☀️
Tiranë 29°C · Kthjellët 15 July 2026
S&P 500 7,544 ▲0.38%
DOW 52,508 ▲0.02%
NASDAQ 26,107 ▲0.9%
NAFTA 79.88 ▲0.68%
ARI 4,039 ▼0.76%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1419 EUR/GBP 0.8529 EUR/CHF 0.9248 EUR/ALL 93.7745 EUR/MKD 61.6035 EUR/RSD 117.3733 EUR/TRY 53.7160 EUR/JPY 185.21 EUR/CAD 1.6066 EUR/USD 1.1419 EUR/GBP 0.8529 EUR/CHF 0.9248 EUR/ALL 93.7745 EUR/MKD 61.6035 EUR/RSD 117.3733 EUR/TRY 53.7160 EUR/JPY 185.21 EUR/CAD 1.6066
₿ CRYPTO
BTC $64,828 ▲ +3.58% ETH $1,876 ▲ +5.27% XRP $1.1073 ▲ +3.58% SOL $77.9300 ▲ +3.82%
S&P 500 7,544 ▲0.38 % DOW 52,508 ▲0.02 % NASDAQ 26,107 ▲0.9 % NAFTA 79.88 ▲0.68 % ARI 4,039 ▼0.76 % S&P 500 7,544 ▲0.38 % DOW 52,508 ▲0.02 % NASDAQ 26,107 ▲0.9 % NAFTA 79.88 ▲0.68 % ARI 4,039 ▼0.76 %
EUR/USD 1.1419 EUR/GBP 0.8529 EUR/CHF 0.9248 EUR/ALL 93.7745 EUR/MKD 61.6035 EUR/RSD 117.3733 EUR/TRY 53.7160 EUR/JPY 185.21 EUR/CAD 1.6066 EUR/USD 1.1419 EUR/GBP 0.8529 EUR/CHF 0.9248 EUR/ALL 93.7745 EUR/MKD 61.6035 EUR/RSD 117.3733 EUR/TRY 53.7160 EUR/JPY 185.21 EUR/CAD 1.6066
15 Jul 2026
Breaking
Opinion

Turizmi eksporton talentin shqiptar dhe importon turistë kalimtarë

Turizmi eksporton talentin shqiptar dhe importon turistë kalimtarë

Debati për turizmin në Shqipëri zakonisht kufizohet te numri i vizitorëve, netët e qëndrimit apo të ardhurat nga sezoni veror.

Por pyetja më e rëndësishme është se çfarë ndodh me strukturën e ekonomisë sonë dhe njerëzit tanë?

Turizmi është padyshim një industri e vlefshme për Shqipërin sepse krijon vende pune, sjell valutë, zhvillon zonat rurale dhe mund të përmirësojë ndjeshëm mirëqenien e një vendi.

Mirëpo shpesh ndodh që një vend të ketë plazhe plot turistë të huaj dhe njëkohësisht aeroporte plot të rinj që largohen jashtë vendit.

Historia tregon se kur një ekonomi fillon të mbështetet kryesisht mbi turizmin, lind një paradoks për të cilin flitet shumë pak e që ka të bëjë me nxitjen e emigrimit.

Një ekonomi e varur nga turizmi ndërsa importon miliona turistë të përkohshëm, fillon të eksportojë qytetarët e saj më të talentuar të cilët struktura e ekonomisë nuk ua siguron dot një të ardhme brenda vendit. Shqipëria rrezikon pikërisht këtë model.

Problemi nuk është vetë turizmi, por pesha që ai zë në strukturën e ekonomisë.

Çdo model zhvillimi prodhon një treg të ndryshëm pune.

Kur ekonomia dominohet nga turizmi, rritet kërkesa për profesione shërbimi, ndërsa mbetet e kufizuar kërkesa për profesionet që gjenerojnë inovacion, kërkim shkencor dhe teknologji.

Një ekonomi e orientuar kryesisht drejt turizmit ka nevojë për hoteleri, restorante, transport, pastrim, guida turistike, ndërtim resortesh dhe shërbime rekreative.

Janë profesione të domosdoshme dhe të respektueshme, por ato nuk mjaftojnë për të përthithur kapitalin njerëzor më të kualifikuar të një vendi.

Një hotel me pesë yje mund të punësojë qindra vetë, por nuk ka nevojë për dhjetëra inxhinierë aeronautikë, bioinformatikanë, fizikantë, ekspertë të inteligjencës artificiale, projektues çipash, kimistë industrialë apo studiues të robotikës. Një resort nuk ndërton laboratorë kërkimorë. Një restorant nuk prodhon mikroçipa. Një marinë nuk zhvillon industri farmaceutike.

Pikërisht këtë argument ka mbrojtur prej vitesh Ricardo Hausmann, një nga themeluesit e teorisë së kompleksitetit ekonomik dhe për disa vite këshilltar i qeverisë Rama.

Sipas tij, vendet pasurohen jo duke u mbështetur te një sektor i vetëm, por duke rritur kompleksitetin prodhues, duke diversifikuar eksportet dhe duke akumuluar njohuri.

Përndryshe, ekonomia rrezikon të bjerë në atë që ekonomistët e quajnë “sëmundja holandeze”. Ka të bëj me situtën kur suksesi i një sektori të vetëm tërheq kapitalin dhe fuqinë punëtore nga sektorët më produktivë, dobëson industrinë dhe e bën ekonominë gjithnjë e më pak të larmishme dhe konkurruese.

Çdo kredi bankare që financon një resort është një kredi më pak për një startup teknologjik. Çdo hektar tokë që mbulohet me beton turistik është një hektar më pak për një park industrial, një qendër kërkimore apo një investim prodhues.

Edhe kapitali njerëzor ndjek të njëjtën logjikë; sa më shumë që ekonomia orienton investimet drejt turizmit, aq më pak burime mbeten për sektorët me produktivitet të lartë.

Pikërisht kështu një ekonomi fillon të zhvendosë kapitalin, tokën dhe talentin nga sektorët që krijojnë inovacion drejt sektorëve që krijojnë kryesisht konsum, i shkakton vetes një kosto të madhe oportune.

Një tjetër element që duhet marrë në konsideratë, është se fokusimi i tepruar te turizmi po rrezikon t’i shndërrojë qytetet tona, sidomos Tiranën dhe bregdetin, në “muze të përkohshëm” për turistët, por jofunksional për banorët e saj.

Kur apartamentet kthehen masivisht në Airbnb, qiraja e banesave për profesionistë të rinj bëhet e paarritshme. Dyqanet, restorantet, apartamentet, investimet dhe madje edhe hapësirat publike orientohen gjithnjë e më shumë drejt vizitorëve të përkohshëm dhe konsumit afatshkurtër.

Rrjedhimisht qyteti bëhet një vend ku mund të kalosh pushimet, por jo ku të ndërtosh jetën dhe karrierën duke i shtyrë të rinjtë që të largohen.

Kroacia është një ilustrim shumë domethënës. Turizmi ka transformuar bregdetin kroat dhe i ka sjellë vendit miliarda euro çdo vit. Megjithatë, që nga fillimi i viteve 1990 popullsia ka rënë nga rreth 4,8 milionë në rreth 3,8 milionë banorë.

Një pjesë e madhe e atyre që largohen janë ata që kanë kualifikime të avancuara, të cilët gjejnë shumë më tepër mundësi në ekonomitë industriale të Gjermanisë, Austrisë apo Holandës sesa në një ekonomi ku turizmi zë një vend dominues.

Në shumë qytete bregdetare, rritja e çmimeve të banesave dhe shndërrimi masiv i apartamenteve në akomodim turistik i kanë bërë qendrat historike gjithnjë e më të papërballueshme dhe më pak të banueshme për banorët e përhershëm, sidomos për të rinjtë dhe profesionistët.

E njëjta situatë paraqitet edhe në Qipro, ku turizmi përbën rreth 13% të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe është një nga shtyllat kryesore të ekonomisë, ka një nga normat më të larta në Europë të emigrimit të popullsisë me arsim të lartë.

Rreth 22% e qipriotëve me diplomë universitare jetojnë në një vend tjetër të OECD-së. Pra një tjetër rast që demonstron edhe një industri turistike shumë e zhvilluar nuk garanton domosdoshmërisht mundësi të mjaftueshme për kapitalin njerëzor më të kualifikuar.

Përpos këtyre, ndryshe nga industria apo teknologjia, turizmi karakterizohet nga një sezonalitet i lartë. Kjo krijon luhatje të mëdha në punësim, të ardhura dhe investime.

Turizmi krijon një klasë punonjësish “sezonalë” të cilët nuk kanë stabilitet financiar gjatë gjithë vitit, as mund të bëjnë plane personale apo të marrin kredi.

Kjo pasiguri sociale është një nga nxitësit kryesorë pse të rinjtë zgjedhin të largohen sepse ata kërkojnë karrierë, jo “kontrata 3-mujore” në bare dhe hotele.

Prandaj të rinjtë shqiptarë sot kanë dilemën, ose të pranojnë punë sezonale me perspektivë të kufizuar, ose të emigrojnë drejt ekonomive ku kërkesa për aftësitë e tyre ekziston gjatë gjithë vitit.

Kjo nuk është vetëm një zgjedhje ekonomike. Është një zgjedhje për llojin e shoqërisë që duam të ndërtojmë.

Një ekonomi e dominuar nga turizmi ndryshon edhe sistemin arsimor. Universitetet fillojnë të prodhojnë gjithnjë e më shumë menaxherë hotelesh, guida turistike dhe specialistë marketingu, ndërsa kërkesa për inxhinieri, matematikë, fizikë, kimi apo shkenca kompjuterike mbetet e kufizuar.

Me kalimin e kohës ndryshojnë edhe aspiratat e brezave të rinj.

Një vend që nuk u ofron perspektivë njerëzve më të talentuar nuk humbet vetëm individë.

Humb laboratorët që nuk do të ndërtohen, patentat që nuk do të regjistrohen, kompanitë që nuk do të krijohen dhe teknologjitë që nuk do të zhvillohen kurrë.

Bashkë me ta largohet edhe një përfaqësuesit kryesor të elitës, njerëzit që forcojnë institucionet, pasurojnë kulturën, ngrenë nivelin e artit, zhvillojnë sportin dhe e bëjnë demokracinë më të përgjegjshme e më funksionale.

Emigrimi kapitalit më të çmuar social të vendit nuk varfëron vetëm ekonominë; ai varfëron edhe jetën intelektuale, kulturore, qytetare dhe demokratike të vendit.

Prandaj duhet kuptuar mirë se emigrimi nuk është vetëm pasojë e pagave të ulëta por edhe e strukturës së ekonomisë. Një programues nuk largohet vetëm për një pagë më të lartë, por sepse kërkon një ekosistem ku aftësitë e tij kanë vlerë.

Një studiues nuk largohet vetëm për financim më të mirë, por sepse kërkon universitete, laboratorë dhe industri që kanë nevojë për dijen e tij.

Pra turizmi çon në një “zhvlerësim” të arsimit të lartë, ku të rinjtë shohin se nuk kanë se ku të aplikojnë dijet e tyre, duke e bërë ikjen jo vetëm një zgjedhje për ambicie personale, por një domosdoshmëri për mbijetesën profesionale.

Nga ana tjetër ata që ngelen, janë prapë kapital njerëzuar i ccuar dëm sepse shpesh punojnë nën nivelin e kualifikimit të tyre. Për shembull inxhinieri punon receptionist, biologu punon kamerier dhe arkitekti merret me marketing dixhital të hotelit.

Si përfundim, Shqipëria nuk duhet të zgjedhë mes turizmit dhe industrisë sepse fundja ka potencial e nevojë për të dyja. Por duhet të kuptojë se turizmi nuk mund të jetë sektori që përcakton identitetin ekonomik të vendit.

Nëse bëhet sektori dominues, vendi do të vazhdojë të importojë turistë kalimtarë dhe të eksportojë talentin shqiptar.

Një ekonomi moderne nuk matet vetëm me numrin e vizitorëve që zbresin në aeroporte. Ajo matet me numrin e inxhinierëve që zgjedhin të mos largohen, me laboratorët që hapen, me kompanitë teknologjike që krijohen dhe me studentët që besojnë se e ardhmja e tyre mund të ndërtohet në Shqipëri.

Turistët vijnë për disa ditë dhe largohen ndërsa të rinjtë e talentuar janë ata që ndërtojnë të ardhmen e një kombi.

Sfida e Shqipërisë nuk është të sjellë më shumë vizitorë të përkohshëm, por të mos humbasë qytetarët që mund ta bëjnë vendin vërtet të zhvilluar.

Me pak fjalë turistët janë mysafirë të ekonomisë ndërsa shkencëtarët, inxhinierët, sipërmarrësit dhe profesionistët janë arkitektët e saj. Një komb nuk ndërton të ardhmen me ata që kalojnë, por me ata që qëndrojnë.

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.