Ekonomia

Zhvendosja e lojrave të fatit, Ahmetaj: Afati i fundit 31 dhjetori

Afati i zhvendosjes së lojërave të fatit nga qendrat e qyteteve drejt periferisë është 31 dhjetori i këtij viti dhe nuk do të ketë më shtyrje.

Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj deklaroi sot në komisionin parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, teksa po diskutoheshin disa ndryshime të propozuara nga qeveria për lehtësimin e barrës fiskale në disa sektorë të ekonomisë, ku përfshihen agro turizmi dhe bujqësia, se nuk do të ketë më shtyrje afati.

Kryetari i Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, Erion Braçe, kërkoi ndërmarrjen e të gjitha akteve ligjore, në mënyrë që në 1 janar 2019 lojërat elektronike të zhduken nga qyteti dhe të zhvendosen në periferi.

Njëkohësisht, Braçe kërkoi edhe rritjen e barrës fiskale për kompanitë e basteve.

Por, ministri i Financave dhe Ekonomisë theksoi se kjo çështje është duke iu nënshtruar një analize brenda ministrisë së Financave.

“Ka një analizë brenda ministrisë se si mund të ndryshojë tatimi. Kur të kemi një qartësi do ta ndajmë menjëherë”, tha Ahmetaj.

Ndërsa kreu i komisionit të Ekonomisë i kërkoi ministrit të Financave një qëndrim lidhur me këtë çështje në paketën e re fiskale vjetore.

“KLSH ka llogaritur dëm ekonomik kolosal në sektorin e e lojërave të fatit. Ky dëm i referohet operacionit të zhvilluar vite më parë dhe faktit se sekuestrimi i çdo makine të lojërave të fatit duhet të ishte shoqëruar edhe me gjobën respektive. Dëmi i pretenduar nga KLSH llogaritet 500 milionë dollarë”, tha Braçe.

Braçe shtoi se edhe pse ato makineri janë sekuestruar, opozita e ka cilësuar si vjedhje.

“Ne duhet t’ i japim zgjidhje përfundimtare njehsimit të çdo veprimi administrativ në raport me lojërat e fatit”, tha Braçe.

Por ministri Ahmetaj theksoi se konfiskimi është dënimi maksimal në një sipërmarrje.

Qeveria miratoi me ligj zhvendosjen e lojërave të fatit jashtë qyteteve në periferi të tyre dhe afati i fundit ishte viti 2015. Por me propozim të një grupi deputetesh afati u shty.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button