Titaniku i Ramës po fundoset në oqeanin e rinisë rebele

I mësuar të qeverisë duke korruptuar e manipuluar, ‘Titaniku’ i kryeministrit për herë të parë po përballet me ajsbergun e vërtetë—popullin që prej më shumë se 20 ditësh mbush rrugët e Tiranës në përmasa që nuk ishin parë që nga viti 1991.
A do ta shpëtojë dot Rama anijen dhe veten?
Duket se fundosja është e pashmangshme.
Të gjitha përpjekjet e kryeministrit në rrjete sociale—dhe që prej ditës së sotme edhe në terren—kanë qenë përpjekje të dështuara.
Si kurrë më parë, kur ai gjithmonë ka qenë në gjendje të taposë vrimat në anijen e pushtetit të tij.
Por këtë herë duket se anija është çarë dhe po fut ujë nga barku i saj.
Përpjekjet e kryeministrit për të manipuluar publikun kanë arritur këto 3 javë kulmin historik.
Pasi nuk i piu ujë kërcënimi, teoritë e konspiracionit, sulmet me agjentura të huaja, vjedhja e simboleve, tani ka filluar një taktikë të re: identifikimin me kundërshtarin, që shkon paralel me krijimin e një imazhi negativ të vetes, ndërkohë që në mënyrë konstante godet individët, për t’i delegjitimuar, dehumanizuar e trembur ata.
Identifikimin me kundërshtarin u përpoq ta bënte kur ndau videon e realizuar për të me inteligjencë artificiale, kur postoi foton e protestuesit “fillikat”, apo së fundmi videon bardhë e zi, e cila, jo pa qëllim, është në anglisht e jo në shqip.
Një këngë e bërë me inteligjencë artificiale—shoqëruar me një foto ku Rama “të shikon në sy”, si ai ‘ishi’ toksik e narcisist që përpiqet të të futë sërish në grackë—synon të rinjtë duke përdorur gjuhën dhe zhargonin e tyre dhe që fillon me të njëjtat brohoritje si refreni i famshëm i protestës: “Rama jepe dorëheqjen”.
I qëllimshëm është edhe imazhi i zgjedhur bardhë e zi si përkeqësues i pamjes së tij gjoja “lakuriqe”, ku Rama do të çojë deri në fund lojën e një “bad boy” pa frena.
Këtë përpjekje ai e shpalosi botërisht në intervistën me Financial Times, ku u vetëquajt “kumbari”, një term i pa artikuluar nga askush deri më sot:
“Njerëzit thonë se unë jam ai që e udhëheq të gjithë këtë. Dhe unë po ju them shkoni q*huni. Kaq e thjeshtë është. Unë nuk kam pse provoj që nuk jam Kumbari, ata e kanë detyrë të provojnë që unë jam Kumbari.”
“Kumbari” dhe gjuha e rrugës janë një përgjigje në dukje pa logjikë përballë pyetjes së gazetarit, por nga pikëpamja e një fushate negative marketingu politik, nuk është habi që kjo intervistë të jetë kërkuar enkas që ai të shpalosë këtë sjellje dhe të thotë këto fjalë.
Kjo është teknikë e njohur e komunikimit politik. Presidenti Trump shkaktoi stuhi kohë më parë kur i tha të njëjtën shprehje një punëtori në fabrikën e Fordit.
Si Trumpi ka një listë të tjerë politikanësh që kanë përdorur këtë strategji, të mirënjohur për specialistët e marketingut politik.
Politikanët që e paraqesin veten si “djem të këqij” shfrytëzojnë në mënyrë strategjike deri në fund perceptimin negativ të publikut, për të çarmatosur kritikët dhe për të krijuar imazhin e një njeriu që nuk çan kokë dhe i kundërvihet gjithçkaje, edhe politikës së vjetër e të stabilizuar.
Në fakt, Rama e bën këtë figurë prej vitesh, që në vitet e para kur hidhte hapat drejt pushtetit. Rasti më i famshëm është kur shfrytëzoi në interes të tij fotot nudo, të nxjerra fillimisht nga kundërshtari politik për ta dobësuar atë si kandidat.
Ai i ka përqafuar gjithmonë “çmenduritë” për të ndërtuar një markë personale të fortë dhe të qëndrueshme.
Vetëm se atëherë ishte në fillim të karrierës së tij politike.
Pas 13 vitesh në pushtet, në krye të një qeverie të korruptuar që tashmë sundon me kontroll të plotë mbi vendin, ku njerëzit nuk gjejnë dot mundësi sepse paratë e krimit kanë destabilizuar krejtësisht ekonominë, ai nuk shitet dot më si një “djal i keq” interesant.
Kjo retorikë e tij nuk pi më ujë.
Duket sheshit që edhe truku më i fundit—kënga patetike e videos bardhë e zi, me të cilën u kujton njerëzve se sa shumë ka bërë e cilat janë betejat e tij—nuk pi më ujë.
Rinia që ka pushtuar sheshet nuk impresionohet më prej tij. Ata janë më interesantë dhe më “cool” se ai.
Tashmë një vajzë e re si Dea Michelle e lë në hije atë me humorin e saj të freskët dhe inteligjencën e batutës.
Tashmë Edi Rama dergjet i lodhur dhe i plakur përballë rinisë që e ka bërë objekt argëtimi.
Retorikat e Edi Ramës me të shkuarën dhe arritjet e tij mund të pinin ujë përballë një populli të polarizuar mes PD-së e PS-së, por nuk gënjejnë dot më një popull që është bashkuar për të ardhmen.
E shkuara “e lavdishme” nuk e josh dot më rininë që po rebelohet ndaj krimit dhe korrupsionit që po e lë pa të ardhme.
Kompanitë e shtrenjta të marketingut politik që Rama me siguri po i paguan, me paratë e taksave të shqiptarëve, nuk janë veçse tapa të vockla që nuk e mbyllin dot vrimën e madhe në barkun e pushtet-Titanikut të Ramës.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.