtë, prandaj, projektimi i regjimit të tatimit mbi biznesin e vogël nevojitet të udhëhiqet nga cilësia e institucioneve që merren direkt me tatimpaguesit e biznesit të vogël. Masat reformuese mund të ofrojnë një procedurë të thjeshtuar, bazuar në kushtet e përgjithshme të sistemit tatimor ekzistues, me të njëjtat instrumente që shtrihen për firmat më të vogla, rrugëzgjidhje relativisht e përbashkët më shumë në vendet e zhvilluara, ndërsa në vendet me nivele të larta të informalitetit, nisja nga sistemi i përgjithshëm mund të justifikohet për të inkurajuar formalizimin e SME–ve.

Në këto raste prezantohet një tatim i vetëm i marrë me mend për të zëvendësuar të gjitha mjetet e tjera fiskale. Sistemet tatimore të marrjes me mend zakonisht bazohen mbi qarkullimin, duke supozuar se pjesa më e madhe e firmave i monitoron arkëtimet me para në dorë, ose në tregues të veçantë (për shembull, sipërfaqja, numri i punëmarrësve, ose konsumi i energjisë), ose një kombinim i të dyjave; qarkullimi mund të tatohet në mënyrë direkte me një përqindje të vogël, që përdoret për të përcaktuar të ardhurat e vlerësueshme bazuar mbi faktorin që përafron përfitueshmërinë. Ideja kryesore që qëndron pas të gjitha skemave të tatimit të marrë me mend është zvogëlimi i kohës dhe i kostove të përmbushjes së kërkesave të legjislacionit tatimor si nga tatimpaguesit, ashtu dhe administrata tatimore. Por, jo rrallë këto regjime kanë këmbyer qartësinë për thjeshtësinë dhe kanë paraqitur shtrembërime në sistem, sepse treguesit që përdoren zakonisht janë ndërmjetës të papërpunuar për përfitueshmërinë e biznesit dhe kështu sistemet e bazuar te qarkullimi janë të rënda për firmat me fitime bruto të vogla dhe bujare për ato me fitime bruto të mëdha; për të promovuar përmbushjen e kërkesave të legjislacionit tatimor kërkohen dhe rekomandohen në mënyrë të vazhdueshme regjimet e veçanta dhe të thjeshtëzuara për bizneset e vogla.

Shumë vende, për tatimpaguesit e vegjël, zbatojnë tatimin e marrë me mend, por rezultatet kanë qenë të përziera, sepse përsëri, në pjesën më të madhe të këtyre vendeve, sfida më e madhe është ajo që puna për tatimin e marrë me mend duhet të bëhet në nivelin administrativ; administrimi i bizneseve të vogla nuk mendohet duke marrë në konsideratë administratën tatimore dhe programet e asistencës teknike, gjë që vjen si rezultat i raportit të ulët kosto/përfitim që ka administrimi i tatimpaguesve të biznesit të vogël nga perspektiva e të ardhurave. Nëse prezantohet ose jo një tatim i veçantë, është e domosdoshme një rrugëzgjidhje administrative për bizneset e vogla, sepse kostot e vogla të përmbushjes së kërkesave të legjislacionit tatimor janë thelbësore për inkurajimin e formalizimit, sepse koha dhe ngarkesa financiare e përmbushjes së kërkesave të legjislacionit tatimor është relativisht më e madhe për bizneset e vogla. Instrumentet për të arritur eficencat e bazuara në shkallë të lartë përfshijnë mjetet e një administrate tatimore moderne: vetëvlerësimin e bërë nga tatimpaguesit e biznesit të vogël, kontrollin tatimor administrata tatimore duhet ta bazojë në analizën e riskut, shërbimet e mbështetjes dhe zgjidhjet teknologjike.

Megjithatë, prezantimi i këtyre mjeteve kërkon përgatitje të kujdesshme; për shembull, vetëvlerësimi kërkon të dhëna që shumë biznese të vogla mund të mos jenë në gjendje t’i sigurojnë pa shërbimet e mbështetjes; zakonisht administrata tatimore duhet të zhvillojë, gjithashtu, besimin e përgjithshëm të tatimpaguesit të vogël, duke kryer vetëm pak kontrolle të bazuar në risk. Një studim i fundit bërë nga ekspertë të vendeve të ndryshme anëtare të BE–së, mbi baza empirike, doli në përfundimin se mesatarisht (i) një biznesi me më pak se dhjetë punëmarrës i duhet të përballet me një barrë (matur për një punëmarrës) afërsisht dy herë më të lartë se barra e një biznesi me më shumë se dhjetë punëmarrës, por më pak se njëzet punëmarrës dhe (ii) tre herë më të madhe se një biznes me njëzet punëmarrës, por me më pak se pesëdhjetë punëmarrës; për biznese me më shumë se pesëdhjetë punëmarrës, barra e zbatimit të legjislacionit tatimor për një punëmarrës është vetëm një e pesta e biznesit të vogël. Pra, kosto e përmbushjes së kërkesave të legjislacionit tatimor përbën një prej elementeve më të rëndësishme të kostos së përgjithshme të përmbushjes së kërkesave të mbarë legjislacionit tatimor dhe, në këtë kuptim, diferenca e barrës së përmbushjes së kërkesave të legjislacionit tatimor ndërmjet bizneseve të mëdha dhe bizneseve të vogla mund të shihet edhe te kostot e lidhura me përmbushjen e kërkesave të legjislacionit tatimor. Deri në vitin 2005, taksa vendore për biznesin e vogël, kundrejt totalit të buxhetit të shtetit, kontribuonte me 6%, ndërsa në vitin 2006, kur me ligj u përgjysmuan përqindjet nga 3 në 1,5%, kjo taksë kundrejt totalit kontribuoi me 4%. Mbledhja e taksës vendore për biznesin e vogël, me ligj, iu transferua qeverisjes vendore në vitin 2007. Për t’i përfshirë bizneset informale në potencialin e rritjes ekonomike, është e rëndësishme të synohen ato që ka të ngjarë të përfitojnë në mënyrë domethënëse nga të bërit biznes formal: këta sipërmarrës do ta shohin vlerën e të bërit biznes formal në hyrjen në tregje të reja dhe në shërbimet financiare, si dhe në realizimin e sigurisë të posedimit dhe investimeve. Hyrja e bizneseve të vogla në ekonominë formale influencohet nga besimi i tyre tek administrata, besim ky që formohet nga perceptimet e tyre, të cilat mund të ndryshohen nëpërmjet përmirësimit të ndihmës, shërbimeve të synuara dhe dialogut publik – privat për të angazhuar sektorin privat që nga fillimi në procesin e reformës.

 Lëvizja e bizneseve informale në ekonominë formale

Lëvizja e bizneseve informale në ekonominë formale, nëpërmjet të tatuarit, kërkon një proces të thjeshtë që mund të përdoret lehtësisht madje nga bizneset e vogla; përveç sfidave të nxjerra në dritë më lart, rrugëzgjidhja më e thjeshtë – një tatim i marrë me mend i bazuar mbi qarkullimin – mund të jetë zgjidhja më e përshtatshme për një vend në tranzicion me sektorë të konsiderueshëm informalë. Prandaj një tatim i vetëm do të ishte, veçanërisht, i dobishëm në një vend me tatime me shumë “telashe” edhe në qoftë se miradministrohen, sepse ka të ngjarë të ketë një efekt të fortë sinjalizues që do t’i inkurajonte sipërmarrësit informalë të bëheshin përmbushës të kërkesave të legjislacionit tatimor.

Shpesh, është i domosdoshëm projektimi i instrumenteve të reja me qëllim për të bërë të mundshëm përmirësimet administrative, por që janë të pamjaftueshme pa reformën e përditshme të administrimit, sepse perceptimet mund të ndryshohen në të gjitha anët që të ndërtohet kultura e përmbushjes së kërkesave të legjislacionit tatimor; shërbime më të mira që nga fillimi dhe integrimi i sektorit privat në procesin e reformës mund të kërkojë shumë kohë për të ndërtuar besimin e tatimpaguesve të biznesit të vogël dhe administratës tatimore; përveç kësaj, përfitimet e krijuara sërishmi të formalitetit nevojiten të lidhen me përmbushjen e kërkesave të legjislacionit tatimor.

Nuk është rastësi që filozofi i madh anglez, David Hume, në një ese të tij, ve në dukje: “Më dëmtues për të gjithë tatimet është arbitrariteti”. Përvoja e dy dekadave ka vërtetuar se cilësia e administratës tatimore ka influencuar klimën e biznesit në vend, veçanërisht në rastin e firmave të huaja, që mendojnë për të investuar në Republikën e Shqipërisë, të cilat nuk interesohen vetëm rreth sistemit formal tatimor por gjithashtu rreth asaj se si funksionon sistemi, për arsye se në qoftë se administrata tatimore perceptohet se është arbitrare ose grabitëse, ajo e dekurajon investimin; për më tepër kapaciteti i dobët i administratës tatimore, ose inefektiviteti dhe ineficenca në zbatimin e masave shtrënguese, i vendos tatimpaguesit që zbatojnë legjislacionin tatimor në një dizavantazh konkurrues, duke bërë të mundur që tatimpaguesit e tjerë t’i largohen sistemit.

Të gjithë këto fakte dhe argumente dëshmojnë se Ministria e Financave, në përgjithësi, në kuadër të reformës tatimore nuk i ka kushtuar vëmendjen e duhur përmirësimit të sistemit tatimor për ta bërë atë të lehtë për bizneset dhe sipërmarrësit, për arsye se kosto e përmbushjes së kërkesave të legjislacionit tatimor nga biznesi nuk është e parëndësishme; ajo përbën një fraksion domethënës të tatimit aktual që duhet të paguhet dhe disa nga këto kosto janë indirekte në natyrë dhe rezultatet priren të nënvlerësohen; me qëllim që të përmirësohet klima e biznesit është e rëndësishme që barra e vendosur nga politika tatimore dhe administrimi i saj të lehtësohet. Numri i madh i gjobave administrative për mosvendosjen dhe mospërdorimin e kasave regjistruese, abuzimin me përshkrimin e ligjit dhe udhëzimit, kthimi i përgjigjes negative për çdo apelim, kostot e mëdha të përmbushjes së kërkesave të legjislacionit tatimor nga tatimpaguesit e biznesit të vogël, vërtetojnë më së miri se qeveria që ka detyrimin ligjor të hartimit të politikave tatimore nuk ka marrë parasysh dimensionin administrativ, madje e ka detyruar ligjërisht administratën tatimore që t’i keqshpërndajë burimet, të mos jetë as efektive dhe as eficente, të mbledhë të ardhura me ritme më të vogla, si dhe të jetë më arbitrare dhe e korruptuar. Gjendja e tanishme vërteton se qeveria nuk ka ditur të veprojë sikundër thotë një thënie e mençur indiane: “Kur mbyllet një derë e kënaqësisë, hapet një tjetër; por shpesh ne shikojmë kaq gjatë te dera e mbyllur sa nuk e shohim atë që është hapur për ne.”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button