Zëri i Amerikës/Xhaçka: Shqipëria do të kontribuojë në Këshillin e Sigurimit për zgjidhje globale dhe rajonale
Shqipëria është vendi i vetëm që nuk ka qënë asnjëherë anëtare e Këshillit të Sigurimit. Vendet kandidate do të zëvendësojnë pesë anëtarë aktualë, Estonia, Nigeri, Saint Vincent dhe Grenadines, Tunizia dhe Vietnami. Mandati i anëtarëve të rinj fillon më 1 janar 2022 dhe do të shërbejnë deri në 31 dhjetor 2023. Pesë shtetet e tjera në grupin e 10 anëtarëve jo të përhershme janë India, Irlanda, Kenia, Meksika dhe Norvegjia.
Këshilli i Sigurimit merret me paqen dhe sigurinë ndërkombëtare. Ai ka kompetenca të dërgojë paqeruajtës në rajone të trazuara, si dhe të miratojë sanksione.
‘E mjerueshme’
Veprimet e tij supozohet të parandalojnë dhe zgjidhin konflikte, por në vitet e fiundit, kritikët thonë se pikëpamjet kontradiktore, veçanërisht mes pesë anëtarëve të përhershëm, kanë bllokuar marrjen e vendimeve për çështje urgjente.
“Veprimet e Këshillit të Sigurimit për krizat e fundit kanë qënë të mjerueshme”, i tha Zërit të Amerikës drejtori i organizatës “Human Rights Watch” për OKB-në, Louis Charbonneau.
“Për krimet e luftës në Gazë, shkeljet masive të të drejtave të njeriut në Mianmar, apo krimet në rajonin Tigray të Etiopisë, e shumta që ka bërë Këshilli i Sigurimit, edhe kjo, në se ka qënë me fat, ka qënë thjesht shprehja e shqetësimit”.
Votimi i përvitshëm për zgjedhjen e 5 nga 10 antarëve jo të përhershëm, grumbullon qindra diplomatë në mjediset e Asamblesë së Përgjithshme, ku vendet kandidate finalizojnë fushatën e tyre disa mujore për t’u zgjedhur.
Por mjediset e OKB-së janë në zemër të Nju Jorkut, të goditur rëndë nga pandemia e Covid-19. Qyteti shpalli rihapjen para tri javësh, por disa kufizime janë ende në fuqi brenda mjediseve të OKB-së, ç’ka do të bëjë që në votim të jenë të pranishëm fizikisht pak diplomatë.
Vendet kandidate do të zëvendësojnë pesë anëtarë aktualë, Estonia, Nigeri, Saint Vincent dhe Grenadines, Tunizia dhe Vietnami.
Mandati i antarëve të rinj fillon më 1 janar. Pesë shtetet e tjera në grupin e 10 anëtarëve jo të përhershme janë India, Irlanda, Kenia, Meksika dhe Norvegjia.
Ministrja e Jashtme e Shqipërisë Olta Xhaçka tha pas përzgjedhjes së Shqipërisë si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit, duke thënë se vendi do të kontribuojë në gjetjen e zgjidhjeve për çështje globale, jo thjesht kombëtare apo rajonale. Zonja Xhaçka tha në një intervistë për Zërin e Amerikës se Shqipëria do të vazhdojë të angazhohet për çështjen e Kosovës dhe se përfundimi me sukses i dialogut Kosovë-Serbi do të mbyllte një nga kapitujt më tragjikë në Ballkanin Perëndimor. Duke folur për Urdhërin Ekzekutiv të Presidentit amerikan Joe Biden për korrupsionin, Ministrja e Jashtme e Shqipërisë tha se e sheh si mbështetje për shqiptarët.
Zëri i Amerikës: Çfarë përfaqëson për Shqipërinë fakti që do të ketë një vend në Këshillin e Sigurimit dhe cilat do jenë prioritetet e Shqipërisë?
Olta Xhaçka: Është vërtet një fitore e diplomacisë shqiptare, është një mundësi e jashtëzakonshme që i është dhënë Shqipërisë pas 65 vitesh të anëtarësimit të saj në Kombet e Bashkuara, duke pasur parasysh se shumë vende ende nuk e kanë pasur këtë mundësi në shumë dekada. Besoj se ilustron më së miri, se çfarë përmasash të jashtëzakonshme ka kjo ngjarje për Shqipërinë, për politikën e saj të jashtme, për diplomacinë e saj. Patjetër që jemi të vetëdijshëm që duhet të kemi pritshmëri realiste për atë që ne mund të arrijmë në Këshillin e Sigurimit në këtë tryezë kaq të rëndësishme të vendimmarrjes globale, përsa i takon paqes dhe sigurisë. Por, patjetër nuk kemi pse të mos jemi ambiciozë dhe optimistë që me një plan të mirë pune, me strategji dhe objektiva të qarta, por edhe një përgatitje shumë të mirë të ekipit që do të na përfaqësojë në këtë mundësi kaq të jashtëzakonshme, ne mund të arrijmë shumë, duke kontribuar në gjetjen e zgjidhjeve në disa problematika globale, jo më thjesht kombëtare apo rajonale.
Zëri i Amerikës: Zonja Xhaçka, Këshilli i Sigurimit vazhdon të diskutojë rregullisht për Kosovën, megjithëse vendi është në fazë të re. Çfarë qëndrimi pritet nga Shqipëria rreth kësaj çështjeje, si anëtare e këtij Këshilli.
Olta Xhaçka: Çështja e Kosovës, e konsolidimit dhe rritjes së njohjeve të pavarësisë së Kosovës, është absolutisht objektiv strategjik dhe interes madhor i Shqipërisë dhe politikës së jashtme të Shqipërisë. Dhe shteti shqiptar ka kontribuar në arenën ndërkombëtare që ky objektiv strategjik të realizohet. Dhe pavarësia e Kosovës është sigurisht jo vetëm interes kombëtar, por edhe kontribut i qenësishëm për paqen dhe sigurinë dhe stabilitetin e rajonit tonë të Ballkanit Perëndimor. Ky qëndrim i Shqipërisë sigurisht që do të mbetet i pandryshuar dhe jo vetëm tani, por edhe gjatë 2 viteve të pjesëmarrjes në Këshillin e Sigurimit. Dua ta them se Shqipëria dhe ne do të bëjmë çmos që çështja e Kosovës të rivihet në vëmendje të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe kjo do të jetë një prioritet i rëndësishëm që avancon paqen e dhe sigurinë. Ne mbështesim dialogun Kosovë-Serbi, një proces i mbështetur edhe nga BE dhe SHBA, sepse përfundimi me sukses i këtij dialogu, patjetër do të mbyllte një nga dosjet më të vështira dhe më tragjike në Ballkanin Perëndimor, por edhe do t’i hapte rrugë edhe avancimit të integrimit evropian për Kosovën dhe Serbinë dhe patjetër do të ishte edhe kyçi për avancimin njëherësh të pavarësisë së Kosovës dhe hapjes së rrugës për anëtarësimin e saj në Kombet e Bashkuara.
Zëri i Amerikës: Zonja ministre, pak ditë më parë Presidenti amerikan firmosi një urdhër ekzekutiv për bllokimin e pasurive dhe pezullimin e hyrjes në Shtetet e Bashkuara të personave që kontribuojnë në destabilizimin e Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Shqipërinë. Sekretari Blinken tha se përfshirja e Shqipërisë bëhet për të goditur më mirë rrjetet e korrupsionit të shtrira në Ballkanin Perëndimor. Duket që Shqipëria deri tani ka dështuar në këtë luftë derisa është futur në këtë listë. Qeveria juaj ka qenë tetë vjet në pushtet dhe tani do të jetë edhe për një mandat tjetër. Çfarë do të bëjë Shqipëria?
Olta Xhaçka: Ajo që unë do të doja të thosha është që për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mbështetja për forcimin e demokracive, për konsolidimin e demokracive, për fuqizimin e demokracive është një nga shtyllat e politikës së saj të jashtme dhe ne si shqiptarë e kemi shumë të qartë faktin që kjo mbështetje ka qenë vendimtare duke pasur parasysh që SHBA në çdo moment të tranzicionit tonë na ka mbështetur për të demokratizuar institucionet e shtetit shqiptar, për të fuqizuar dhe konsoliduar demokracinë gjatë këtyre viteve të vështira. Dhe lufta kundër korrupsionit është pjesë shumë e rëndësishme e fuqizimit të demokracisë ndaj dhe besoj që në këtë këndvështrim duhet parë edhe vendimi i fundit, i cili në fakt unë mendoj se duhet përshëndetur…
Zëri i Amerikës: Zonja Xhaçka më falni që ju ndërpres. Le të përqëndrohemi në mënyrë specifike tek Shqipëria dhe asaj që pritet të bëhet pas përfshirjes në këtë listë, në qoftë se është e mundur.
Olta Xhaçka: Unë nuk mund t’ua kthej këtë përgjigje, sepse unë nuk di se çfarë mund të bëjnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës pas këtij vendimi. Por besoj që duhet parë në këndvështrimin e një mbështetjeje dhe një vendosmërie të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të qenë krahë për krahë shqiptarëve teksa të gjithë ne, edhe ne si qeveri, punojmë për të ndërtuar një demokraci të konsoliduar dhe kjo është ajo që shqiptarët kanë nevojë. Kjo është edhe mbështetja e madhe që Shtetet e Bashkuara na kanë dhënë dhe vazhdojnë të na japin.
Zëri i Amerikës: Çfarë prisni nga takimi i Këshillit Europian që mbahet më 22 qershor? A pritet që këtë herë të hapet konferenca ndërqeveritare?
Olta Xhaçka: Përgjatë kësaj periudhe, që nga vendimi i marsit 2020 kur në fakt Këshilli Evropian miratoi njëzëri hapjen e negociatave të pranimit me vendin tonë, Shqipëria ka miratuar dhe ka implementuar një plan veprimi që mishëron një axhendë të ngjeshur prioritetesh në përmbushjen e të gjitha kërkesave specifike që ka vendosur Bashkimi Evropian. Dhe besoj që më kryesoret, reforma në drejtësi dhe mbajtja e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, kanë hapur parimisht dhe konkretisht rrugën e zhvillimit të konferencës së parë ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian. Sipas të gjitha pritshmërive, presim që ky vendim të merret brenda presidencës portugeze. Sigurisht që mbetet për t’u tejkaluar ngërçi mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë për të cilët të gjithë partnerët tanë evropianë janë duke ndihmuar dhe shpresojmë që me kompromis do ta kapërcejmë dhe këtë moment për të avancuar në këtë proces kaq të rëndësishëm për Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe rajonin tonë.