Unaza e Re/ Miratohet fondi prej 1.2 miliardë lekësh për shpronësimin e pronarëve
Këshilli i Ministrave miratoi dje shpronësimin për interes publik të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Rehabilitimi i segmentit rrugor “Pallati me shigjeta-rrethrrotullimi “Shqiponja””.
Shpronësimi bëhet në favor të Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe pronarët e pasurive të paluajtshme që shpronësohen, do të kompensohen në vlerë të plotë, me një vlerë të përgjithshme prej 1 224 874 430.42 lekësh.
Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 1.2 miliardë lekësh për pasuritë e llojit “truall”, “tokë arë” dhe “ndërtesë”, do të përballohet nga llogaria “Fondi i shpronësimeve”, në Bankën e Shqipërisë.
Shpenzimet procedurale në vlerën 50 mijë lekë do të përballohen nga fondet e Autoritetit Rrugor Shqiptar.
Shpronësimi do të fillojë menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare”, ndërsa pronarët do të kompensohen, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar.
Agjencia Shtetërore e Kadastrës, brenda 30 ditëve, nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Autoritetin Rrugor Shqiptar, do të fillojnë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit në hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe do të bëjë kalimin e pronësisë, për pasuritë e shpronësuara, në favor të shtetit.
Po ashtu, Agjencia Shtetërore e Kadastrës do të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara, deri në momentin që do të realizohet procesi i hedhjes së gjurmës së projektit në hartën kadastrale dhe kalimi i pronësisë në favor të shtetit.
Sipas vendimit të qeverisë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës ngarkohet për regjistrimin e aktit pa tarifa regjistrimi.