Zgjedhjet në PD/ Kthupi: Fitorja e Berishës s’vihet në dyshim, por gara rrezikon të “djegë” figurat e nivelit të dytë
Zgjedhjet e pritshme të brendshme në Partinë Demokratike për kryetarin dhe strukturat drejtuese mund të hapin një kapitull të ri përplasjesh, jo për kreun e partisë, por për nivelet e dyta të lidershipit. Ky është leximi politik i bërë nga avokati Rezart Kthupi, gjatë një analize në emisionin “3D” të drejtuar nga Alban Dudushi në RTSH.
Gjatë fjalës së tij, Kthupi ngriti dy shqetësime kryesore që prekin drejtpërdrejt procesin zgjedhor brenda selisë blu: respektimin e statutit për kuotat e anëtarësisë dhe rrezikun e krijimit të fraksioneve të reja.
“Filtri” i anëtarësisë dhe financat e partisë
Sipas avokatit, një element që po anashkalohet është rregulli strikt i statutit të PD-së lidhur me të drejtën e votës.
“Në bazë të statutit të partisë, asnjë anëtar që nuk ka paguar kuotizacionin nuk mund të votojë për nivelet drejtuese. Statuti përcakton se, nëse anëtari nuk paguan për gjashtë muaj, ai humbet të drejtën e votës,” shpjegoi Kthupi, duke ngritur njëkohësisht pikëpyetje mbi mënyrën se si po i siguron partia burimet e saj të financimit nëse ky rregull nuk zbatohet.
Mungesa e rivalitetit për Berishën
Duke u ndalur te gara për kryetarin, Kthupi theksoi se Sali Berisha është një mjeshtër i “realpolitikës” dhe nuk ka ndërmend të shfaqë asnjë dobësi apo të lejojë rritjen e një alternative reale kundër tij brenda llojit.
“Sot që flasim, çfarë programi ka Berisha? A mund të lejojë ai alternativë brenda PD-së? Përgjigjja është jo,” theksoi analisti.
Beteja e vërtetë
Pika më delikate e këtyre zgjedhjeve, sipas Kthupit, nuk është rikonfirmimi i Berishës, por gara për postet nën të. Ai paralajmëroi se votimet mund të prodhojnë të papritura për figurat qendrore të aksionit aktual opozitar.
“Problemi nuk është nëse Berisha do të fitonte përballë një kundërshtari, por te nivelet e dyta. Mund të mos mposhtësh dot Berishën, por mund të mposhtësh Flamur Nokën, gjë që do të krijonte fraksione brenda PD-së. Disa figura të nivelit të dytë, si Noka, Bardhi apo Boçi, mund të mos fitojnë, dhe pikërisht këtu qëndron problemi,” përfundoi Kthupi.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.