Bota

Trump i kërkon Gjermanisë pagesën e 370 miliardë $

Presidenti amerikan Donald Trump i ka dorëzuar Kancelares gjermane, Angela Merkel, një raport të parave të supozuara “të munguara” e që i detyrohen NATO-s, kur u takuan fundjavën e kaluar në Uashington.

Gjesti, sipas asaj që shkruan “The Sunday Times” duke cituar një ministër gjerman në kushte anonimati, ishte “mizor”.

“Ajo që fshihet pas kërkesave të tilla është pikërisht intimidimi i palës tjetër, por kancelarja e mori me qetësi dhe nuk do t’i përgjigjet këtyre provokimeve”, është cituar të ketë thënë më tej ministri gjerman.

Sipas medias britanike, raporti i dorëzuar Merkelit kishte të bënte me kërkesat për më shumë se 300 miliardë dollarë, të cilat janë përllogaritur duke shtuar edhe diferencat e të hollave që Gjermania ka dështuar t’i përmbushë mes pagesave të përvitshme në NATO që prej vitit 2002, shto këtu edhe përqindjet e interesit.

Vendet anëtare të NATO-s janë angazhuar të shpenzojnë 2 për qind të produktit kombëtar (PBB/GDP) të secilit në fushën e mbrojtjes. Gjermania në fakt ka rritur ndjeshëm shpenzimet ushtarake, por kontributi i saj konsiderohet ende nën kufirin e 2 përqindëshit edhe për këtë vit.

Javën e kaluar, Berlini reagoi pas pretendimit të Trumpit se Gjermania i detyrohet “shuma të konsiderueshme” aleancës ushtarake të Atlantikut të Veriut.

“Nuk ekziston asnjë llogari ku të mund të regjistrohen borxhet ndaj NATO-s”, tha ministrja gjermane e Mbrojtjes, Ursula von der Leyen, në një deklaratë, duke ngritur pikëpyetje mbi mënyrën sesi janë përllogaritur shpenzimet ushtarake dhe duke argumentuar se angazhimi financiar i një vendi ndaj aleancës nuk është një matje e thjeshtë.

“Shpenzimet e mbrojtjes shkojnë edhe në misionet paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara, në misionet tona europiane dhe në kontributin tonë për të luftuar terrorizmin në përgjithësi dhe Shtetin Islamik në veçanti”, është shprehur Von der Leyen.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button