Zanatet drejt zhdukjes, të rinjtë nuk preferojnë profesione të vjetra
Zhurma e çekanit mbi kudhër dëgjohet gjithnjë e më rrallë. Punishtet e kovaçëve, dikur ndër më të frekuentuarat në qytete e fshatra, sot po mbeten bosh. Mungesa e punës, emigrimi dhe rënia e aktivitetit bujqësor po e çojnë këtë zanat shekullor drejt zhdukjes. Prej 36 vitesh, Pëllumb Cangoja punon hekurin në punishten e tij në Elbasan, duke u përpjekur të mbajë gjallë profesionin që trashëgoi nga i ati.
“Unë e kam nisur këtë zanat që 6 vjeç. Shihja plakun dhe më pëlqente ta bëja si zanat, dhe deri më sot, që jam 42 vjeç, e punoj këtë zanat. Si zanat është shumë i mirë, por nuk ka punë që ta vazhdosh gjithmonë.
S’ka kërkesë, se po nuk punoi bujqësia, është normale që as ne nuk kemi punë. Këtu janë larguar komplet, kanë ikur në emigrim të gjithë dhe, gradualisht, jemi për ta mbyllur”, tha kovaçi, Pëllumb Cangoja.
Sipas mjeshtrit elbasanas, zanati i kovaçit nuk mësohet vetëm në shkollë, por kërkon vite pune pranë një mjeshtri. Ai thotë se mungesa e brezit të ri po e bën edhe më të vështirë ruajtjen e këtij profesioni tradicional.
“A të vjen keq që zanate të tilla po shkojnë drejt zhdukjes? Shumë, shumë. Qejf e kam t’ua trashëgoj kalamajve, por s’ka punë. Ku do ta mësojë fëmija, po s’më pa mua? Se unë e kam parë babanë që punonte dhe e kam bërë vetë. Fëmija, po s’më pa mua, nuk e merr dot këtë lloj zanati”, shtoi ai.
Përveç mungesës së punës, kovaçët përballen edhe me mungesën e interesit nga të rinjtë, të cilët po zgjedhin profesione të tjera ose emigrimin. Kostot e larta të punës e bëjnë edhe më të vështirë mbijetesën e punishteve.
“A ka interes nga të rinjtë që vijnë dhe pyesin për këtë zanat? Interes shumë nuk ka, se po nuk punoi bujqësia, nuk ka interes fare. U bënë 5 vjet që nuk ka më punë si më përpara. Tani është e vështirë të lash një qira, do blesh qymyr; çdo gjë është me të blerë”, theksoi Cangoja.
Punishtet e kovaçëve po mbijetojnë me gjithnjë e më pak punë, ndërsa bashkë me to rrezikon të humbasë edhe një pjesë e rëndësishme e trashëgimisë së zanateve shqiptare, e ruajtur ndër breza falë mjeshtërve që vazhdojnë ta ushtrojnë këtë profesion.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.