Politika

“Vende jashtë BE ofruan ndihmë për afganët”, Sassoli: Koha për energji të re për zgjerimin

Presidenti i Parlamentit Europian, David Sassoli në fjalën e tij në Forumin Strategjik në Bled të Sllovenisë deklaroi se ka ardhur koha për të injektuar energji të re në procesin e zgjerimit drejt Ballkanit Perëndimor.

Në fjalën e tij, Sassoli tha se “ne ndihemi shumë të zhgënjyer me përfundimet e djeshme të Këshillit të Punëve të Brendshme”.

“Ne kemi parë vende jashtë Bashkimit Europian të ofrojnë ndihmën e tyre për të mirëpritur azilkërkuesit afganë, por ne nuk kemi parë një shtet të vetëm anëtar të bëjë të njëjtën gjë. Të gjithë me të drejtë menduan për ata që punuan me ne dhe familjet e tyre, por askush nuk pati guximin t’u ofronte strehë atyre, jeta e të cilëve është ende në rrezik edhe sot. Ne nuk mund të pretendojmë se çështja afgane nuk na përket neve, sepse kemi marrë pjesë në atë mision dhe kemi ndarë objektivat dhe synimet e tij”, theksoi Sassoli.

“Një zë i fortë dhe i përbashkët europian në skenën ndërkombëtare është tani më i nevojshëm se kurrë. Europa duhet të zërë vendin e saj, të ngrejë zërin, të përcaktojë interesat e saj strategjike edhe në kuadrin e Aleancës Transatlantike, në mënyrë që të jetë në gjendje të kryejë operacione për të siguruar stabilitet, paqe dhe zhvillim së bashku me partnerët tanë në një kuadër shumëpalësh. Kjo shkon paralelisht me nevojën për të ecur përpara drejt një politike të përbashkët të sigurisë dhe mbrojtjes, pa të cilën ne do të mbetemi të varur nga vullneti i mirë i fuqive të tjera të mëdha dhe do të ekspozohemi ndaj kërcënimeve të regjimeve autoritare. Për këtë ne gjithashtu duhet të bëjmë një hap ambicioz përpara dhe të konsiderojmë votimin me shumicë të cilësuar në Këshill kur është e mundur, për të siguruar shpejtësinë dhe efektivitetin e një veprimi të jashtëm të përbashkët nga ana jonë”, tha Sassoli.

Në vijim, presidenti Sassoli tha se “për më tepër, një Europë e vërtetë gjeopolitike duhet të fillojë në kufijtë tanë, me partnerët tanë, me miqtë tanë më të ngushtë. Kam parasysh në veçanti vendet e Ballkanit Perëndimor, ndaj të cilëve ne kemi një përgjegjësi historike. Nga Tirana në Beograd, nga Shkupi në Sarajevë, nga Prishtina në Podgoricë, vendet e Ballkanit Perëndimor janë pjesë e historisë sonë. Ne ndajmë një identitet të përbashkët europian”.

“Kjo është arsyeja pse ne duhet të jemi të gatshëm për t’u angazhuar në procesin e integrimit me secilin nga këto vende, bazuar në përparimin dhe ambiciet e tyre. Çdo vonesë ose hezitim rrezikon të luajë lojën e fuqive të tjera. Një kontinent i qëndrueshëm, paqësor, demokratik dhe i begatë do të sillte përfitime të mëdha për të gjithë qytetarët europianë. Ka ardhur koha për të injektuar energji të re në procesin e zgjerimit drejt Ballkanit Perëndimor”, theksoi ai.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button