FOKUS – Zëvendëspresidentja e Tajvanit në vizitë të panjoftuar në Itali
TAIPEI, 11 shtator /ATSH-DPA/- Zëvendëspresidentja e Tajvanit, Hsiao Bi-khim ka mbërritur sot në Itali në një vizitë, që fillimisht u mbajt e fshehtë, bëri të ditur Zyra Presidenciale e Tajvanit.
Hsiao do të marrë pjesë në Konferencën e Dytë Evropiane për Lirinë dhe Demokracinë, që po zhvillohet në ishullin e vogël italian, Ventotene.
Ajo shoqërohet nga ministri i Jashtëm i Tajvanit, Lin Chia-lung, bëri të ditur në një deklaratë, zëdhënësja e Zyrës Presidenciale, Karen Kuo.
Në konferencën treditore, e cila përfundon të shtunën, marrin pjesë edhe figura të njohura të opozitës dhe aktivistë, mes tyre Yulia Navalnaya, kritike e Kremlinit, dhe Sviatlana Tsikhanouskaya, udhëheqëse e opozitës bjelloruse.
Takimi u iniciua nga zëvendëspresidentja e Parlamentit Evropian, Pina Picierno dhe u organizua nga zyra ndërlidhëse e Parlamentit Evropian në Itali.
Vizita u mbajt e fshehtë për shkak të kërcënimeve nga Kina
Pina Picierno e bëri publike vizitën e Hsiao Bi-khim vetëm në nisje të konferencës të enjten, duke thënë se ajo ishte mbajtur më parë e fshehtë për shkak të kërcënimeve të Kinës ndaj politikanëve tajvanezë.
Pekini e konsideron Tajvanin, i cili qeveriset në mënyrë demokratike, pjesë të Kinës. Partinë Demokratike Përparimtare (DPP), ku bën pjesë Hsiao, Kina e cilëson si separatiste, pasi ajo mbështet pavarësinë e Tajvanit. Megjithatë, qeveria tajvaneze deri tani nuk ka kërkuar shpalljen zyrtare të pavarësisë.
Kina ka kërcënuar se do ta vendosë Tajvanin nën kontrollin e saj, duke mos përjashtuar edhe përdorimin e forcës ushtarake.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme kineze, Mao Ning, kritikoi të premten vizitën dhe tha se Pekini kishte paraqitur ankesa te palët italiane dhe evropiane.
Ajo theksoi se Kina kundërshton vazhdimisht çdo formë të ndërveprimit zyrtar mes Tajvanit dhe vendeve që kanë marrëdhënie diplomatike me Kinën.
“Askush nuk mund të vendosë se kush pritet në Ventotene dhe kush jo”, tha Picierno, duke shtuar se, mbi të gjitha, një “regjim” si ai i Kinës nuk duhet të lejohet të marrë një vendim të tillë. Ajo e cilësoi vizitën e Hsiao si një “mesazh shumë të rëndësishëm”.
Kjo është vizita e tretë e Hsiao-s në Evropë që nga fitorja e DPP-së në zgjedhjet e vitit 2024. Ajo kishte vizituar më parë Pragën në mars 2024, në cilësinë e zëvendëspresidentes së zgjedhur, dhe Brukselin në nëntor 2025.
Gjatë vizitës në Pragë, agjentë kinezë ndoqën eskortën e saj, sipas raportimeve të mediave, dhe incidenti për pak sa nuk shkaktoi një përplasje. Shërbimi çek i inteligjencës më vonë e lidhi incidentin me një operacion kinez kundër Hsiao-s, që përfshinte mbikëqyrje dhe intimidim.
Tajvani prej disa kohësh po përpiqet të forcojë marrëdhëniet me Evropën përmes vizitave të nivelit të lartë dhe programeve të shkëmbimit me parlamentet. Kina kundërshton vizitat e zyrtarëve të lartë tajvanezë jashtë vendit dhe përpiqet t’i kufizojë ato përmes presionit diplomatik. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.