Totali i depozitave pranë bankave, 1,079.6 miliardë lekë, rritja 0.7 %
Shoqata Shqiptare e Bankave (AAB) ka publikuar të dhënat financiare të paaudituara të bankave tregtare për tremujorin e parë të vitit 2015 si dhe të dhënat e agreguara mbi sistemin për muajin mars 2015, sipas të cilave totali i aktiveve të sistemit bankar arriti në 1,311 miliardë lekë në fund të muajit mars, me rritje prej 1.3% përgjatë tremujorit. Sistemi bankar shqiptar vazhdon të mbetet likuid, me një raport të kredisë ndaj depozitave rreth 55%, dhe i qëndrueshëm, me raport të mjaftueshmërisë së kapitalit prej 15.8 %, në fund të muajit mars.
Totali i depozitave të vendosura pranë bankave, në fund të tremujorit të parë 2015 arriti në 1,079.6 miliardë lekë, duke shënuar një rritje të lehtë prej 0.7 % që nga fundi i vitit të kaluar, me një normë mesatare vjetore prej rreth 5%. Muaji janar shënoi një tkurrje të depozitave të cilat u ritën sërish në muajt shkurt dhe mars. Përgjatë tremujorit, depozitat e bizneseve dhe institucioneve paraqitën një rënie prej 1.8%, ndërsa depozitat e individëve kanë vijuar në rritje prej 1.1 %, në krahasim me fundin e vitit të kaluar. Prirja e zhvendosjes së depozitave drejt atyre me afat më të gjatë maturimi, evidentuar në gjysmën e dytë të vitit të kaluar, vazhdoi dhe në tremujorin e parë të vitit 2015, duke reflektuar tendencën rënëse të normave të interesit, veçanërisht në monedhë të huaj për shkak të dinamikës së euribor-it.
Kreditë e akorduara pësuan rënie në janar, e cila u rikuperua duke shënuar rritje në muajt shkurt dhe mars, me një rritje të lehtë mesatare prej 0.4% për të gjithë tremujorin e parë 2015. Teprica e kredisë dhënë nga bankat për sektorin privat në fund të muajit mars arriti 597 miliardë lekë. Performanca e dobët e rritjes së kredisë është përcaktuar kryesisht nga performanca e kredisë ndaj biznesit, e cila mbeti pothuajse e pandryshuar në krahasim me fundin e vitit të kaluar, ndërsa kredia për individët u rrit me 1.1% gjatë tremujorit të parë 2015. Kërkesa për kredi në sektorin privat mbetet e dobët, dhe bankat vazhdojnë të tregohen të kujdesshme në kredidhënien ndaj bizneseve, duke kushtuar vëmendje të veçantë ndaj cilësisë së projekteve të investimeve. Prirja e zhvendosjes drejt huadhënies në monedhën vendase, e cila u vu re dhe në tremujorët e kaluar, vazhdoi gjithashtu dhe në këtë tremujor.
Cilësia e portofolit të kredisë vazhdoi të mbetet e njëjtë përgjatë tremujorit të parë të 2015, duke shënuar një nivel prej 22.8% të kredive me probleme ndaj totalit të kredive në fund të muajit mars, njësoj si në fundin e vitit të kaluar, pas rënies në 22.5 % në muajin shkurt.