U largua nga Ministria e Brendshme për tju bashkuar ekipit në kryeministri, Lamallari falënderon Ramën: Nder të jem në krahun tuaj. Kryeministri: Forcojmë skuadrën e “Besës” dhe Pasqyrës
Kryeministri Edi Rama ka komentuar nga Kryeministria lëvizjet e fundit në qeveri, duke konfirmuar ndryshimin në drejtimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Besfort Lamallari largohet nga posti i ministrit dhe në këtë detyrë do të zëvendësohet nga Ervin Demo.
Gjatë ceremonisë, Lamallari falënderoi kryeministrin për vlerësimin dhe besimin e dhënë, duke e cilësuar rikthimin e tij në skuadrën e Ramës si një privilegj të veçantë.
“Faleminderit për të gjithë vlerësimin e dhënë. Ndjej që jam rritur jo vetëm profesionalisht, pro edhe si njeri. Për të kuptuar më mirë dhe njerëzit. Pjesa e kthimit në shtëpinë time, pasi aty nisi i gjithë rrugëtimi dhe ju bashkova skuadrës suaj, ka qenë një privilegj i jashtëzakonshëm dhe ju falënderoj shumë dhe jam munduar në maksimumin tim mos t’ju zhgënjej. Është kënaqësi dhe nder të vazhdoj rrugëtimin dhe të jem në krahun tuaj”, tha Lamallari.
Rama vlerësoi punën e bërë nga Lamallari në krye të Ministrisë së Brendshme, duke theksuar se ndryshimet në qeveri lidhen me nevojat e skuadrës. Rama theksoi se Lamallari do të jetë i angazhuar me dy protalet e reja qeveritare, “Besa” dhe “Pasqyra”.
“Jo vetëm nuk më ke zhgënjyer, por e ke bërë punë me të gjithë integritetin. Nevojat e skuadrës janë mbi të gjithë individët. Por duhet të forcojmë këtu skuadrën e Besës, Pasqyrës dhe je njeriu i duhur për të mbuluar një pjesë të kësaj pune”, u shpreh Rama.
Në fjalën e tij, Demo falënderoi kryeministrin për besimin dhe tha se do të vijojë punën për zbatimin e prioriteteve të qeverisë.
“Shumë faleminderit për besimin, është një përgjegjësi shumë e madhe. Do të çojë përpara prioritet e qeverisë. Besforti ka bërë një punë shumë të mirë dhe do vazhdoj të bashkëpunoj me Besfortin”, theksoi Demo.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.