Kosova

Zv/kryeministrja Tahiri: Dialogu në Bruksel, përparime në fushën e energjisë dhe lëvizjes së lirë

Edita-Tahiri1-466x350Zv/kryeministrja në qeverinë e Kosovës dhe udhëheqësja e dialogut për zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit mes Prishtinës dhe Beogradit, Edita Tahiri , pas takimeve të zhvilluara dje në Bruksel për çështjet e energjisë, telekomit, doganave dhe lëvizjes së lirë, deklaroi sot se kishte pasur zhvillime pozitive në të gjitha çështjet që ishin në axhendë.
“Për çështjet e energjisë, në takimet bilaterale me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian kemi konfirmuar pranimin e Planit për zbatim për energjinë si dhe nënshkrimin e Marrëveshjes për bashkëpunim për transmisionin e energjisë, duke konstatuar së bashku se Plani për zbatim është aprovuar nga të gjitha palët. Marrëveshja për energjinë prej ditës së djeshme fillon së zbatuari dhe unë vlerësoj se kjo është një arritje e rëndësishme sepse praktikisht do të fillojë një bashkëpunim ndërshtetëror mes Kosovës dhe Serbisë në fushën e energjisë në dobi të qytetarëve dhe stabilitetit energjetik rajonal, si dhe do të vihet rendi dhe ligji në pjesën veriore të vendit duke i dhënë fund operatorëve illegalë që kanë vepruar deri më tani në fushën e energjisë”, deklaroi pak më parë Tahiri.
Për sa i takon telekomit, vijoi zv/kryeministrja, ende nuk kemi arritur të përfundojmë planin për zbatim duke qenë se kanë mbetur edhe disa gjëra për t’u sqaruar në ditët në vijim.
“Po ashtu, dje kemi zhvilluar takime trepalëshe për vlerësimin e zbatimit të marrëveshjes për lëvizjen e lirë dhe doganat dhe në veçanti të licencimit të mallrave që hyjnë në Kosovë. Nga takimi i djeshëm ka një rezultat të rëndësishëm, sepse kemi arritur marrëveshje për zgjerimin e Marrëveshjes për lëvizjen e lirë duke përfshirë kalimin për qytetarët e Kosovës në Aeroportin e Beogradit dhe Nishit si dhe për kalimin transit përmes Serbisë në vendet e treta ku përfshihen shtimi i pikëkalimeve kufitare për Kroaci dhe Hungari dhe hapja e pikëkalimeve kufitare për Bullgari, Rumani dhe Maqedoni. Zbatimi i kësaj Marrëveshje do të realizohet brenda dy muajsh, ndërsa prej datës 22 shtator 2014 qytetarët e Kosovës mund të shfrytëzojnë aeroportin e Beogradit për udhëtime tranziti. Ishte vlerësim i përbashkët se zbatimi i marrëveshjeve në fushën e doganave është duke ecur mirë, për të cilën edhe Bashkimi Evropian bëri vlerësime pozitive”, tha zv/kryeministrja Tahiri.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button