Kosova

Jahjaga: Sistemi shëndetësor i ka kushtet bazë për të ofruar shërbime më të mira

“Sistemi shëndetësor i Kosovës ka të gjitha parakushtet bazike profesionale e njerëzore të ofrojë shërbimet e duhura për ndërhyrje më të përparuara në mjekësi”, tha sot Presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga.

Në Prishtinë, ajo foli në ceremoninë e hapjes së Kongresit të Dytë të Oftalmologëve të Kosovës me pjesëmarrje ndërkombëtare, që në fokus ka trajtimin e arritjeve dhe përvojave më të reja praktike e shkencore në fushën e oftalmologjisë.

“Ngjarjet si ky kongres janë të rëndësishme edhe për faktin se kontribuojnë në përmirësimin e kapaciteteve profesionale dhe në shërbime më moderne vendore të mjekësisë”, u shpreh Presidentja e Kosovës.

Gjatë dy ditëve, vijoi ajo, ekspertë të njohur nga vendi e bota do të shpalosin gjetjet e tyre shkencore për rëndësinë e shëndetit të syrit, për metodat e trajtimit të sëmundjeve të tij dhe do të shkëmbejnë përvojat e tyre në shërbim të një shëndeti sa më të mirë.

“Shëndeti i mirë është një gur themeltar i rritjes dhe zhvillimit ekonomik dhe i uljes së varfërisë. Prandaj, rëndësia e këtij kongresi shkon edhe përtej dobive për shkencën e mjekësisë, sepse jep një kontribut edhe për zhvillimin e gjithmbarshëm të shoqërisë sonë”, u shpreh Jahjaga.

Ajo uroi që diskutimet dhe paraqitjet në kongres të shërbejnë si një shtytje shtesë për avancimin e të ardhmes së oftalmologjisë në Kosovë, në rajon dhe në mbarë botën.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button